Në këtë vit që Tirana mban titullin “Qyteti Evropian i Sportit”, Shqipëria do të përfaqësohet me 10 atletë me aftësi të veçanta në Lojërat Botërore Olimpike Speciale në Berlin, bën të ditur “ATSH”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti delegacionin që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë kompeticion.
“Jam i sigurt që ju që tani jeni fitues, nuk ka rëndësi se sa medalje do të sjellim nga Berlini, por ajo që ka rëndësi është se sa atletë do të çojmë në Berlin. Janë 10 yje që do të shkëlqejnë dhe unë besoj që do të frymëzojnë dhjetëra, qindra e ndoshta mijëra të tjerë, që do të ndjekin rrugëtimin tuaj, që do të frymëzohen nga historia juaj. Mesazhi që ne duam të japim për të rinjtë me nevoja speciale është që “gjithkush është dikush”. Edhe për ne të gjithë këta të rinj janë dikush dhe janë shumë të rëndësishëm për qytetin tonë”,- tha Veliaj.
Ai shtoi se edhe ekipi shqiptar olimpik i Lojërave Speciale, është po aq i rëndësishëm sa ekipi i Lojërave Olimpike.
“Ekipi ynë që shkon në Berlin këtë vit është po aq i rëndësishëm sa ekipi që do të shkojë në Paris në 2024-n për të thyer rekordet atje. Kështu që, do të doja shumë që teksa përgatitemi për këtë standard të ri, të mendojmë për një standard më të lartë. Kemi kapur një majë mali, por çdo majë mali është rrëza e një mali tjetër, që është edhe më i lartë. E filluam me 2, jemi te 10, tani duhet të mendojmë që kur të vijnë lojërat e tjera, të kemi jo 10, por 20, 30 atletë”,- përfundoi Veliaj.
Roland Hysi, drejtor i projektit “Special Olympics Albania”, falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen.
“Në 2019-n, Shqipëria përfaqësohej nga një delegacion prej 6 vetash, ku 2 ishin atletë që garonin në 2 disiplina, not dhe atletikë. Ndërkohë kemi një 5-fishim të këtij delegacioni dhe duhet thënë që kjo ka qenë një mbështetje e vazhdueshme dhe e qëndrueshme e kryetarit të bashkisë”,- tha Hysi. (Elona)