Gjatë ceremonisë së hapjes së qendrës më të re argëtuese, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur që kjo qendër e re arti i shtohet kryeqytetit ku shtoi se, ashtu si bibliotekat, edhe kinematë po kthehen në hapësira multifunksionale. Ai theksoi se qendra e re “Agimi” do të jetë e hapur në shtatë ditë të javës dhe do të shërbejë për çdo event kulturor në Tiranë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndër të tjera tha se do të jetë një ndër frekuentueset më të rregullta të kinemasë.
“Ndjehem një e ftuar e privilegjuar jo vetëm si ministre, se i rikthejmë komunitetit një hapësirë që flet art dhe kulturë, i rikthejmë një pjesë të historisë së pallateve ‘Agimi’ që nuk janë thjeshtë rezidenca, është një vend i gjallë që gjithmonë ka gumëzhuar nga zhurmat e njerëzve. Ne si fëmijë kemi luajtur në oborret e pallateve këtu afër dhe më vjen mirë që është sjellë në një formulë të re, që është një derë e hapur për të gjithë ata që duan të shijojnë artin e kulturën. Unë si minister, por edhe si banore e pallatit, i jam shumë mirënjohëse Erionit, që na i ka dhënë këtë mundësi madje unë dhe vajza ime do jemi ndër frekuentuesit më të shpeshtë. Eshtë një dhuratë shumë e bukur për Tiranën’ tha ministrja Margariti.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi: ‘Doja të kujtoj se çfarë ndodhte në kinema në vitet ’90. Në ato vite të fëmijërisë sonë, kinemaja ishte më shumë se kinema, ne identifikonim lagjen me kinemanë. Dikush jetonte te kinema ‘Republika’, te kinema ‘Partizani’ apo te kinema ‘Agimi’, praktikisht lexoje etiketën e gjithë asaj lagjeje. Edhe pse në ato ditë të vështira kinemaja etiketonte një lagje të tërë, kjo është shumë domethënëse. Njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, ndryshe bashkia do të ishte bukëpjekësja më e madhe, por njerëzit jetojnë edhe me art, me kulturë, me film, me teatër. E di që për shumë prej këtyre projekteve kemi pasur shumë debate, por detyra ime nuk është të marr vendime që iu pëlqejnë të gjithëve, detyra ime është të marr vendime që iu shërbejnë të gjithëve. E di që ka ende një pjesë të njerëzve që mund të jenë të mërzitur me mua për Teatrin, por javën tjetër ne do hapim themelet e Teatrit të Ri. Për gjëra që e kishin statusin Monument kulture, siç ishin “Shtëpia e Libohovitëve” apo “Sarajet e Toptanasve”, i shpronësuam dhe do ua kthejmë publikut”
Kryebashkiaku Veliaj shtoi ndër të tjera se në shtator do të jetë plotësisht funksionale edhe Piramida, e cila po ashtu ka hapësira edhe për kulturën dhe artin.
“Për Piramidën do të shfrytëzojmë gjithë verën për ta plotësuar me pajisje teknologjike si servera, kompjutera. Edhe aty do të kemi disa salla të ngjashme. Nëse në fund të këtij misioni, bashkë me Elvën e me bashkëpunimet që kemi nëpër qytet, i lëmë qytetit këtë lloj akupunture, si “Shtëpia Kadare”, “Reja”, “Toptanët”, “Libohovitët”, salla e Akademisë, që pritet të hapet së shpejti, Piramida, Teatri, Galeria, Teatri i Vjetër i Kukullave, them se i kemi dhënë këtij qyteti një pajë që do jetë për gjenerata,” theksoi Veliaj në fjalën e tij.
Ashtu si Qendra e Artit “Agimi”, Bashkia e Tiranës po punon për rijetësimin e kinemave të tjera, ku projekti i radhës është Kinemaja “Maks Velo”, e cila pasi ka kaluar fazën e restaurimit pritet që të kthehet gjithashtu në një hapësirë të re artit në kryeqytet.
Sava Lena