Konferenca Globale e Talenteve të Reja për vitin 2023 në Chengdu të Kinës Jugperëndimore/ foto nga CCG
Ditët e fundit u zhvillua në qytetin Chengdu të Kinës Konferenca Globale e Talenteve të Reja për vitin 2023, e organizuar nga Qendra për Kinën dhe Globalizimin (CCG). Shumë përfaqësues të rinj të dalluar të qarqeve të ndryshme, titullarë diplomatikë në Kinë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, studiues të njohur dhe drejtues të kompanive shumëkombëshe nga më shumë se dhjetë vende morën pjesë në këtë konferencë, duke zhvilluar shkëmbime mendimesh mbi tema si kontaktet e jashtme, krijimi i imazhit të qytetit, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe ndërtimi i parqeve urbane në kuadrin e organizimit të veprimtarisë së madhe sportive.
Në korrikun e sivjetshëm në Chengdu do të zhvillohet Universiada e 31-të Botërore Verore. Nëpërmjet kësaj veprimtarie sportive ndërkombëtare do të paraqitet imazhi i Chengdu-së si një qytet i famshëm historik e kulturor i hapur, e gjallë, përfshirës e me zhvillim të gjelbër. Qytetet e ndërkombëtarizuara kanë luajtur rol të rëndësishëm në nxitjen e miqësisë ndërmjet njerëzve. Chengdu, si një qytet model në nxitjen e zhvillimit të gjelbër, ka tërhequr gjithnjë e më shumë të rinj të qendrojnë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre këtu.
Suvenierë në imazhin e pandës gjigante për Universiadën Botërore Verore të Chengdu-s / foto nga CCG
Drejtori i CCG-së Wang Huiyao është i mendimit se organizimi i veprimtarive të mëdha sportive ndërkombëtare është një nga rrugët dhe simbolet e ndërkombëtarizimit të një qyteti. Zhvillimi normal i Universiadës Botërore në Chengdu do t'i paraqitë botës pamjen e re të këtij qyteti me mjedis të mirë si park dhe të përshtatshëm për banim, do të forcojë shkëmbimet e lidhjet ndërmjet Chengdu-së e botës dhe do ta ngrejë nivelin e ndërkombëtarizimit të qytetit. Ai tha se, si një nga qytetet e para të famshme historike e kulturore të Kinës, Chengdu ka pasur arritje të mëdha për sa i përket së ashtuquajturës "fuqi e butë" dhe diversifikimi i ka sjellë qytetit epërsi demografike dhe talentesh. Wang Huiyao shprehu besimin se nëpërmjet kësaj universiade që do të shërbejë si një dritare, universitarët nga mbarë bota do ta njohin dhe mirëkuptojnë më mirë Kinën.
Ish-zv.ministri i Departamentit të Lidhjeve me Jashtë të KQ të PKK-së Yu Hongjun vuri në dukje se, si qytet me histori të lashtë e kulturë të thellë, Chengdu është bërë qendra e pjesës jugperëndimore të Kinës gjatë katër dekadave të fundit pas Reformës e Hapjes dhe, me ndërkombëtarizimin e mëtejshëm, ky qytet është shndërruar në një metropol modern dhe të hapur. Zhvillimi me sukses i Universiadës Botërore në Chengdu do ta ngrejë më tej nivelin e shkëmbimeve të këtij qyteti me botën e jashtme e do të jetë në ndihmë të ndërveprimit midis qytetërimit kinez e qytetërimeve botërore.
Pjesëmarrës në Konferencën Globale e Talenteve të Reja për vitin 2023 / foto nga CCG
Përfaqësuesja për Kinën e Zyrës së Grave të OKB-së Smriti Aryal tha se gratë kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe të qytetit, ndërsa të rejat kanë mençuri dhe potencial të japin kontribut për zhvillimin e vazhdueshëm të qytetit. Zyra e Grave e OKB-së ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me Chengdu-në. Në të ardhmen të dyja palët do të përpiqen të krijojnë qendrën e talenteve dhe klubin e sipërmarrëseve, që të kultivojnë talente femra për ekonominë e re. Aryal shprehu besimin se Zyra e Grave e OKB-së do të forcojë më tej partneritetin me Chengdu-në dhe do të shtojë bashkëpunimin me këtë qytet në të ardhmen.
Këshilltari i lartë i zyrës në Kinë të Organizatës së Bashkëpunimit dhe të Zhvillimit Ekonomik Tamas Hajba shprehu mendimin e tij rreth rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Sipas tij, gjatë disa dekadave të fundit, Chengdu-ja ka pasur një zhvillim shumë të mirë ekonomik e shoqëror, duke arritur përparime të mëdha në fushën e shërbimeve e të financave dhe rezultate të spikatura në arsimimin e në përgatitjen e talenteve. Të rinjtë janë udhëheqësit e së ardhmes, tha ai, duke shprehur shpresën se ata do të përpiqen për vetëpërmirësim dhe do të këmbëngulin në krijimin e një të ardhmeje më të lulëzuar, më të barabartë dhe më të qëndrueshme. (Wang Lei/ Artan)