Ndue Shabaku
Ndue Shabaku ka mbaruar studimet për gjuhë-letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe për disa vite ka ushtruar profesionin e mësuesit në shkollat e vendlindjes së tij, Mirditë. Ai u largua nga vendlindja rreth vitit 2000 në emigracion bashkë me familjen e tij në Itali. Gjatë këtyre viteve në emigrim Ndue Shabaku ka kontribuar në hapjen e shkollave të gjuhës shqipe në vendin fqinj si dhe është pjesë e disa organizatave shqiptare në Itali. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për eksperiencën arsim, largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Itali.
Ndue Shabaku me bashkeshorten
CMG: Aktualisht jetoni në Itali por para shumë vitesh në Shqipëri keni punuar si mësues. Si i kujtoni vitet tuaja në arsim?
Ndue Shabaku: Unë kam mbaruar Normalen e Elbasanit dhe më pas kam vazhduar studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në degën gjuhë-letërsi. Prej disa vitesh në vendlindje kam ushtruar profesionin e mësuesit, duke ju mësuar nxënësve gjuhën tonë, letërsinë dhe kuptohet që kam qenë edhe një edukator për brezin e ri. Këto kanë qenë vite me të vërtetë të bukura për mua dhe i mbaj gjithmonë si një kujtim dhe një pikë në zemër.
CMG: Ka qenë i vështirë vendimi për t’u larguar nga Shqipëria në emigracion?
Ndue Shabaku: Kjo gjithmonë ngelet një dilemë që bëra mirë apo nuk bëra mirë që ika nga vendlindja. Sidoqoftë ndryshimet demografike, politike dhe ato ekonomike që ndodhën pas vitit 2000 kanë lënë shenja tek shumë njerëz. Në një moment vlerësimi im ka qenë që të kërkoj një mbështetje për një përfitim ekonomik dhe më në fund kjo u bë edhe një shtysë që unë të mbetem në emigracion.
Ndue Shabaku gjate nje veprimtarie ne Itali
CMG: Si ishin momentet e para të integrimit tuaj në Itali?
Ndue Shabaku: Asnjë në emigracion pa kaluar një situatë të vështirë nuk mund ta kalojë. Kuptohet që fillimi ka qenë me të vërtetë i vështirë nga pikëpamja e stabilizimit, të gjetjes së punës, gjetja e një strehimi apo e një vendi për t’u ushqyer, mundësitë për të pasur një veprimtari për të siguruar jetën. Këto gjëra erdhën dhe kuptohet që ka meritat e veta edhe populli mikëpritës italian që ka pritur shumë shqiptarë. Me ardhjen e familjes shtohen dhe vështirësitë, por në fund arrihet njëfarë qetësie dhe më në fund kemi arritur njëfarë normaliteti, ku përveç punëve për të siguruar jetesën ose për nevojat utilitare, të kemi edhe një shtysë për të dhënë diçka më tepër për nga ana shpirtërore për njerëzit.
CMG: Ju nuk u shkëputët nga mësimdhënia sepse edhe në Itali i mësoni gjuhën shqipe fëmijëve të emigrantëve.
Ndue Shabaku: Kjo është një sfidë që pothuaj gjithë lëvizja kulturore dhe shoqërore në Itali i ka vënë vetes dhe i ka përballuar me sukses, duke hapur shumë shkolla dhe sidomos në Italinë e veriut. Mund të them se vetëm gjatë dy muajve të fundit janë hapur pesë shkolla, një në Romë dhe katër të tjera në veri të Italisë. Kjo tregon që dëshira apo këmbëngulja për të punuar me vullnet në këtë drejtim është stimuluese për të gjithë ata që kanë punuar në arsim.
CMG: Keni nostalgji për vitet e punës tuaj në arsim në Shqipëri dhe a mbani akoma kontakte me ish nxënësit tuaj?
Ndue Shabaku: Unë kam një numër jo shumë të madh miqsh në Facebook, por shumica prej tyre janë ish nxënësit e mi dhe nuk ka kënaqësi më të madhe, ndërsa si ndjesi do të thoja vetëm një fakt të vogël. Pas tre vite e gjysmë u shmanga nga rruga kryesore dhe shkova tek rruga që të çon në hyrje të shkollës dhe më dukej sikur kisha kaluar dje, me aq emocion e përjetova atë moment. Ne nuk mund të shkëputemi kurrë nga ajo eksperiencë që kemi pasur.
Ndue Shabaku gjate nje emisioni ne Itali
CMG: Flasim për krijimtarinë tuaj letrare sepse prej vitesh punoni si redaktor i botimeve të ndryshme letrare. Si ka qenë kjo veprimtari e juaja në këtë fushë?
Ndue Shabaku: Unë dua të them se janë shumë persona që e injorojnë komunikimin përmes platformave që kanë dalë në internet dhe kryesisht Facebook. Kjo është një gjë ku gjithëkush shfaq atë që ka, shfaq karakterin, aftësitë, merr dhe jep komunikimin. Përmes komunikimit në Facebook kam njohur disa nga shkrimtarët dhe poetët e kohës së sotme dhe gjatë komunikimeve dhe komenteve kam arritur që të kem një bashkëpunim të frytshëm dhe shumë të mirë me shumë prej autorëve të sotëm. Gjithashtu kam dhe një veprimtari modeste në redaktimin dhe sidomos në korrektimin gjuhësor të shumë librave në poezi dhe prozë. Kam shkruar në mënyrën time edhe parathënie, kam shkruar disa reçensione dhe disa opinione. Këto i kam përmbledhur në një libër dhe nuk kam shkruar shumë, por këtë e ruaj si një kujtim të bukur të jetës sime.
CMG: Vini shpesh për të vizituar vendlindjen dhe për çfarë ju merr malli më shumë kur jeni larg?
Ndue Shabaku: Dashuria për vendlindjen është e natyrshme dhe këtë e ndjen, edhe nëse nuk e shpreh brenda e ndjen. Unë Shqipërinë e vizitoj shpesh dhe pothuajse çdo vit kam ardhur për t’u takuar me njerëzit dhe është një kujtim i përmallshëm dhe emocion sa herë që vij në Shqipëri.
Ndue Shabaku gjate nje aktiviteti
CMG: Prej vitesh jeni pjesë e disa organizatave në Itali, ku mbani dhe pozicionin e informuesit. Cilat kanë qenë veprimtaritë e këtyre organizatave?
Ndue Shabaku: Unë dua të përmend një fakt, që në shkurt të vitit 2015 u ideua nga regjisorja nga Tirana Valbona Xibri një veprimtari ku do të mblidheshin shumë prej aktivistëve, artistëve dhe njerëz që kanë njëfarë reputacioni në emigracion. Bashkëpunuan Petrit Aliaj, Skënder Lazaj, Lumturi Plaku, Tonin Nikolli dhe shumë të tjerë. Në këtë event, i cili u pagëzua “Arti në lëvizje”: u mblodhën mbi 200 persona që erdhën jo vetëm nga Italia por edhe nga vende të tjera që kemi këtu afër siç janë Zvicra, Austria dhe Gjermania, por dhe nga Greqia dhe kjo na emocionoi shumë. Ky ishte një manifestim me të vërtetë i bukur i artit dhe njohëm shumë artistë, u kuptuam shumë mirë me njëri- tjetrin. Kuptuam se zjarri që secili kishte brenda po të bashkohet do të bëhet një zjarr i madh dhe si i tillë ky u bë një injeksion besimesh se puna e vullnetshme bën që ne të shpalosim vlerat tona të vërteta. Prandaj u vendos që kjo të ishte një veprimtari e përvitëshme të cilën e zhvillon Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Nga kjo lindi një lëvizje shoqërore, ku u krijuan shumë shoqata dhe u bashkuan shumë persona dhe tani këto shoqata u bënë si pika referimi që të hapeshin edhe shkolla shqipe në shumë prej zonave që ato mbulonin. Madje ka shoqata që kanë hapur nga dy-tre shkolla në vendin që mbulojnë. Duke parë që një shoqatë e vetme nuk i përmbush të gjitha ambicjet e lëvizjes kulturore dhe shoqërore, atëherë u ideua dhe para 8 vitesh u krijua Federata e Shoqatave Shqiptare në Itali. Në këtë grup themelimi unë isha pjesëmarrës dhe që atëherë u caktova me informimin e publikut për veprimtarinë e këtyre shoqatave. Kjo federatë pati si objektiv kryesor shkollat dhe mbi 50 shkolla janë hapur në juridiksionin e vendeve që mbulon kjo federatë.
CMG: Si informohen bashkëatdhetarët për t’u bërë pjesë e këtyre organizatave?
Ndue Shabaku: Unë kam si detyrë që të jem zëdhënës për të komunikuar me publikun dhe këto veprimtari jam munduar t’i pasqyroj. Unë nuk jam i kufizuar vetëm me këtë sepse kam marrë pjesë në shumë veprimtari të organizuara nga artistët për shoqatat që nuk bëjnë pjesë në federatë dhe natyrisht kam shkruar dhe për këta sepse nuk mund të bëjmë diferencime. Jam munduar t’i gjendem pranë si atyre që organizojnë veprimtari, por dhe atyre që nuk kanë mundësi të ndjekin dhe në shumë raste të interesuarit presin që të shkruhet për këto veprimtari.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Ndue Shabaku: Unë dua të falenderoj të gjitha ata që njoh, së pari ata që kam pasur shokë në Normalen e Elbasanit, ato që kam pasur shokë në studime, shokët e mi të punës, por edhe të gjithë atë që kam njohur në jetë. Në veçanti dua të përshëndes të gjithë ata që përkrahin me vullnet të pastër dhe sinqeritet lëvizjen shoqërore dhe kulturore këtu në Itali, sepse përmes tyre ne bëhemi dëshmi dhe faktor që të integrohemi përmes vlerave që kemi si popull.
Intervistoi: Gazmend Agaj