Agim Xhemali gjate nje aktiivteti
Agim Xhemali me një karrierë muzikore 40 vjeçare ka lëvruar gjithmonë muzikën tradicionale popullore, kryesisht të trevës së jugut. Ai ka bashkëpunuar me mjaft këngëtarë, duke sjellë krijimtari të pastër popullore. Fizarmonika si instrument mbetet një pasion i veçantë për të, por dhe orkestrimet e valleve të ndryshme popullore në studion e tij janë një pasuri më vete. Së shpejti ai do të nxjerrë një album me valle shqiptare të orkestruara në studion e tij. Në një intervistë për Radio Ejani Agim Xhemali tregon për fillimet e tij muzikore si dhe produksionet që ka realizuar gjatë viteve të karrierës.
Agim Xhemali ne interviste per CMG
CMG: Kur keni nisur të merreni me muzikën popullore?
Agim Xhemali: Unë kam mbaruar shkollën për tornitor dhe deri në moshën 23 vjeçare kam punuar si tornitor. Ndërkohë i bija instrumentit për qejf, jo me përkushtimin se do bëhesha dikushi. Pikënisja ka qenë vëllai sepse ka qenë muzikant nëpër ambjentet e gëzimeve familjare, kurse unë isha i vogël në atë kohë. Unë nuk e kisha menduar që do të luaja në fizarmonikë, por më ngacmonte pasioni i brendshëm. Kur fillova punë në uzinë rastësisht kolegu që kisha në torno ishte fizarmoniçist dhe shkonte nëpër gëzimet familjare. Unë i them se kam dëshirë të mësoj fizarmonikën, dhe ai më lidhi me dikë që ishte profesionist në këtë fushë për ta mësuar me nota këtë instrument. Ai më lidhi më Gezim Seriatin dhe fillova të punoja me të dhe nga gëzimi i tepërt e kapa shpejt instrumentin. Unë edhe natën kur flija gjumë mendoja për instrumentin, aq pasion të madh e kisha. Kështu që vazhdova karrierën time duke punua, dhe në vitet 90-të mendova të blija një organo, por që të kalosh nga fizarmonika në organo është e vështirë sepse duhet të bësh një kurs. Në atë kohë u lidha me një profesor të nderuar i cili më vinte në shtëpi për të më mësuar pianon sekondare. Pas një viti fillova të punoja me tastierë dhe realizova edhe një këngë me këngëtarin Durim Shamku në bashkëpunim me Adrian Demirin, që pasur fatin të punoja me të sepse është një klarinetist i mrekullueshëm dhe për muzikën popullore është tepër origjinal. Fillimet e mia ishin pak të vështira për arsye se në rrethin e lagjes tonë kanë qenë të gjithë muzikantë të mirë, dhe duke dëgjuar këta muziknatë të shkëlqyer unë ose do ta mësoja instrumentin mirë ose mos ta kapja fare sepse ishte turp të dilje përpara muzikantëve të mirë. Pra unë fillova duke menduar për të bërë investim në idenë e hapjes së një studio të vogël muzikore.
CMG: Ju kryesisht keni punuar me orkestrimet e këngëve të trevës së jugut. Kjo falë dhe origjinës suaj nga Korça dhe që e njihni më mirë këtë trevë?
Agim Xhemali: Unë me origjinë jam nga Korça dhe kam pasur fatin që kur shkova ushtar në Mborje të Korçës kam përfituar mjaft nga muzika korçare sepse duke ndenjur me muzikantë të shkëlqyer të Korçës, kuptova që të jesh muzikant nuk është gjë e lehtë, por të jesh grup është gjëja më e bukur sepse muzikantët e Korçës ndryshe nga gjithë trevat e tjera mbanin grup. Një muzikant nuk shkonte me grup tjetër por kishte grupin e vet, ku kishin grup shumë të mirë me kitare bas, baterista dhe klarinetista të mirë që bënin muzikën e tyre. Unë përfitova shumë nga dëgjimi i muzikës së tyre dhe muzikën korçare e kam në shpirt.
CMG: Bashkëpunimet tuaja kanë qenë vetëm me këngëtarët e trevës së Korçës apo keni realizuar këngë dhe me këngëtarë të trevave të tjera?
Agim Xhemali: Kur unë hapa studion time profesionale bashkëpunova me të gjithë këngëtarët e trevës së jugut. Shumica e këngëtarëve që kanë dalë në tregun muzikor dhe që sot janë me emër kanë dalë nga studio ime fillimisht. Unë kam punuar me këngëtarë të të gjitha trevave, pastaj jam lidhur me këngëtarin korçar Telha Zeza i cili filloi të më afronte me këngëtarë korçarë. Ai është një këngëtar mjaft i mirë i zonës së Gorës dhe kemi bërë shumë këngë së bashku, që janë pritur mjaft mirë sepse jemi munduar të ruajmë strukturën e këngës për të mos dalë nga origjinaliteti i këngës. Korça ka karakteristikë më vete dhe karakteristika e saj është që në muzikë klarineta shoqërohet me violinë dhe lahutë. Ndërsa kur fillojmë me serenatat korçare janë tjetër histori sepse futet te muzika qytetare, por muzika e folkut është muzika korçare, përmetare, leskoviqare që mua më ka ngacmuar shumë.
CMG: Sa e vështirë është për ju që ta ruani të pastër muzikën popullore, duke parë që ka një numër të madh muziknatësh dhe këngëtarësh në tregun muzikor?
Agim Xhemali: Sot me të vërtetë është pak e vështirë, por njeriu duhet të jetë këmbëngulës për atë që bën. Unë të them të drejtën nuk i trembem as tallavasë dhe as rrymave të ndryshme sepse çdo njeri shkon atje ku e gjen veten. Jam munduar që ti ruaj këto vlera që ka folku shqiptar.
Agim Xhemali me grupin muzikor gjate nje aktiviteti
CMG: Keni marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit, por flasim pak për eksperiencën tuaj me grupin në Australi. Si u ndjetë mes shqiptarëve që jetojnë prej vitesh atje?
Agim Xhemali: Unë kam marrë pjesë me shumë ansamble të ndryshme, me Ansamblin “Tradfolk Tirana” me koreograf Bujar Gorenxën, me Ansamblin e Belshit ku është drejtuese këngëtarja e njohur Donika Tufa, ku kam dhënë ndihmesën time modeste. Njeriu nuk duhet ta shohë muzikën si interes leku, për mua muzika është qejf. Unë kur luaj diçka që më pëlqen në instrument kënaq veten. Pra kjo është muzika që të plotësosh dëshirat tuaja, por sigurisht edhe dëshirat e njerëzve sepse ne për njerëzit e bëjmë muzikën. Nuk e kisha menduar kurrë që do të shkoja në Australi. Ne në atë grup kishim këngëtare Rovena Ibrahimin, Rilinda Velaj që sihte dhe inniciatorja e këtij turneu, Todi Gjeka me klarinetë, kishim këngëtarët e isos Nesip Memën dhe Xhevahir Borën, sepse në Australi kërkohet shumë muzika korçare dhe ato e donin muzikën bio dhe i dinin këngët më mirë se ne. Për mua ajo ishte një eksperiencë që nuk e di a do të vijë prapë në jetë. Atje ne realizuam shtatë koncerte për festat e nëntorit dhe kanë ngelur jashtëzakonisht të kënaqur, ku edhe sot mbajmë kontakte me njëri tjetrin.
CMG: Gjatë karrierës suaj keni relizuar disa orkestrale që i keni publikuar në kanalin YouTube. Flasim për këto produksione muzikore dhe si janë pritur nga publiku?
Agim Xhemali: Sot nëse nuk ke një material muzikor në YouTube dukesh sikur nuk je muzikant. Krejt rastësisht duke punuar në studio dikush regjistroi një video duke bërë muzikë për qejf, por doli bukur. Unë luajta Vallen e gajdes dhe e hodha në YouTube. Kjo valle u pëlqye shumë sepse vallen e gajdes e kam qejf ngaqë mua babai më ka ndërruar jetë shumë vite më përpara dhe më ka lënë 15 vjeç, por që ai e ka pasur kërcyar këtë valle. Tani ne e kërcejmë edhe si familje sepse e quajmë si diçka tonën. Kjo ka qenë një ndër vallet e para që unë kam mësuar dhe them se e luaj mirë. Kjo valle ka marrë gati 1 milion klikime në kanalin YouTube. Gjithashtu kam realizuar dhe vallen e Kukësit, te Osman Shaqen, një valle të Shqipërisë së mesme si dhe vallen dyshe kavajase. Këto janë valle që unë i kam shumë për zemër dhe i luaj, por projekti im është që këto valle t’i riorkestroj sërisht dhe ti kem në arkivën time. Kam dëshirë që në 60 vjetorin tim t’i kem mbaruar këto valle që kam pikësynim. Janë valle me motive të jugut dhe të Shqipërisë së mesme, dhe unë me këto krenohem.
CMG: Gjatë këtyre viteve a keni pasur ndonjë moment të vështirë që keni dashur të hiqni dorë nga muzika?
Agim Xhemali: Unë nuk e mendoj se do të shkëputem nga muzika. Mua të më japësh pasurinë më të madhe në botë dhe të më bësh mbret, pa fizarmonikën nuk rri dot sepse ka hyrë aq thellë në zemër saqë nuk e kuptoj dot jetën pa muzikë.
CMG: Mendon se dhe brezi i ri sot është po kaq pasionant si ju për muzikën e vërtetë popullore?
Agim Xhemali: Sot të vjen keq për të rinjtë që mos të mësojnë. Unë ndjehem shumë i priviligjur që kam dhe nipin tim klarinetistin Erald Demiri të cilin e kam dashur sikur e kam djalin tim sepse është një djalë që ka ecur në gjurmët e babait të tij. Çdo këngë që unë inçizoj Eraldin e kam klarinetistin e parë, patjetër që edhe babain e tij Adrianin. Mua më ka ndihmuar shumë njohja me kompozitorin më të mirë shqiptar Edmond Zhulali të cilin e përshëndes, si dhe basisti Genti Muhaxhiri. Këta të dy më kanë ndihmuar shumë dhe ju jam shumë mirënjohës. Edmond Zhulali më ka dhënë mësimet e para sesi bëhet içizimi në studio dhe për mua mbetet mësuesi i parë në studio.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Agim Xhemali: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe ju them që së shpejti do të vijmë me një album me valle shqiptare dhe promovimin do e bëjme te Radio Ejani. Gjithashtu përshëndes dhe të gjithë këngëtarët që kam bashkëpunuar dhe më kanë besuar orkestrimet në studion time por dhe krijimtari të re, duke ju uruar të gjithëve suksese të mëtejshme dhe një këshillë që ta ruajnë sa më shumë folklorin shqiptar.
Intervistoi; Gazmend Agaj