Shqipëria në “Konferencën e parë Ndërkombëtare të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit për Sipërmarrësit e Rinj”
2023-06-16 09:47:24

CMG: Z. Manushi, ju morët pjesë në fund të prillit 2023, në një konferencë ndërkombëtare për sipërmarrësit e rinj në Pekin. Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe ofron produkte me teknologji të avancuar dhe me çmime të përballueshme. Cilat ishin përshtypjet tuaja nga pjesëmarrja në këtë konferencë?

Kristi Manushi: Kjo konferencë, e cila ishte në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh midis vendeve, me tematikë bashkëpunimin mes sipërmarrësve të rinj, kishte në fokus zhvillimin e sipërmarrësve të rinj, njohjen e tyre me njeri-tjetrin, mënyrat e rekuperimit të ekonomisë globale, zhvillimin e industrisë dhe rritjen e efiçiencës së saj.

Ajo që vlen të theksohet përgjatë kësaj konference, ishte nxjerrja në pah e avantazheve që provinca të caktuara të Kinës kishin, me qëllim tërheqjen e investuesve potencialë në zona të caktuara.

Vlen të theksohet edhe fakti i identifikimit të mundësive që investues potencialë mund të kenë, përsa i takon produkteve novatore apo shërbimeve novatore në tregun kinez.

CMG: Ju permendët investues potencialë. Në gjykimin tuaj, bashkëpunimi ekonomik, investimet, në nivel të ekonomive të dy vendeve tona, me partnerë kinezë, sipërmarrje publike dhe private, si mund të shtohen?

Kristi Manushi: Duke marrë në konsideratë të dhënat historike, bashkëpunimin ekonomik që Shqipëria ka patur me Kinën që në periudhën e komunizmit, dua të theksoj se bashkëpunimi modern ka nisur me Kinën që në vitin 2010, me kompaninë Geo Jade Petrolium, e cila ishte një kompani kineze që mori në kontroll Bankers Petroleum për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Në vitin 2011 kishim një tjetër kompani kineze, e cila mori në koncesion aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.

Këto janë oportunitete për Shqipërinë, në mënyrë që të krijojë një marrëdhenie akoma dhe më të ngushtë me Kinën. Mendoj se janë tre arësye, përse duhet zhvilluar më tej marrëdhënia tregtare dhe bashkëpunimi ekonomik me Kinën.

E para ka të bëjë me nxjerrjen dhe përpunimin e lëndëvë të para. Shqipëria konsiderohet nga Kina si një ndër vendet, nga e cila Kina merr minerale, por edhe bashkëpunon në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Marrja e njohurive, rritja e bashkëpunimit tregtar me Kinën do të ishte pozitive edhe për Shqipërinë, përsa i takon efiçiencës.

Kjo është arësyeja e parë. Arësyeja e dytë është sektori i bujqësisë, për faktin se vitet e fundit qeveria shqiptare ka vendosur një fokus të madh në zhvillimin e këtij sektori. Në vitin 2017, qeveria kineze ka ofruar një incentivë në rajon me një fond rreth 1.7 miliardë euro, për sektorin e bujqësisë dhe ky është një oportunitet pozitiv për Shqipërinë.

Arësyeja e tretë është zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit. Në këtë fushë, Shqipëria ka nevojë për mbështetje, sidomos nga një vend si Kina.

CMG: Në kuadrin e  mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, cilat do të ishin avantazhet e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë?

Kristi Manushi: Duke qenë se Kina ka ndërmarrë një sërë inisiativash, sidomos nisma “Një Brez, një Rrugë”, ka disa mini-inisiative brenda saj, ku Shqipëria mund të përfitojë në financim të projekteve që paraqet, sidomos në kuadër të vendeve të Ballkanit. Ky është një oportunitet shumë i mirë për Shqipërinë.

Një mundësi tjetër e ofron bashkëpunimi i vendeve që kanë qasje në rrugë detare, nën nismën “Maritime Silk Road(Rruga detare e Mëndafshit)”. Duke konsideruar faktin që Shqipëria ka një dalje të gjerë në rrugët detare, shanset janë shumë të mira. Këto janë dy arësyet kryesore që mendoj se është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të rrisë marrëdhëniet tregtare me Kinën.   

CMG: Cila do të ishte qasja e duhur që sipërmarrësit shqiptarë të njiheshin me mundësitë e importit, eksportit, por edhe investimeve me Kinën?

Kristi Manushi: Përgjatë zhvillimit të Konferencës në Pekin, përfaqësues nga provinca të ndryshme të Kinës e vunë theksin shumë tek sipërmarrësit e rinj dhe tek investuesit potencialë. Ata theksuan që Kina është një ndër vendet më të mira, që këta investues potencialë të testojnë idetë e tyre inovatore, përsa i takon shërbimeve apo produkteve.

Në mënyrë që një investues shqiptar të ketë një qasje të suksesshme ndaj investimeve në Kinë, ata theksuan se ky investues duhet të ketë disa karakteristika. Karakteristika e parë është marrja përsipër e riskut. Tregu kinez konsiderohej si tregu më i mirë për të testuar inovacionin, nëse një produkt apo shërbim i ri do të dështonte, apo do të kishte sukses.

Karakteristika e dytë ishte pjesa e investimit dhe e gjetjes së burimeve financiare të nevojshme. Përfaqësues të ndryshëm të biznesit në Kinë, por edhe investues të huaj, ishin mjaft të hapur ndaj mundësive të bashkëfinancimit.

Karakteristika e tretë që duhet të ketë një investues shqiptar në Kinë ishte zbulimi i oportuniteteve në provinca të ndryshme të Kinës, për të krijuar atë tregun tënd specifik për produktin apo shërbimin. 

Intervistoi Fatos Coçoli