Foto nga VCG
Sprinteri më i mirë i Kinës, Su Bingtian, njoftoi të hënën tërheqjen e tij nga sezoni 2023.
Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në mediet sociale, rekordmeni aktual aziatik i 100 metrave për meshkuj zbuloi se ai vendosi të braktisë Kampionatin Botëror të Atletikës dhe Lojërat Aziatike të Hangzhou të këtij viti dhe t'i japë fund para kohe sezonit 2023 për arsye fizike, shkruan “Xinhua”.
“Si një sprinter 34-vjeçar, dëmtimet e akumuluara ndër vite dhe rënia e kushteve fizike pas pandemisë kanë sjellë vështirësi në përgatitjet e mia këtë vit. Ekipi im ka kryer një sërë ekzaminimesh dhe testesh për mua dhe në mënyrë aktive ka kërkuar këshilla nga burime të ndryshme. Për të zgjatur karrierën time, më duhet të heq dorë nga garat e këtij viti për të pushuar e për të rimarrë veten. Por, nuk do të ndalem së ndjekuri ëndrrat e mia. Do të vazhdoj të rikuperohem në mënyrë aktive dhe të përgatitem plotësisht për Olimpiadën Paris 2024”,- shkroi Su.
Su ishte kinezi i parë që vrapoi 100 metra në më pak se 10 sekonda në vitin 2015, i ndjekur nga Xie Zhenye në vitin 2018. Me një kohë 9.83 sekondash në garën 100 metra, ai është njeriu i pestë më i shpejtë i të gjitha kohërave në Lojërat Olimpike. (Fatosi)