Eriona Rushiti, një jetë me muzikën
2023-06-11 10:40:35

Kompozitorja e mirënjohur Eriona Rushiti e ka nisur rrugën e bukur të muzikës në moshën 6 vjeçare. U desh të punonte fort për çdo ditë nga pesë orë studimi në violinë për 12 vite me rradhë. Kur erdhi momenti i zgjedhjes për në universitet, pas talentit të vërejtur nga padagogu i saj pasi krijoi një vepër muzikore, ajo ndoqi studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën kompozicion. Si një nxënëse dhe studente e shkëlqyer, Eriona vijon studimet pasuniversitare jashtë vendit ku kryen Master dhe Doktoraturë. Pra një  jetë e tërë me muzikën, një dashuri e madhe për të që nuk shterron, por veçse kultivohet çdo ditë e më tepër. Prej më shumë se një dekade Eriona tashmë është pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë, por njëkohësisht krijon edhe muzikë të bukur për artistët më në zë shqiptarë. Festivalet gjithashtu për të janë një dashuri e hershme, ku Eriona Rushiti ka shumë pjesëmarrje, ndër të cilat edhe dy çmime të para në Festivalin e Rtsh-së. Suksesi i saj i fundit ishte me tekstin e këngës “Duje” interpretuar nga Familja Kelmendi, të cilët përfaqësuan Shqipërinë këtë vit në Eurovizion.


CMG: Ti je tekstshkruese e dy këngëve pjesëmarrëse në Festivalin Europian të këngës, herën e parë me këngëtaren Jonida Maliqi, ku ke qenë edhe kompozitore e këngës së saj, së fundi ke realizuar tekstin e këngës “Duje”, të këngëtares Albina Kelmendi, e cila bashku me familjen e saj përfaqësuan Shqipërinë në Eurovizion. Si kanë këto eksperienca për ty?

Eriona Rushiti: Vetë Eurovision-i është një aktivitet i permasave shumë të mëdha, është një eksperiencë e jashtëzakonshme, të cilën e kam shijuar shumë që herën e parë në vitin 2019. Dhe tani për herë të dytë, mezi  e kam pritur pjesëmarrjen aty. Vetë ky festival është një nga aktivitetet më të mëdha artistike të zhvilluara në Evropë, duke nisur që nga organizimi, delegacionet e ndryshme, shtetet  që marrin pjesë në të, kultura e kombësive të ndryshme me të cilët përballesh, etj. Unë e kam shijuar vërtet shumë.

CMG: Na trego për momentet e bukura që ke kaluar me familjen Kelmendi, gjithashtu dhe emocionet që more nga publiku, i cili e ka përkrahur shumë, aq më tepër që ishte hera e parë që një familje e tërë konkurronte në Eurovision?

Eriona Rushiti: Edhe për mua në fakt ishte pak befasi sepse Enis Mullaj është kompozitori i këngës “Duje”, por dhe bashkëpunëtor i imi,  më ftoi për të shkruar tekstin e kësaj kënge. Muzika ishte gati dhe në studio zbulova që përveç Albinës, e cila ka një vokal të mrekullueshëm, mësova se ishte e gjithë familja e saj. Kështu që pas bisedave që realizuam ramë dakort që dhe tematika të ishte për familjen, e të justifikohej prezenca e tyre në skenë. Ata janë një familje shumë e bukur, tre motra, një vëlla dhe prindërit artistë dhe babai  që është shtylla kryesore, është ai që merr vendimet  pak më tepër se të tjerët. Ishte një energji shumë e mirë, gjeta një atmosferë mjaft të bukur. Ata më frymëzuan për t’ju rikthyer edhe traditës, për të përshkruar se si kanë qenë vërtet familjet, e kjo ndoshta e bëri dhe publikun për vete, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Eurovision, me sinqeritetin me të cilin ata këndonin.

CMG: T’u desh shumë kohë për ta shkruar si tekst?

Eriona Rushiti: Unë kam shkruar këngë në gegërisht, kam shkruar për këngët e artistit Mentor Haziri, disa këngë të albumit të tij dhe e njoh shumë mirë mënyrën se si shkruhet në gegërisht madje më pëlqen shumë, duket shumë mirë fjala në këtë dialekt. Edhe për familjen Kelmendi më duhej ta shkruaja tekstin në dialektin gegë, sepse kënga u fle më mirë sesa në gjuhën letrare. Gjithçka vijoi natyrshëm, bëra  vargjet e para ja nisa, e kështu me rradhë. Më pas ata vinin Tiranë të provonin  në studio, deri sa doli kënga përfundimtare.

CMG:Nga sondazhet e shumta, publiku  e përkrahu shumë Shqipërinë …

Eriona Rushiti: Sa i takon tematikës menduam se do ishte një temë sociale e jona, por tema e familjes prek çdo njeri. Pjesëmarrja e një familje kishte specifikën e vet, kënga ishte etnike, që këtë vit në Eurovision nuk kishte këngë të tilla. Shumica e këngëve ishin të shkruar në anglisht, pak a shumë ishin këngë komerciale, prandaj kënga dallohej, se kishte ruajtur edhe traditën që kemi ne të këngës tonë etnike. U bën disa gjëra bashkë, vokali i Albinës që u evidentua shumë, si ndër vokalet më të bukura, prezenca e një familjeje për herë të parë në Eurovision, mesazhi i këngës, dhe në fund doli ajo paraqitje aq e bukur.


CMG: Ti krijon tekste të bukura, por gjithashtu edhe kompozime. Për krijimin e një kënge ti i jep më shumë rëndësi fjalës, apo tingullit?

Eriona Rushiti: Kur isha më e vogël unë i kam ndjekur shumë festivalet dhe nuk fokusohesha dot tek teksti. Ndërsa studioja për violinë, si violiniste përpiqesha të kapja menjëherë melodinë dhe ajo më mbetej në vesh, pra nuk merresha shumë me fjalën. Duke u rritur kuptova se kënga është shumë e rëndësishme edhe nëpërmjet fjalës, pra kam kuptuar se ecin të dyja shumë mirë paralelisht. Kur është një melodi shumë e bukur, por nëse nuk ka një tekst me një mesazh brenda, mbetet thjesht një melodi e bukur, po ashtu edhe anasjlltas, nëse teksti  i bukur nuk ka një melodi të mire, mbetet një poezi e bukur dhe kaq. Fjala është shumë e rëndësishme,por sigurisht që duhet të vendoset në mënyrën e duhur. Unë merrem me tekstin dhe kompozicionin, dhe është e vështirë të vendosësh fjalën aty ku duhet, pasi janë disa teknika të vogla që askush nuk i mendon që janë mjaft të rëndësishme. Duhet ditur se cila zanore i ri më bukur një këngëtari, duhen përdorur fjalët që kanë ato zanore, por edhe fjalët të jenë goditëse,pra të jenë çelësi i tekstit. Flasim gjithmonë kur bëhet fjalë për një tekst të bërë mirë.

CMG: Eriona ti ke marrë pjesë disa herë në festivale me këngët e tua, të cilat kanë pasur suksese, por dy herë edhe fituese me materialet e tua në festivalin e këngës në RTSH. Dua të di, a është rritur kërkesa e artistëve, që të kërkojnë t’i krijosh këngë për të marrë pjesë në festivale?

Eriona Rushiti: Ka pasur, por nuk  kam bërë ndonjë seleksionim. Bashkëpunimet i kam pasur me këngëtarë shumë të mirë, kam kërkuar timbrika të veçanta, që këngët e mia të kenë timbrikë të veçantë, e jo të zakonshme. Bashkëpunimet e mia kanë qenë me Aurela Gaçen, me Irma Libohovën  ku kam realizuar muzikën dhe tekstin e këngës, me Manjola Nallbanin, Rosela Gjybegun, Era Rusin, etj. Gati të gjithë këngëtarët që ne kemi sot unë kam bashkëpunuar me të gjithë.

CMG: Duket që skena e festivalit, por edhe Eurovision-it janë një dashuri shumë e madhe për ty. Do vazhdosh të marrësh pjesë sërish?

Eriona Rushiti: Patjetër dhe nuk do ndalem, sepse ajo është skena e emocioneve të vërteta. Dhe unë sa herë që bisedoj me këngëtarët, ata janë më shumë për të bërë videoklipe, por unë i orientoj drejt festivaleve. Rasti më i fundit ishte me Irma Libohovën, e cila kishte prekur një tematike që bënte fjalë për një fëmijë, që jetonte mes dy prindërve të divorcuar. Irma më mori në telefon dhe më tregoj për historinë e kishte prekur, e më tha që ti bëja një tekst një lidhje me këtë temë. Edhe unë gjithashtu jam e ndjeshme në lidhje me këto tema. Kështu u bë kënga dhe erdhi rradha e videoklipit, por meqënëse po afronte “Kënga Magjike”, i thashë Irmës që ta paraqisnim atë këngë në festival. Në fillim Irma nuk donte, se e kishte mbyllur me festivalet, por ja që u bind dhe kënga mori pjesë në atë festival. Pra jam e prirur që këngëtarët ti orientoj drejt skenës së festivaleve, sepse aty është emocioni i gjallë.

CMG: Ke dy pjesëmarrje në Eurovision, i konsideron fat apo rastësi?

Eriona Rushiti: Ndoshta edhe kjo dashuria e madhe që kam për festivalin dhe Eurovision-in, gjërat që i dua shumë, i realizoj. Është një energji që e kërkoj dhe më vjen. Në fillim ishte rikthimi i Jonida Maliqit  pas shumë vitesh në skenën e festivalit, një  këngë e cila kishte si tematikë emigracionin. Një këngë shumë e bukur, më pas erdhi pjesëmarrja me familjen Kelmendi. Mund të them se ka qenë fat, por edhe fatin është si ta kërkosh.

CMG: Eriona, ti që në moshën 6 vjeçare ke  nisur studimet  për violinë të cilën e vazhdove për 12 vjet. Studimet e larta i ndoqe në Universitetin e Arteve në Tiranë për kompozicion, e më vonë studimet pasuniversitare i vijove jashtë vendit për Master dhe Doktoraturë. Pra një  jetë e tërë me muzikën dhe tashmë je pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë.



Eriona Rushiti: Në moshë të vogël, një fëmijë nuk e  di ende se çfarë do të bëjë, sepse janë prindërit ata që të shtyjnë dhe vendosin. Kur kaluan vite, e kuptova që violina ishte bërë pjesë e imja. Më vonë prindërit ishin në dilemë, të më çonin në gjimnaz të përgjithshëm apo në Lice për violinë, pasi unë isha shumë mirë dhe me mësime. Dhe kur kam dëgjuar të thonin, që mund të shkoja në gjimnaz, kam filluar të qaj, sepse më dukej sikur po shkëputesha nga dashuria e jetës. Edhe pse me violinën punoja shumë, rreth 4-5 orë në ditë, por aty e kuptova se ishte një dashuri e pazëvendësueshme, që nuk shkëputesh dot, sepse bëhet pjesë e jotja. Unë kudo shkoja me violinë, si në plazh, te gjyshi, kudo, mu bë si pjesë e trupit.

CMG: Më pas shkove në Universitetin e Arteve ku studiove në degën kompozicion. Sa vend zuri  violina në këtë periudhë?

Eriona Rushiti: Edhe këtu ka qenë çështje fati dhe rastësie, sepse në atë kohë po eksperimentohej në Lice, ku filluan të hapeshin degë të reja si; dirigjimi dhe kompozicioni. Kjo nisi si ekperimentim dhe unë isha një nga ata që e provuan. Dhe mbaj mend kur më tha pedagogu, të shkruaja një pjesë çfarë të doja. Më kujtohet që bëra një vepër për piano. Pedagogu më tregoi se materiali im, ngjante më një pjesë të Tonin Harapi, në atë ngjyrë. Që nga ai moment, pedagogu më sugjeroi që të vazhdoja Univestitetin për kompozicionin, sepse isha e talentuar. E kujtoj atë periudhë me shumë nostalgji, mbaj mend që kam qarë, se e dija që do shkëputesha nga violina, plus që ishte hera e parë që shkruaja një vepër. Në të vërtetë arti, muzika janë një mrekulli.

CMG: Sa kohë ke pa luajtur në violinë ?

Eriona Rushiti: U bënë disa vite. E kemi thënë si shprehje; "Po e le, të la instrumenti", pra po nuk u praktikove çdo ditë me të. Tani merrem më shumë me pianon, por gjithsesi violina është dashuria e parë, ndoshta prej violinës e kam talentin që tani shkruaj melodi të bukura këngësh, ndoshta është edhe pjesë e brendshme, por më shumë mendoj nga violina. 

CMG: Dukesh që je e emocionuar  dhe mezi po i mban lotët ndërsa tregon për dashurinë e madhe për violinën. Por edhe kënga gjithashtu është dashuri për ty. A ke menduar që në ardhmen të këndosh materialet e tua?

Eriona Rushiti: Dikur tre shoqe bashkë morëm pjesë në koncertin e pranverës. Ishte idea e të ndjerit Alqi Boshnjaku, që të merrnim pjesë në atë festival. Një ëndërr studentore të cilën e lash me aq. Më pas u fokusova në muzikën serioze, ku kam shkruar shumë vepra për ansamble të ndryshme për orkestër në Bukuresht, pas Rumanisë erdhi Gjermania e shumë të tjera. Më pas u riktheva në Shqipëri ku mbuloja projektet artistike në Ministrinë e Kulturës, dhe më pas erdhi puna ime në Universitetin e Arteve si Pedagoge. Gjatë këtyre viteve u riktheva sërish te kënga me një material për fëmijë, e cila u vlerësua me çmimin e dytë në atë festival, kështu që  mendova ta vazhdoj muzikën pas sukseve në festivale.

CMG: Cili është sekreti i këngës “N’Eden” interpretuar nga Rezarta Smaja në festivalin e RTSH-së?

Eriona Rushiti: Kjo këngë edhe pse nuk mori vëmendjen e  duhur në festival, unë e kam shumë të veçantë atë këngë. 

CMG: Për këtë këngë kam dëgjuar se ke dëshirë që ta këndosh vetë versionin original? Por a e ke të regjisturar me zërin tënd?

Eriona Rushiti: Po, e kam të regjistruar atë këngë, e cila është një histori personale. Mamaja ime më ka kërkuar shpesh herë t’i dedikoja një këngë, duke më thënë se; “një ditë unë nuk do jem në këtë jetë, dhe dua që të më dedikosh një këngë”. Ndërkohë që unë e kisha gati melodinë, i bëra një tekst, që sigurisht ishte imagjinatë, por ishte shumë prekëse. I gjithë teksti ishte si narracioni i dikujt që e ka mamin duke i ikur nga kjo jetë, ishte shumë prekës. Kur e mori Rezarta Smaja atë këngë,e pëlqeu shumë, u prek, por më tha se nuk mund ta këndonte dot në skenë atë tekst. Versioni original i tekstit asaj kënge ishte “Jeto dhe pak, o mam”. Më pas melodisë i ripërshtata tekstin “N’Eden”, por mendoj se me tekstin e parë do të kishte më shumë sukses kënga.

CMG: Ti je pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë, por si është dashuria e të rinjve për muzikën sot?

Eriona Rushiti: Nuk është më siç ka qenë. Nëse ti sot sheh tek unë dashuri e shumë pasion kur flas për muzikën, sot nuk  e gjen në orët e mësimit, apo në pjesëmarrje në koncerte. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Kjo bota e teknologjisë, i ka mbyllur të rinjtë në atë botën virtuale. Më vjen shumë keq për këtë, pasi nuk ka gjë më të bukur  se arti e muzika, pasi të gdhënd shpirtërisht. Është një brez shumë sipërfaqësor, si nënë e shoh edhe tek fëmija im, po jetojmë në botën e teknologjisë, e më duket si një jetë boshe, nuk ka përmbajtje, nuk ka supstancë, e kjo ndodhta reflektohet. Patjetër që ka elemente të mirë, se kudo ka, por janë të paktë, në dallim me dikur që kanë qenë të shumtë në numër.

CMG: Cilat konsideron ti si kryevepra të tuat artistike?

Eriona Rushiti: Djalin, Ronin (qesh).

CMG: Patjetër që fëmijët zënë vendin e parë, por sa i përket artiit?

Eriona Rushiti: Kam një këngë për fëmijë që titullohet “Princesha e babit” dhe më vjen  shumë mirë që ajo u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin e Shkodrës. Kjo këngë po vendoset kudo, në festën e abetares, në festën e vitit të ri, etj. Kënga flet për vallëzimin e parë që bën një vajzë me babain, i cili e quan vajzën pinceshë, dhe e mëson  atë që të kërcejë për herë të parë me babain e saj. Dhe duket se jam bërë mbarë që tani vajzat  të kërcejnë me babain e tyre edhe në festën e abetares. Dhe jo vetëm në aspektin artistik, por edhe në aspektin human, më duket sikur kam bërë gjetjen e duhur, sepse rradhë herë i shohim baballarët që të kërcejnë me vajzat  etyre,pasi janë pak të turpshëm. Prandaj jam e gëzuar që kam parë shumë video këto koëtoë, duke qenë se përkon edhe me festëne  abetares. Pastaj të gjitha këngët e mia i dua. Nuk bëj shumë, por ato që bëj, i bëj me shumë përkushtim.

CMG: Por cilat janë planet e tua në vazhdim. Të kam parë shpesh në rrjetet sociale që ke postuar foto me artistë, duke punuar në studio. Por çfarë do të shohim në vazhdimësi nga Eriona Rushiti?

Eriona Rushiti: Sa i përket fotove që mund të kesh parë kohët e fundit, bëhet fjalë për dy projekte që kam me këngëtaren Irma Libohova, janë dy këngë shumë të bukura me tematika të ndryshme. Një këngë tjetër që do jetë për festivalin e fëmijëve, me një vajzë të vogël që unë e spikata që nga gjeniu i vogël. Dhe në fakt ishin vetë prindërit e vajzës Nikol Çabeli, të cilët më kërkuan q   ë ti bëja një këngë për festivalin e Shkodrës, sapo mbaroi gjeniu. Dhe kënga ka dalë vërtetë shumë e bukur për Nikol. Sigurisht që do të vijnë edhe bashkëpunime të tjera për festivalin, të cilin e dua shumë. Gjithashtu po punoj edhe në një qendër fëmijësh që quhet “Pentagram”, ku aty jap  orë mësimi Solfezh dhe kor. Me korin e fëmijëve kemi një koncert më datë 14 qershor, ku kemi zgjedhur këngë shumë të bukura. Kam dy vjet që punoj me fëmijët dhe më pëlqesh shumë puna me ta. Nuk e dija më parë se që ishte një dashuri dhe një sadisfaksion shumë i madh. Fëmijët janë shumë të çiltër dhe e shprehin atë botën e  tyre të sinqertë  ashtu si e mendojnë, dhe  kjo më kënaq.


CMG: Eriona nga të buron gjithë kjo energji?

Eriona Rushiti: Nga dëshira dhe pasioni. Kur kam qenë në Lice, më dukej vetja e turpshme, po siç duket koha, eksperienca, ma ka ndryshuar pak natyrën e heshtur, ndoshta kanë qenë vite akumulimi e cila po shpërrthen tani.

CMG: E gjen kohën për kryeveprën tënde dhe për përkushtimin në familje?

Eriona Rushiti: Patjetër! Edhe pse djali është rritur, jam prezente çdo ditë. Ai tashmë ka fituar një lloj pavarësie, por sërish unë e pyes për mësimet, vazhdoj të kem të njëjtin kujdes edhe pse ai është rrritur.

CMG: Ka ai ndopak talent për muzikën?

Eriona Rushiti: Dukej i vogël sikur nuk kishte, sepse djemtë e marrin në vonë zhvillimin qoftë të veshit muzikor, por nuk pashë ndonjë pasion shumë të madh. Ne folëm pak më parë për të rinjtë, dhe instrumenti do pesë orë studim në ditë, e ai nuk më dukej natyrë që mund të ulej  të studionte muzikë pesë orë në ditë, kështu që e kam lënë të bëj një zgjedhje tjetër. Ndoshta të merret me IT , Dizanj, se aty i shoh prirjet e tij.

CMG: Të uroj suksese dhe vazhdo të na pasurosh fondin e artë të muzikës shqiptare me materialet e bukura muzikore që ti krijon.

Eriona Rushiti: Faleminderit! Në fakt ky është dhe synimi im që kënga të ketë jetëgjatësi dhe të gjitha  këngët ti mbeten fondit të muzikës shqiptare.