Tabela e numërimit mbrapsht të 100 ditëve para hapjes së Lojërave Aziatike të Hangzhou-t/ foto nga CFP
Më 15 qershor mbeten 100 ditë para hapjes së Lojërave Aziatike të Hangzhou-t. Komiteti organizator i këtyre lojërave njofton se punët përgatitore kanë hyrë në fazën e "sprintit të gjithanshëm" dhe të gjitha komitetet olimpike aziatike po marrin pjesë aktivisht në këtë veprimtari sportive.
Në konferencën e shtypit të zhvilluar të mërkurën nga Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, nënkryetari i komitetit organizator të Lojërave Aziatike të Hangzhou-t, Zhou Jinqiang, bëri të ditur se të 56 stadiumet e pallatet sportive në gjashtë zonat e konkurrimit: Hangzhou, Ningbo, Wenzhou, Jinhua, Shaoxing dhe Huzhou, kanë kaluar fazën e provës dhe janë në gjendje për zhvillimin e veprimtarisë sportive. Edhe sistemi i funksionimit gjatë ndeshjeve e garave është formuar, pas 42 konkurrimeve provë. Në fazën e ardhshme do të zhvillohen edhe 13 ndeshje e gara provë, duke kryer provat e gjithanshme të stresit për organizimin dhe funksionimin e "harduerëve" dhe "softuerëve" të veprimtarisë.
Maskotët e Lojërave Aziatike të Hangzhou-t, Congcong, Lianlian dhe Chenchen/ foto nga CFP
Komitetet olimpike të të gjitha vendeve e rajoneve të Azisë janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë veprimtari dhe shumë prej tyre do të dërgojnë delegacionet më të mëdha të tyre në historinë e këtyre lojërave. Zhou Jinqiang tha se, si vend organizator, edhe Kina do të bëjë të gjitha përpjekjet në lojërat e Hangzhou-t. "Mbi 900 sportistë që përfaqësojnë nivelin më të lartë të Kinës do të konkurrojnë me sportistët e vendeve e rajoneve të tjera aziatike. Këto lojëra në Hangzhou do të jenë një veprimtari 'brenda në shtëpi' për sportistët kinezë dhe gjithashtu do të jenë një provë e përgatitjeve për Lojërat Olimpike të Parisit, prandaj sportistët kinezë do të përpiqen me të gjitha forcat për të shfaqur gjendjen e tyre më të mirë."
Në këtë edicion të Lojërave Aziatike ka 483 ndeshje e gara në 40 disiplina, të cilat përfshijnë jo vetëm pothuajse të gjitha sportet olimpike, por edhe shumë sporte me karakteristika aziatike, si wushu-ja, sepaktakrau, kriketi, kurashi, jujitsu-ja etj., si edhe sporte të reja të parapëlqyera nga të rinjtë, si skatebord, ngjitja sportive, sportet elektronike etj.
Vullnetarët për gjuhë për Lojërat Aziatike të Hangzhou-t/ foto nga CFP
Mësohet se Lojërat Aziatike të Hangzhou-t do të respektojnë me rigorozitet rregullat dhe standardet ndërkombëtare të antidopingut. Gjatë veprimtarisë do të vendosen 53 pika kontrolli të dopingut dhe do të futet në funksionim platforma e administrimit inteligjent të antidopingut, për të ashtuquajturin zhvillim "pa letër" të kontrollit të dopingut.
Krahas emocioneve të ndeshjeve dhe garave, Hangzhou po përpiqet t'u ofrojë sportistëve dhe shikuesve shërbime më të mira. Kryebashkiaku i Hangzhou-ut Yao Gaoyuan tha se në këto lojëra do të krijohet platforma e shërbimeve inteligjente, për shikimin e ndeshjeve, për komunikacion, për gjuhë dhe për ushqime.
Në Lojërat Aziatike të Hangzhou-t do të ketë edhe 50 mijë vullnetarë për ndeshjet e garat dhe 1.42 milionë vullnetarë në qytete, që të krijojnë një mjedis mikpritës dhe të rehatshëm për sportistët e vizitorët.