Edison Selmani dhe pasioni për skulpturën
2023-06-13 10:22:01

CMG:  Kur ka nisur për ty skulptura të gdhendet si pasion?

Edison Selmani: Skulptura ka filluar që në fillore, si fëmijë që në 8 vjeçare nëpërmjet vizatimeve të ndryshme në klasë tregon se ka diçka më shumë. Aty më ka ndjekur mësuesi përkatës. Unë ne fillim e kam nisur si piktor sepse piktura më pëlqente tepër, por me kalimin e viteve provova edhe skulpturën.

Ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës sime kur kuptova që mund të realizoja gjëra aq të mëdha.

E kam nisur me gjëra të thjeshta, të cilat më kanë marrë shumë kohë në fillim, ndërsa tani prodhoj edhe gjëra në masë. Ndihem tepër i privilegjuar që e kam pasur këtë mundësi në jetën time, për të cilen nuk do doja kurrë ta humbisja sërish.

CMG: Pse sërish, ti je larguar njëherë nga ky profesion?

Edison Selmani: Po kam pasur momente delikate në jetën time, unë jam larguar në çastet kur nuk po e gjeja veten këtu dhe ndërtova pritshmëri për në emigrim.

Ishte një periudhë e vështirë, që më dërgoi mua drejt Anglisë. Ditët e para ishin shumë të vështira, nuk arrija të përmbyllja dot asgjë nga ato ëndrra që i kisha thurrur vetes.

E gjeta veten shumë keq duke u penduar për hapin që kisha bërë. Isha larguar nga vendi që doja me shumë , nga familja ime e bukur dhe e shoh veten në mes të katër rrugëve. Emigracioni nuk është diçka e bukur dhe nëse dëshiron të kesh sukses këtë gjë mund ta arrish vetëm në vendin tënd .

CMG: Si e more vendimin për t’u kthyer sërish në atdhe?

Edison Selmani: Ka qenë një moment shumë i shpejtë dhe shumë delikat njëkohësisht. Isha duke punuar me shumë vrull dhe lodhje dhe e kap veten në trishtimin tim më te madh.

Në çast i drejtoj vetes vetëm një pyetje "Çfarë bëj unë këtu?”, " Pse jam unë këtu? "Në ato çaste shkova në ambasadë për të kërkuar të largohem, preva biletën dhe për tre ditë mbërrita në familjen time. Isha sërish në vendin që mua më jepte me shumë dashuri dhe mirësi.

CMG: Si u ndjeve kur pas shumë vitesh takove prindërit?

Edison Selmani: Familja është gjithçka që ne kemi dhe është shumë normale që të ndihesh i lumtur. Unë kujtoj çastin kur pashë babain tim ,një zotëri i nderuar, që pak kush e arrin shpirtin e tij dhe bukurinë qe përcjell. Më kanë edukuar me forcën e argumentit dhe të dashamirësisë për jetën dhe unë e kam respektuar këtë gjë deri në fund. Falë tyre jam ky që jam .

CMG: Ke arritur që të bësh një skulpturë me tiparet e nënës ?

Edison Selmani: Po kam bërë, por nëna ime është shumë herë më e bukur se çdo grua tjetër. Është  punë e imja dhe më duket sikur nuk do të mundem dot të arrij të realizoj një gjë aq të bukur sa ajo.

CMG:  Ku e sheh veten në të ardhmen ?

Edison Selmani: Di vetëm që nuk do të mund të shkëputem në kurrë nga skulptura. E bëra vetëm ne një moment që nuk e dija lidhjen që kisha me të dhe me bukurinë dhe madhështinë e saj. Ndërsa tani kurrësesi s'do të largohesha dot prej saj. Dua të merrem intensivisht me skulpturën.

CMG: A ke një mesazh për të  rinjtë të cilët zgjedhin të ikin nga vendi i tyre, duke ndërprerë ëndrrat në mes?

Edison Selmani: Mos e bëni, pasi një ditë do të pendoheni njësoj si unë. Unë kam humbur kohën time që është edhe më e rëndëishmja.Koha është flori dhe duhet vlerësuar në maksimumin e saj.

Nëse unë një ditë do e ktheja kohën pas nuk do e humbisja kohën në emigracion, por do investoja në Shqipërinë time të bukur, aty ku kam rrënjët dhe familjen time.

CMG: A mund të na e përkufizosh skulpturën?

Edison Selmani: Pasion që më jep jetë, jam i rrethuar nga ndjenja të forta emocioni kur jami ulur për të punuar me skulpturën.

Intervistoi: Megi Latifi.