Pavijoni i birrës nga vendet RCEP në Ekspozitën e Industrisë së Ushqimeve në qytetin Yantai të Kinës Lindore më 2 qershor/ foto nga CFP
Lidhur me hyrjen e gjithanshme në fuqi të Marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) në të 15 vendet nënshkruese, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha se kjo shënon etapën e re të funksionimit të gjithanshëm të zonës së tregtisë së lirë me popullsinë më të madhe, me vëllimin më të madh tregtar dhe me potencialin më të madh në botë.
Në një konferencë të rregullt shtypi të mërkurën, Wang tha se RCEP-i është një arritje historike në integrimin ekonomik të rajonit të Azi-Paqësorit dhe shërben si shembull i gjallë i shfrytëzimit të përbashkët të mundësive të zhvillimit nga vendet e këtij rajoni. Pas zbatimit të kësaj marrëveshjeje, shkëmbimet tregtare ndërmjet vendeve përkatëse janë bërë më të ngushta, tregtia rajonale është bërë faktor kyç për stabilizimin dhe nxitjen e rritjes së tregtisë së jashtme dhe rajoni i Azi-Paqësorit vijon të jetë një destinacion "i nxehtë" i investimeve globale.
Wang vuri në dukje se ulja e taksave doganore, lehtësimi i tregtisë, përmirësimi i tejdukshmërisë së politikave të investimeve, pakësimi i pengesave teknike të tregtisë, të gjitha këto i kanë favorizuar në mënyrë konkrete pjesëmarrësit. "Të marrim si shembull Kinën. Si ekonomia më e madhe në RCEP, në vitin 2022 vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës me vendet të tjera të RCEP-it arriti 12.95 trilionë juanë, duke u shtuar 7.5 për qind në krahasim me vitin 2021. Vëllimi i përdorimit real të investimeve të huaja nga anëtarët e tjerë të RCEP-it arriti në 23.53 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje prej 23.1 për qind."
Hyrja e gjithanshme në fuqi e RCEP-it pasqyron kërkesën e fuqishme e vendeve të rajonit për forcimin e integrimit ekonomik dhe për zhvillimin e përbashkët, theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. "Si përkrahëse e vendosur e lehtësimit dhe liberalizimit të tregtisë dhe pjesëmarrëse e rëndësishme në bashkëpunimin rajonal, pala kineze është e gatshme të përpiqet bashkërisht me palët e tjera për të nxitur zbatimin cilësor të kësaj marrëveshjeje dhe për t'i dhënë hov të ri rimëkëmbjes ekonomike të rajonit dhe të botës," u shpreh ai.