Kina synon të formojë megatregun e integruar me hapje të plotë
2023-06-13 18:22:07

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në botën e sotme, burimi më i rrallë i zhvillimit është tregu. Kina, si ekonomia e 2-të më e madhe e botës dhe tregu i 2-të më i madh i konsumit në botë, i kushton rëndësi të madhe ndërtimit të një megatregu të integruar në të gjitha krahinat e saj.


Mbështetje e vazhdueshme

Në Kongresin e 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës u propozua që të eliminohen rregullat dhe masat që pengojnë integrimin e tregut dhe konkurrencën e barabartë. Në plenumin e 4-t të Komitetit të 19-të Qendror të PKK-së u kërkua që të plotësohet më tej sistemi i konkurrencës së barabartë dhe të zbatohet në mënyrë të plotë sistemi i listës negative për hyrjen në treg.

 

Në fund të vitit 2021, kur u zhvillua mbledhja për thellimin e gjithanshëm të reformës, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping theksoi që “për formimin e modelit të ri të zhvillimit dhe për nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë, duhet të ndërtohet shpejt megatregu i integruar në mbarë vendin me efektivitet të lartë, rregulla të qarta, konkurrencë të barabartë dhe hapje të plotë”. Nga dokumenti “Këshillat për ndërtimin e shpejtë të megatregut të integruar në mbarë vendin”, i miratuar dhe i publikuar në vitin 2022, deri në projektin e përgjithshëm dhe masat konkrete të diskutuara në mbledhjen e Këshillit të Shtetit të zhvilluar në maj 2023, mund të shohim që Kina po përshpejton hapat e saj në ndërtimin e një megatregu të integruar. Ky është një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë që duan të futen në tregun kinez.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sistemi i përmirësuar për hyrje në treg

Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Li Chunlin, u shpreh: “Qysh prej publikimit të dokumentit shtetëror për ndërtimin e megatregut, sektorët e krahinave të ndryshme të Kinës kanë zbatuar në mënyrë të vendosur detyrat kryesore”.

 

Sistemi i hyrjes në treg është një ndër sistemet bazë të ekonomisë socialiste të tregut dhe një sistem i integruar për hyrjen në treg është një detyrë e rëndësishme për ndërtimin e një megatregu kombëtar në Kinë. Li Chunlin u shpreh se, që prej vitit 2018, kur u publikua versioni i parë i listës negative për hyrjen e investimeve të huaja, sistemi i menaxhimit për hyrjen në treg është në përmirësim të pandërprerë dhe janë hequr më tej pengesat që kufizojnë orientimin nga tregu të faktorëve të prodhimit dhe qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Megatreg me hapje për tërë botën 

Në një konferencë shtypi nga Këshilli i Shtetit, u theksua që megatregu i integruar është një treg me hapje të plotë për tërë botën. Drejtori i departamentit të sistemit të tregut në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Zhou Qiang bëri të ditur që, vitet e fundit, Kina ka përshpejtuar ndërtimin e megatregut të integruar me ndërlidhjen e burimeve lokale dhe ndërkombëtare, të zonave urbane  e rurale dhe prodhimit e shitjes së mallrave.

 

Me publikimin dhe zbatimin e ligjit të investimeve të huaja, janë eliminuar ose rregulluar mbi 500 rregulla e dokumente administrative dhe pikat e listës negative për investimet e huaja janë pakësuar nga 93 më 2017 në 31 vitin e kaluar.

 

Krahas kësaj, është nxitur integrimi i tregtisë së brendshme dhe tregtisë së jashtme, si edhe ndërthurja e standardeve dhe e sistemeve përkatëse. Në nëntë krahina, si Zhejiang-u, janë bërë eksperimentet e integrimit të tregtisë së brendshme dhe të jashtme, duke nxitur integrimin e sistemit mbikëqyrës ligjor, standardizimin e qarkullimit tregtar të sektorit të shërbimeve, si edhe hartimin e kontratave elektronike dhe të standardeve mbi tregtimin  elektronik të produkteve të freskëta. Kjo ka nxitur integrimin e standardeve vendase me ato ndërkombëtare.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Masa mbështetëse për investimet e huaja

Investimet e huaja janë një pjesë e pamungueshme në megatregun e integruar. Për të tërhequr më shumë investime nga jashtë dhe për t’i shfrytëzuar më mirë këto investime, Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi që do të marrë masa konkrete.

 

Drejtori i departamentit për sistemin e tregut në Ministrinë e Tregtisë të Kinës, Zhou Qiang, u shpreh që në këtë drejtim, do të ndërmerren katër masa kryesore.

 

Së pari, do të zgjerohet vazhdimisht hyrja në treg. Do të shkurtohet në mënyrë të arsyeshme lista negative për investimet e huaja dhe do të hiqen ose lehtësohen më tej kufizimet ndaj investimeve të huaja. Do të shfrytëzohet roli pilot dhe drejtues i zonave të tregtisë së lirë në krahinat përkatëse dhe i portit të tregtisë së lirë të Hainan-it, si edhe i zonave kombëtare për zgjerimin e hapjes në sektorin e shërbimeve dhe zonave kombëtare për ekonominë dhe teknologjinë.

 

Së dyti, do të shtohet nxitja e investimeve. P. sh., do të zhvillohen aktivitetet e tërheqjes së investimeve të huaja, si “Viti i investimeve në Kinë”, çka mund të stimulojë tërheqjen e saktë të investimeve nga jashtë. Ndërkohë, në bazë të ekspozitave tregtare dhe mekanizmave stimulues, do të zhvillohen aktivitetet tregtare të “daljes jashtë vendit” dhe “tërheqjes nga jashtë vendit”.

 

Së treti, do të përmirësohen shërbimet për ndërmarrjet me investime të huaja. Do të  thellohen shkëmbimet me ndërmarrjet e huaja e dhomat e huaja të tregtisë dhe do të ngrihet saktësia dhe efektiviteti i shërbimeve përkatëse. Do të koordinohen ose do të zgjidhen në kohë problemet që ekzistojnë në menaxhimin e bizneseve dhe ndërtimin e projekteve. Do të nxitet gjithashtu nisja e shpejtë e projekteve të huaja simbolike dhe do të mbështetet zhvillimi i mbarë i ndërmarrjeve të huaja që kanë filluar biznesin në tregun kinez.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Së katërti, do të krijohet një mjedis me nivel të lartë ndërkombëtarizimi për bizneset e huaja. Do të zbatohet thellësisht ligji i investimeve të huaja dhe rregullat përkatëse, do të vihet në jetë trajtimi kombëtar për ndërmarrjet e huaja, do të garantohet pjesëmarrja e barabartë e ndërmarrjeve të huaja në prokurimet qeveritare e tendera  dhe në caktimin e standardeve përkatëse. Krahas këtyre, do të forcohet mbrojtja e të drejtave të ligjshme të investimeve të huaja dhe do të krijohet një mjedis biznesit me orientim nga tregu, sundim ligji dhe ndërkombëtarizim.

 

Siç mësohet, në bazë të këtyre masave, Ministria e Tregtisë e Kinës do të nxitë edhe hapjen sistemore. Në të ardhmen, Kina do të forcojë integrimin e sistemeve e të rregullave dhe do të shtojë aftësinë e shfrytëzimit të tregut vendas dhe tregut ndërkombëtar. Me nxitjen e zhvillimit të mekanizmit të bashkëpunimit në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, Deltën e Lumit Jance dhe Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao, do të shpejtohet zhvillimi me cilësi të lartë i tregtisë elektronike ndërkufitare, si edhe i modeleve të reja tregtare.(Jiang Lei)