Puna në stacionet e teknologjisë shkencore rurale jep fryte për fermerët dhe studentët
2023-06-16 10:00:14

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Me zbardhjen e agimit, pasuniversitarja Gao Jie, me veshje për mbrojtje nga dielli dhe një kapele, drejton një biçikletë elektrike me tri rrota bashkë me dy shokët e saj të klasës, duke u nisur për në fermën e kajsive. Pasi shkarkojnë veglat dhe qeset e mostrave, ata zgjedhin tri pemë, gërmojnë pak tokë pranë pemëve dhe e futin dheun në provëza për analiza laboratorike.

"Toka është njësoj si jeta. Ajo ka nevojë edhe për ekzaminime fizike", tha Gao, duke shtuar se analizat e mëparshme kanë treguar se shumica e pemëve të kajsisë janë të mbifertilizuara, duke dëmtuar rritjen e tyre.

Gao dhe shokët e saj të klasës nga Universiteti i Bujqësisë së Pekinit janë dërguar në një stacion rural në fshatin Beizhai, distrikti Pinggu  në periferi të Pekinit.

Stacioni rural, i njohur si "oborri i vogël i shkencës dhe teknologjisë", u lejon studentëve si Gao të kryejnë kërkime në terren në parcelat e fermerëve, ndërsa fermerët mund të kenë akses të drejtpërdrejtë në teknikat e avancuara bujqësore.

I rrethuar nga male nga tri anët, fshati, me kushtet e tij unike klimatike dhe tokësore, është ideal për rritjen e kajsive të kuqe.

Megjithatë, për shkak të menaxhimit të gjerë afatgjatë, fshatarët panë një rënie të rendimentit dhe cilësisë së frutave nga viti në vit, pavarësisht përpjekjeve të ndryshme.

Në vitin 2019, ekspertë të universitetit vizituan fshatin, duke konstatuar se fshatarët kishin mungesë të njohurive shkencore për plehërimin dhe kontrollin e dëmtuesve, si dhe përvojën e shitjeve në internet.

"Më pas kontaktuam departamentet përkatëse dhe ngritëm stacionin rural. Në këtë mënyrë, studentët pasuniversitarë vendosen këtu me radhë dhe instruktorët vizitojnë rregullisht stacionin rural për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve",- tha Jia Yuehui, profesore në universitet.

Jia  tha se fshati është një shkollë e veçantë, që u sjell studentëve përvojë shtesë për mësim dhe kërkime.

"Disa studentë ishin shumë të turpshëm për të folur në publik. Tani që flasin me fshatarët çdo ditë, aftësia e tyre e komunikimit është përmirësuar shumë",- tha ajo, duke shtuar se disa studentë kanë zhvilluar aftësi të shumta, të tilla si kërkimi i kompensimit për dëmet nga breshri dhe krijimi i kodeve QR për shitjet në internet.

Studentët, shumë prej tyre të rritur në qytete, mësojnë gjithashtu nga fermerët.

Kong Fanli, një fermer me përvojë në rritjen e kajsive, u tha studentëve se barërat e këqija nën pemë ndihmojnë në thithjen e nxehtësisë në verë, dhe për këtë arsye nuk duhen hequr.

 Për problemet që studentët nuk mund t'i zgjidhin shkon ekipi i instruktorëve për të ndihmuar.

Fermeri Yu Jihong iu drejtua ekspertëve pasi një substancë xhelatinoze kafe rridhte nga fundi i disa trungjeve të pemëve sikur "rridhte gjak”.

Liu Jie, profesor i asociuar i dërguar në fshat, tha se substanca e ngjashme me ngjitësin është lëngu i qelizave brenda pemëve. Ai tha se rrjedhja e lëngut të qelizave është shkaktuar nga infeksioni bakterial, pasi plehërimi i tepërt i ka bërë  pemët më të dobëta.

Liu e këshilloi Yu të reduktonte plehërimin dhe të aplikonte pak squfur gëlqereje pasi të pastronte lëngun e qelizave në sipërfaqet e trungut.

“Pasi dëgjova këshillat e ekspertit, ankthi im është zhdukur”, tha Yu.

Mbjellja e kajsisë në fshat po bëhet gradualisht shkencore falë stacionit rural. Me ndihmën e studentëve, fshati ka ngritur një dyqan ku gjysma e prodhimit të kajsisë është shitur në internet vitin e kaluar.

Shifrat tregojnë se numri i stacioneve rurale të shkencës dhe teknologjisë ka tejkaluar 1000 në të gjithë Kinën, duke ofruar një model të ri për kërkimin shkencor, shërbimet sociale, trajnimin e personelit dhe zhvillimin e bujqësisë.