Stërvitja e ekipit argjentinas të futbollit para ndeshjes me ekipit australian më 13 qershor 2023/ foto nga CFP
Ditët e fundit, lajmi i ardhjes së Lionel Messi-t për ndeshje në Kinë është bërë fokusi në mediat sociale kineze. Nga aeroporti deri në hotel e fushën e stërvitjes, ai dhe anëtarët e tjerë të ekipit u pritën ngrohtësisht nga tifozët kinezë, ndërsa biletat e ndeshjes së të enjtes ndërmjet Argjentinës dhe Australisë u shitën "brenda sekondës".
Kjo vizitë në Kinë është e para jashtë vendit e ekipit kombëtar të futbollit për meshkuj të Argjentinës pas fitimit të Kupës së Botës "Katar 2022" dhe gjithashtu vizita e 7-të në Kinë e "Mbretit të futbollit" të Argjentinës. Sipas një gazetari argjentinas në këtë delegacion, ai u habit shumë nga entuziazmi i jashtëzakonshëm i tifozëve kinezë.
Në fakt, kjo nuk është ndonjë gjë e çuditshme, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Kinezëve u pëlqen futbolli dhe veçanërisht ekipi i Argjentinës. Ata admirojnë nga zemra mjeshtërinë e Messi-t, si dhe shpirtin e tij të mosdorëheqjes. Ndërkohë, edhe Kina mund të quhet "vend me fat" për ekipin argjentinas. Në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, ky ekip, me Messi-n në krye, fitoi medaljen e artë.
Një tifoz kinez i Mess-it/ foto nga CFP
"Pse Messi mirëpritet aq shumë në Kinë? Sepse Kina dhe Argjentina kanë miqësi të thellë," theksohet në komentin e CMG-së. Si vend i madh i Amerikës Latine, Argjentina gjendet shumë larg nga Kina, por "largësia e madhe nuk ndan synimin e tyre të përbashkët". Edhe para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve në vitin 1972, Kina dhe Argjentina kishin pasur shkëmbime e kontakte popullore. Pas vitit 1972, të dyja këto vende të mëdha në zhvillim, që kanë mbështetur njëra-tjetrën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të tërësisë territoriale dhe kanë pasur synime të përbashkëta në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe në përmirësimin e jetesës së popullit, janë afruar gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën.
Veçanërisht gjatë 10 vjetëve të fundit, Kina dhe Argjentina kanë nxitur bashkërisht bashkëpunimin në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë" dhe kanë përballuar bashkërisht epideminë e COVID-19, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet tyre janë ngritur në partneritetin e gjithanshëm strategjik. Sot mishi i gjedhit, karkalecat e detit, vera, mjalti dhe boronica argjentinase gjenden në tryezën e kinezëve, ndërkohë që hidrocentrali i ndërtuar nga kompania kineze ka favorizuar banorët argjentinas. Nga të gjitha këto nuk është e vështirë të kuptohet se ekipi argjentinas nuk e zgjodhi rastësisht Kinën për debutimin e vet pas shpalljes kampion bote për herë të tretë.
Tifozët kinezë të ekipit argjentinas të futbollit/ foto nga CFP
Gjatë zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Argjentinë, shkëmbimet njerëzore kanë shërbyer si urë midis dy popujve, komenton CMG-ja, duke marrë si shembull futbollin. Në vitet '90 të shekullit të kaluar, ylli i famshëm i atëhershëm i Argjentinës Diego Armando Maradona e vizitoi disa herë Kinën dhe, në krye të ekipit të të rinjve të "Boca"-s, mori pjesë në dy ndeshje futbolli përkatësisht në Pekin dhe Chengdu, duke u shfaqur tifozëve kinezë forcën tërheqëse të futbollit. Ndërsa shtatë vizitat e Messi-t në Kinë trashëgojnë miqësinë ndërmjet dy vendeve në futboll.
Në vitin 2022, presidenti i Argjentinës Alberto Fernández ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe bëri vizitë në Kinë. Në deklaratën e përbashkët ndërmjet Kinës dhe Argjentinës me këtë rast, flitet për nxitjen e vazhdueshme të shkëmbimeve e të bashkëpunimit në fushën kulturore, arsimore, turistike dhe sportive ndërmjet të dy palëve. Për palën kineze, ardhja e ekipit kombëtar të futbollit të Argjentinës është një rast i çmuar shkëmbimesh, ndërsa Messi, si yll i futbollit botëror, u ka sjellë tifozëve kinezë jo vetëm gëzim, por do të nxitë më tej shkëmbimet e bashkëpunimin sportiv e kulturor ndërmjet të dy vendeve dhe do të shtojë njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dy popujve, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)