INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në kryeqytet ka shënuar rënie të ndjeshme
2023-06-12 16:36:22

Ndertime në periferi (Foto shqiptarja. com)

Ndertime në periferi (Foto shqiptarja. com)

Pas një rritjeje të ndjeshme në katër vitet e fundit, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në kryeqytet ka shënuar rënie të ndjeshme në tre muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2023, sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet ishte rreth 200 mijë metra katrorë, me një rënie prej 75% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u dha një nivel rekord prej rreth 800 mijë metra katrorë. Sipërfaqja e dhënë jo vetëm ka rënë ndjeshëm në krahasim me tremujorin e parë 2022, por është dhe niveli më i ulët në 5 vjet, që nga 2018-a.

Në linjë me ecurinë e kryeqytetit ka rënë dhe sipërfaqja e lejeve të dhëna në të gjithë vendin. Sipas INSTAT, në vend, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2023 është ulur me 59,7%.

Erjon Harizi (Foto Klan tv)

Erjon Harizi (Foto Klan tv)

Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve Erjon Harizi në një intervistë për mediat  thotë se kjo lidhet me disa faktorë

“Si trend kohët e fundit është që shumë njerëz, biznese, ndërtues, po mundohen të zhvillojnë biznesin e tyre në zonat periferike të Tiranës. Në këto zona ndërtohen godina të ulëta, që janë kryesisht vila apo me lartësi tre katëshe dhe kanë intensitet shumë më të vogël në krahasim me Tiranën. Ky është faktori i parë që janë zvogëluar sipërfaqet e ndërtimit. Si faktor i dytë do thoja që vitin e kaluar apo dy vitet e fundit ka patur shumë leje të komplekseve për efekt të tërmetit. Duke qenë se në një parcelë të caktuar toke janë ndërtuar godina me shumë kate, ka bërë që vitin e kaluar të ketë më shumë sipërfaqe të ndërtuara. Gjithashtu nuk duhet të anashkalojmë efektin elektoral që pati ky vit. Edhe trendi i sipërfaqes së ndërtimit, në 6 mujorin e dytë do jetë i barabartë me 6 mujorin e vitit e kaluar ose më tepër”- thotë Harizi

I pyetur për ecurinë e ndërtimeve, Harizi thotë se kërkesat janë të larta dhe sektori po i përgjigjet nevojave të tregut.

“Po ta analizosh të gjithë sektorin imobiliar është e vështirë apo e pamundur të gjesh një shtëpi të mbaruar me hipotekë. Të mbaruara janë shumë pak apartamente në gjendje për t’u shitur. Unë përfitoj nga rasti të përmend që ka shumë kërkesa nga çiftet e reja që kanë marrë kreditë e buta dhe për ne t’u sigurojmë apartament të vogël të mbaruar që të ketë pronësinë hipotekore. Ana e dytë është që të shikosh nivelin e qiramarrësit apo qiradhënës në Tiranë ka pësuar një rritje drastike dhe sot në Tiranë ka akoma kërkesë për shtëpi të dhëna me qira. Mendoj që edhe në vitet në vazhdim tregu i ndërtimit do të jetë në rritje. Është tregu i ndërtimit i lirë, nuk është monopol, ka ndërtime pa fund, ka sipërfaqe pa fund. Çmimi në fund nuk është i diktueshëm, çmimin e vendos tregu dhe nuk besoj se tregu nuk është vetëm në Shqipëri. Në rajon dhe në Kosovë ndërtohet më shumë se në Tiranë, në përqindje me popullatën, në Mal të Zi po ashtu, trendi i rritjes është kudo, është i pashmangshëm. Besoj se me këtë treg do vazhdohet edhe me Tiranën”, theksoi ai.

Ndertime (Foto Shqiptarja.com)

Ndertime (Foto Shqiptarja.com)

Në kryeqytet kantieret janë të hapura në disa zona.

“Sot Tirana po zhvillohet dhe për pallate shumëkatëshe është zona e Bulevardit të ri, apo Unazës së re. Për zona rezidenciale është zona nga Sauku deri në Teg, përreth Liqenit të Farkës dhe godinat që e rrethojnë atë zonë. Ky është trendi tani për vila të një cilësie më të mirë. Tirana është e rrethuar gjithandej me kodra të bukura dhe nuk është për t’u neglizhuar Kashari, Baldushku, apo Arbana, deri në kufi me Elbasanin. Kjo  është vërtetë një zonë shumë e bukur për të bërë rezidenca”

Rritja e çmimeve lidhet edhe me cilësinë në rritje të ndërtimeve.

“Pas tërmetit vetë ndërtuesit janë ndërgjegjësuar për sa i përket cilësisë së apartamenteve. Sot në Shqipëri është një fatkeqësi që kushtet teknike të projektimit janë të vitit 1979. Nuk janë përditësuar kushtet e reja të ndërtimit apo projektimit në Shqipëri, por është pranuar Eurokodi 2 dhe 8 nga institucionet shqiptare. Jemi me të njëjtin standard si në gjithë Evropën për sa i përket konstruksionit. Ka vend për përmirësim, po të shikosh objektet e 7 apo 8 viteve të fundit, as nuk krahasohen me objektet e bëra më përpara, janë futur shumë inovacione. Sistemi kapot dhe shumë të tjera, veprat e mëdha publike, hotele, stadium si dhe kanë punuar projektues të huaj me famë botërore. Është tjetër qasje me cilësinë dhe blerësi nuk është më si dikur që të marrë një shtëpi sa për të futur kokën. Sot janë të zgjuar, dinë çfarë duan apo çfarë kërkojnë, kemi të bëjmë me një sërë individësh të rregullojnë dhe mënyrën dhe cilësinë e jetesës me banesën që do blejnë. Kjo ka sjellë edhe koston për metër katror.”

Gjatë vitit 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vend arriti në një nivel rekord, e ndikuar nga kryeqyteti. Sipas statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katrorë. Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat e detajuara sipas qarqeve.