Merr hov tendenca e shikimit të peshkimit në botën virtuale
2023-06-15 10:04:25

Bota e peshkimit është zgjeruar përtej vetë aktivitetit. Nga transmetimi i drejtpërdrejtë me temën e peshkimit te kampingu, peshkimi ka ndezur degë të ndryshme dhe fitimprurëse që kanë mahnitur entuziastët dhe sipërmarrësit. Me rritjen e platformave të video të shkurtra dhe shërbimeve të transmetimit të drejtpërdrejtë, njerëzit mund të zhyten në artin e peshkimit pa i lagur fare këmbët.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në platformën e videove të shkurtra “Douyin”, videot me hashtag peshkimin kanë pasur 189.84 miliardë shikime që nga fillimi i qershorit. Në platformën e ndarjes së stilit të jetës “Xiaohongshu”, postimet e lidhura me peshkimin arritën në më shumë se 1.35 milionë në fillim të qershorit.

“Më duket veçanërisht relaksuese të shikosh transmetime të drejtpërdrejta me temë peshkimi ose disa nga kapjet më të mira. Sa herë që i shoh kapjen e peshqve njëri pas tjetrit, ekzaltohem.

Madje dua të provoj dhe vetë të hedh ndonjë grep”,- tha Li Ming, një banor 32-vjeçar i Pekinit.

Li tha se rastësisht hasi në një video peshkimi në “Douyin”. Brenda një ore, ai u mahnit nga natyra e qetë dhe e ngadaltë e aktivitetit. “Më dha një ndjesi të mirë shikimi i atyre videove. Tani ndihem i varur dhe i shikoj çdo ditë”,- tha ai.

Deng Gang, trajnues në Shoqatën e Peshkatarëve të Kinës, drejton një llogari në “Douyin” ku poston video rreth momenteve kryesore në jetën e tij të peshkimit. Llogaria ka mbi 35.4 milionë fansa dhe një video e renditur në krye mori afro 3.19 milionë pëlqime nga përdoruesit e rrjetit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Më shumë se 6.75 milionë persona ndoqën në një ditë seksionin e transmetimit të drejtpërdrejtë të Deng, ku ai shihet duke peshkuar në një pellg.

Shumë nga videot e Deng e tregojnë atë duke shkuar në pellgje peshkimi ku paguhet një tarifë, duke negociuar çmimet me pronarët, pa zbuluar identitetin e tij të vërtetë, dhe duke përdorur aftësitë e tij të jashtëzakonshme për të kapur peshq që vlejnë shumë më tepër sesa paguan. Në seksionin e komenteve poshtë videove, shikuesit thonë se argëtohen duke parë Deng duke u shtirur si fillestar, duke i befasuar me aftësitë e tij të peshkimit dhe duke i bërë pronarët e pellgjeve të pendohen për marrëveshjen.

“Influencer”-ët e peshkimit si Deng nuk shfaqin vetëm aftësitë e tyre, por gjithashtu rekomandojnë produkte përkatëse në faqen e tyre kryesore në “Douyin”.

Dyqani i Deng, për shembull, ka gjithsej 101 produkte për shitje, duke filluar nga kallamat e peshkimit te karremi dhe më shumë. Artikulli më i shitur është një grup grepash peshkimi me vlerë 6.8 juanë (95 cent amerikan), me shitje që arrijnë afro 1 milion njësi.

Sipas një raporti të fundit nga “Beijing News”, të ardhurat nga shitjet nga promovimet e produkteve të tij të transmetuara drejtpërdrejt në 30 ditë vlerësohen të jenë rreth 2.95 milionë juanë.

“Për fillestarët që nuk janë të njohur me markat e pajisjeve të peshkimit, miratimi nga influencuesit në industri është një referencë e rëndësishme. Disa nga “influencer”-ët zgjedhin një markë për të punuar. Disa madje kanë markat e tyre”,- tha Li.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Influencer”-ët dhe të famshmit nuk janë të vetmit që përfitojnë nga popullariteti në rritje i peshkimit në platformat e mediave sociale. Adhuruesit e rregullt të peshkimit po fitojnë gjithashtu para prej publikimeve në mediet sociale.

Në “Xiaohongshu”, postimet e lidhura me veshjet e peshkimit tejkaluan 10,000 në fillim të qershorit, duke tërhequr shumë njerëz për të ndarë pikëpamjet e tyre për tendencën më të fundit. Postimet më të preferuara janë ato që përfshijnë këshilla mbi veshjen për të maksimizuar mbrojtjen nga dielli dhe veshjet më ekonomike. Mbi 50.000 artikuj nën emërtimin “veshje peshkimi” ishin në shitje në “Xiaohongshu” ”, nëpër llogari të ndryshme.

“Peshkimi, dikur një argëtim i thjeshtë, ka evoluar në një mënyrë jetese, duke u ndërthurur me kampingun, barbekju, modën dhe udhëtimin. Kjo tendencë ka krijuar mundësi të shumta”,- tha Huo Taixiang, drejtor marketingu i markës japoneze të mjeteve të peshkimit në degën e Kinës “Daiwa”, në Guangdong.

Huo tha se kompania do të nisë një fushatë muajin e ardhshëm që kombinon peshkimin me kampingun, dy nga aktivitetet më të njohura në natyrë. Marka do të lançojë gjithashtu një sërë produktesh të reja si tenda, karroca dhe karrige të palosshme, tavolina të të palosshme dhe gota titani. Huo tha se qëllimi kryesor është t'u ofrojë klientëve një përvojë të lehtë kampingu dhe peshkimi, pa probleme dhe të qetë.

Me popullaritetin në rritje të peshkimit, ofruesit e akomodimit në pikat e peshkimit kanë intensifikuar gjithashtu përpjekjet e tyre.

Sipas të dhënave nga “Tujia”, një platformë e dhënies me qira të pronave dhe operatori i strehimit, numri i pronave në platformë me etiketa ose përshkrime që përmbajnë termin “peshkim” është rritur me 1.5 herë nga mesi i majit, krahasuar me fundin e vitit 2019.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në pesë muajt e parë të këtij viti, rezervimet për pushime me qira të lidhura me peshkimin kishin një rritje prej 3.1 herë krahasuar me të gjithë vitin 2019.