Eksperti i ekonomisë prof. Selami Xhepa komenton rritjen e pagave
2023-06-14 10:18:48


Njeri nga ekspertët më të njohur të ekonomisë, prof. Selami Xhepa në një intervistë për mediat, duke komentuar rritjen e fundit të pagave të autoriteteve të larta të shtetit, ka theksuar se dyfishimet e pagave nuk mund të ndodhin brenda një viti

“Po të pyesësh a ke nevojë të të rritet rroga, nuk besoj se do të ketë njeri që do thoshte jo. Duhet të diskutojmë për pagat në kontekstin e gjendjes ekonomike dhe sociale të Shqipërisë dhe pastaj duke parë ndryshime dhe në kategori të ndryshme shoqërore ku mund të ishin dhe deputetët. Në rastin konkret, ata duhet të ishin të fundit në radhë, si shqetësim shoqëror. Sepse flasim për një periudhë intensive të rritjes së çmimeve që ka filluar që nga viti 2020 dhe në  vazhdimësi. Inflacioni ka gërryer në mënyrë dramatike të ardhurat nominale të qytetarëve. Kështu që nga kjo pikëpamje pritej që të kishim një rritje apo indeksim, një kompensim minimalisht, një kompensim të të ardhurave të munguara qytetarëve, për shkak të rënies së fuqisë blerëse të parasë. Në këtë kuptim ky lloj korrektimi apo mekanizmi korrektues i pagave, duhet të përfshijë të gjitha kategoritë shoqërore, në këtë rast pa dyshim duhet të jenë edhe deputetët”, u shpreh prof. Xhepa

Sipas ekspertit të ekonomisë, reforma të tilla duhet të bëhen në një moment kur ekonomia dhe inflacioni është i stabilizuar.

“Duhet përfshirë që nga pensionistët, të punësuarit në sektorin privat, padyshim edhe në sektorin publik. Por ky është mekanizmi i korrektimit të ruajtjes së fuqisë blerëse të parasë për shkak të inflacionit dhe ky nuk është rasti në fakt me reformën që po ndërmerret tani. Gjatë kësaj periudhe kemi parë që ka patur disa indeksime. Le të marrim disa  grupe shoqërore. Për shembull pensionistët. Pensionet u indeksuan dy herë me 3% dhe me 6% gjë që pati një përpjekje për të bërë një politike të mbrojtjes sociale për këtë kategori shoqërore që nuk janë pak, sepse me skemat e mbrojtjes sociale në Shqipëri përfitojnë gati 750 mijë qytetarë. Kështu që debati pastaj në fushatën elektorale u zhvendos tek një reformë themelore, rrënjësore do thoja unë e strukturës së pagave në të gjithë piramidën e administratës publike. Në administratë ne kemi 10% të të punësuarve, janë gati 140 mijë të punësuar, përfshirë që nga presidenti deri tek nëpunësit e thjeshtë të shtetit.”- tha Xhepa.

 Analiza ekonomike nuk e justifikon këtë lloj reforme kaq të fortë sepse mund të sjellë rritje të inflacionit thotë eksperti.

“Për këtë kategori kryeministri lançoi një iniciativë të reformës që e nisi që në fushatë dhe për pasojë u politizua ndjeshëm, sepse u përdor si instrument politik. Por ajo që i ka munguar kësaj reforme kanë qenë disa gjëra. E para, një studim që të na tregojë mundësitë financiare të buxhetit për ta përballuar, sepse kjo reformë kushton gati 400 milionë euro. Nga do të vijnë 400 milionë euro? Në diskutimet që janë dëgjuar në parlament edhe nga fjalimi i ministres së financave, nuk u dha asnjë argument se nga do të burojnë këto para. Ne sot harxhojmë 800 milionë euro dhe “de fakto” i bie që t’i shtohet ky fond edhe me 50% me 400 milionë euro të tjera. Nga do të vijnë gjithë këto? Ministrja tha nga të ardhurat e shtuara në buxhet, kjo nuk është fjali sepse në ligjin e buxhetit të vitit 2023, ne kemi të parashikuar gati 500 milionë euro shtesë, rreth 62 miliardë lekë më shumë. Tani ky 400 milionëshi është pjesë e kësaj shtese dhe është planifikuar sepse është shpërndarë në sektorë të ekonomisë, në investime, në arsim në shëndetësi etj. Pra i mungonte kjo lloj analize. Mungon dhe morali”, theksoi ai

Eksperti i ekonomisë, prof. Xhepa vijon të ngrej pikëpyetje për fondet që do të përdoren për shtesat e pagave.

“Tingëlloi jo shumë mirë sepse thanë na ikën presidenti dhe s’kemi si ta firmosim, pra i mungon elementi i parë, ana financiare, shëndeti financiar. Ndërsa elementi i dytë, pa asnjë dyshim i mungon morali, sepse nga pikëpamja morale, unë thashë që duhet të bëjmë një analizë të gjendjes sociale dhe  ekonomike të të gjitha shtresave në nevojë. Ne flasim për një shtresë të madhe shoqërore”, vuri në dukje Xhepa

Vëmëndja ndaj pensionistëve, në kohën kur çmimet janë rritur, është primare sipas ekspertit.

“Që ka nevojë për të bërë e thashë, por duhet bërë i studiuar dhe duhet parë gjendja reale social-ekonomike dhe mundësitë financiare që ka vendi për ta realizuar një gjë të tillë. Pa asnjë dyshim këtu fillohet nga ato që janë shtresat më në nevojë. Unë e kuptoj që implikimet financiare për shtresën e pensionistëve mund të jenë shumë të forta, por nga ana tjetër gjendja sociale e kësaj kategorie dhe ata që janë të punësuar e heqin pensionin. Kemi gati 60% të të punësuarve në Shqipëri që deklarojnë sipas INSTAT-it paga mesatare rreth 550 euro, ndërkohë që 550 euro është një nivel jashtëzakonisht i ulët i pagës kur flasim për indeksim. Elementi i pagës në të zezë është në të gjitha ekonomitë, edhe në ekonomitë e tjera të rajonit, pra mundësitë për rritje dhe indeksim pagash në sektorin privat mund të ekzistojnë dhe janë prezentë, por sidoqoftë nuk besoj që fenomeni i punës në të zezë të jetë aq ndikues në të ardhurat reale të qytetarëve, edhe sikur të marrin 100 mijë lekë të vjetra më shumë.”- tha Xhepa.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi muajin e kaluar me 95 vota pro, 3 kundër, asnjë abstenim, projektligjin për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, ku përfshihen edhe funksionarët e lartë shtetërorë, nga presidenti, te kryeministri, ministrat dhe deputetët.