Ekonomia botërore, pasi ka dalë nga sfidat e pandemisë globale, po orientohet përsëri drejt objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të mijëvjeçarit. Edhe populli kinez ka kontribuuar në vazhdimësi në këto zhvillime. Ky kontribut për shembull vërehet dukshëm nga faktet se që nga viti 2013 deri në vitin 2021, kontributi mesatar i Kinës në rritjen ekonomike botërore ishte 38.6 për qind, më i lartë se vendet e G7 së bashku dhe po gjatë kësaj periudhe.
Kina ka kontribuar më shumë se 70 për qind në uljen e varfërisë globale. Kina, që po ecën me kujdes në rrugën e konsolidimit të ekonomisë së saj, mbetet një vend në zhvillim me tipare të qëndrueshme investuese dhe tregtare, në mbështetje të zinxhirit të furnizimit në shkallë globale. Rruga që ka ndjekur Kina në këtë drejtim ka qenë jo e lehtë, duke marrë parasysh faktin se në këtë vend është zhdukur varfëria për qindra miliona qytetarë dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve ka qenë dhe mbetet objektivi madhor i qeverisjes.
Kina, si vend në zhvillim, po bën përpjekje madhore që të tërë banorët e saj të kenë akses në ujë të pijshëm të sigurt, të reduktojë ndotjen e mjedisit, të eliminojë sëmundjet e transmetueshme, të reduktojë aksidentet në punë dhe në trafikun rrugor, të përmirësojë cilësinë e infrastrukturës, të reduktojë papunësinë, të luftojë korrupsionin, të përmirësojë nivelin arsimor të qytetarëve, të garantojë sundimin e ligjit dhe të drejtësisë në të tërë territorin e vendit dhe kështu të kontribuojë edhe në arenën transnacionale me këto objektiva dhe veprime.
CFP
Vendet në zhvillim përfitojnë mbështetje nga agjenci ndërkombëtare për të mbështetur zhvillimin ekonomik, mjedisor, social dhe politik dhe nëse do të arriheshin Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të vendosura nga Kombet e Bashkuara për vitin 2030, atëhere shumë nga këto probleme do tejkaloheshin në mbarë botën, por kjo kërkon më shumë besim, më shumë mirëkuptim dhe më shumë bashkëpunim.
Por, pavarësisht klasifikimit të Kinës si vend në zhvillim, për shkak të karakteristikave që ka Kina, që e bëjnë të jetë në këtë grup vendesh, Senati i SHBA-ve miratoi para disa ditësh një projekt-ligj, ku kërkohet të hiqet statusi i Kinës si vend në zhvillim.
Po si erdhëm deri këtu.
Në shtator 2022, ishin senatorët Mike Lee dhe Dan Sullivan, që paraqitën një amendament duke deklaruar se Kina nuk është një vend në zhvillim dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë nga OKB-ja apo organizata të tjera ndërqeveritare.
CFP
Më tej, në shkurt 2023, senatorët Mitt Romney dhe Chris Van Hollen përshkallëzojnë veprimet, duke prezantuar Aktin e përcaktimit të statusit të Kinës si komb jo në zhvillim për t’u përdorur në traktatet e ardhshme dhe organizatat ndërkombëtare. Romney me këtë rast tha: “Kina ka ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe është në rrugën e duhur për të kaluar ekonomikisht SHBA-në. Kina nuk duhet të jetë në gjendje të gëzojë kushtet dhe përfitimet që marrëveshjet ndërkombëtare u ofrojnë vendeve në zhvillim”, ndërsa Van Hollen tha: “Ky projektligj do të përditësojë politikën e SHBA për të përmbushur realitetet e sotme dhe për të siguruar që SHBA të marrë një marrëveshje të drejtë kur negocion marrëveshjet shumëpalëshe që përfshijnë Kinën.”
Përfundimisht, më 8 qershor 2023, Komiteti i Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi Aktin e dhënies fund të Statusit të Kombit në zhvillim të Kinë, duke kërkuar t'i jepet fund trajtimit të Kinës si një vend në zhvillim dhe këtë SHBA duket se do e kërkojë edhe në arenën ndërkombëtare.
Kina që ka të ardhura rreth 17.000 USD për frymë në vit, gjendet për këtë shifër nën Republikën Domenikane, Meksikën, Kazakistanin dhe madje edhe Libinë, që njihen me statusin e vendit në zhvillim, ndërsa SHBA e ka këtë parametër rreth 63.000 USD në vit për frymë.
Indeksi i zhvillimit human i Kinës, 0,768, është midis Brazilit (0,754) dhe Sri Lankës (0,782), ndërsa SHBA e ka 0,921 këtë indeks.
Duket se kjo tentativë synon që t’i heqë Kinës mbështetjen si vend në zhvillim, për ta detyruar atë që të mbajë mbi supe peshën e ekonomive të zhvilluara, pavarësisht faktit se Kina, në fakt, si një vend në zhvillim, përfiton shumë më pak nga sistemi ndërkombëtar në krahasim me vendet e tjera në zhvillim dhe kontribuon shumë më tepër krahasuar edhe me vetë vendet e zhvilluara, sepse ajo në një territor shumë të madh dhe për një popullsi ¼ miliardë banorë, ka ndikuar në zbutjen e varfërisë globale, ndërtimin e infrastrukturës, rritjen ekonomike dhe ruajtjen e paqes, që janë kontributet të pakrahasueshme të Kinës dhe popullit të saj për tërë botën.
CFP
Një nga kontributet kryesore të Kinës për ekonominë botërore në kuadër të Raundit të Uruguait, pasi Kina është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë që nga viti 2001, është se ajo ra dakord të ulë tarifat e saj mesatare industriale nga 42.7% në 9.5%, ndërsa shtetet e tjera në zhvillim ranë dakord për të ulur tarifat e tyre vetëm në 31.4% dhe edhe pse Kina uli tarifat e saj bujqësore nga 54% në 15.1%, vendet e tjera në zhvillim i ulën ato vetëm në 37.9%.
Banka Botërore i klasifikon ekonomitë e botës në katër grupe, bazuar në të ardhurat kombëtare bruto për frymë: vendet me të ardhura të larta, të mesme të larta, të mesme të ulëta dhe të ulëta dhe Kina, sipas këtij klasifikimi është vend me të ardhura të mesme, që i përket klasifikimit të Kombeve të Bashkuara si vend në zhvillim.
Nga një këndvështrim që merr parasysh zhvillimet aktuale dhe rritjen e normës së inflacionit në mbarë botën, vendet në zhvillim, sado përpjekje që të bëjnë për të kaluar në vende të zhvilluara, e kanë shumë të vështirë të përballojnë me ritmet aktuale ruajtjen në nivelet e tanishme produktivitetin dhe furnizimin e ekonomisë globale me sasinë e duhur të produkteve dhe shërbimeve dhe këtu Kina ka një rol shumë të madh, që edhe vetë SHBA-të e kanë kuptuar dhe e kanë deklaruar dhe vlerësuar pozitivisht publikisht.
Paralelisht me këto zhvillime, jo më vonë se data 10 qershor 2023, mësohet se janë bërë publike të dhëna zyrtare për ekzistencën e dokumente sekrete, sipas të cilave nivelet më të larta administrative qeveritare të SHBA-ve disponojnë prej kohësh raporte të detajuara në lidhje me pikat e dobëta të SHBA-ve dhe aleatëve të saj, pika të dobëta që mund të atakohen nga “armiqtë”, dhe për këtë SHBA ka hartuar strategji kundërveprimi në rast atakimi nga “armiqtë”.
CFP
Burimet nuk përcaktojnë se cilët janë “armiqtë”, por ecuria me këtë mendësi, kur bota kërkon paqe dhe mirëbesim, tregon se në SHBA, në nivele shumë të larta drejtuese, ka ende koka të nxehta që krijojnë “armiq” imagjinarë, dhe krijimi i këtyre “armiqve” bëhet nga disa politikanë, që nuk do të mund të mbijetonin dhe ekzistonin nëse në botë ka mbështetje, besim dhe bashkëpunim midis kombeve, vendeve e popujve.
Kina, nga ana e saj ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se e shikon të ardhmen e saj duke ecur krahas kombeve, vendeve dhe popujve të tjerë të botës vetëm në frymën e mbështetjet, besimit dhe bashkëpunimit.
Nga: Dr. Enriko Ceko