Lutfi Muça, një jetë në skenë me këngën popullore tiranase
2023-06-10 13:30:15

CMG: Keni një jetë në skenë me këngën popullore, duke marrë pjesë në shumë koncerte. Si i kujtoni vitet e karrierës suaj muzikore?

Lutfi Muça: Karriera ime ka qenë shumë e ngarkuar dhe një kënaqësi të veçantë kam marrë nga populli shqiptar kudo kam shkelur. Unë kam marrë pjesë në shumë aktivitete, nëpër reparte ushtarake, kooperativa bujqësore, uzina dhe fabrika. Në atë kohë kam qenë i ftuar në stadiumet e Elbasanit, Durrësit, Kavajës dhe Peqinit që janë treva e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme.

CMG: Keni interpretuar gjithmonë këngët popullore të Shqipërisë së Mesme?

Lutfi Muça: Unë isha i përqendruar në trevën e Shqipërisë së Mesme sepse kam lindur në Palpoçe  dhe rreth e qark shtëpisë time kanë qenë të gjithë muzikantët. Kanë qenë Rrem Mumajesi, fisi Bilbili te Ura e Tabakëve, po ashtu Myslym Lela. Kur isha i vogël shkoja dhe dëgjoja këto muzikantë në dasma, ditëlindje dhe gëzime të tjera familjare. Aty më hyri në gjak kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, ku vazhdova dhe nuk u ndava asnjëherë. Kur dilnim te liqeni shokët më thonin që të këndoja edhe serenata apo muzikë të lehtë, por që unë në shpirt kisha këngët popullore të Shqipërisë së Mesme. Më vonë më thanë shokët dhe shoqet e Ansamblit popullor se mund të këndoja edhe këngë shkodrane, dibrane dhe kosovare.

CMG: Origjina juaj e hershme është nga Dibra, por keni lindur në Tiranë. Keni kënduar dhe këngë të trevës së Dibrës?

Lutfi Muça: Zakonisht kur bëhej dasma dibrane të gjitha këngët ishin dibrane, pastaj Dibra me Tiranën kanë qenë shumë të lidhura. Gjyshi im ka ardhur në Tiranë në vitin 1913 dhe ne kemi dhënë e marrë me tiranasit, duke u bërë njësh. Dibra më pëlqen shumë dhe në kursin 9 mujor që na dërgoi Ministria e Arsimit kam pasur Liri Rashën në kurs, Dava Gjergjin nga Puka dhe Gëzim Nikën nga Tropoja. Pra ishte ajka e këngëtarëve dhe mbas Festivalit Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1978 ne ishim kursi i parë që ministria na mblodhi si këngëtarët që kishim fituar çmime. Pedagogë të këtij kursi 9 mujor ishin të gjithë këngëtarët e Ansamblit popullor. Unë kam pasur nderin të mësoja me Fitnete Rexhën dhe Zeliha Sinën. Pastaj kanë qenë Sali Brari, Naile Hoxha dhe shumë këngëtarë të tjerë. Në këtë kurs dolëm me diploma shkëlqyeshëm, ku dhamë një koncert te TOB bashkë me gjithë këngëtarët që mbaruan kursin, kënduam nga dy këngë dhe dolëm me sukses. Pastaj unë bëra recitalin tim të parë në Tiranë në vitin 1979 me këngëtarë të ftuar nga kursi, ku dolëm edhe nëpër rrethe për të dhënë shfaqje.

CMG: Flasim për pjesëmarrjet tuaj në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Sa herë keni marrë pjesë?

Lutfi Muça; Unë kam marrë pjesë dy herë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Herën e parë në vitin 1978 me këngën e Babë Myslymit, pastaj në vitin 1983 mu dha kënga e Haxhi Qamilit, ku  u nderova me titullin mora Laureat i festivalit dhe u dekorova me Urdhërin Naim Frashëri.

CMG: Si jeni ndjerë me vlerësimet që keni marrë gjatë karrierës muzikore?

Lutfi Muça: Unë jam vlerësuar gjithmonë në çdo shfaqje dhe në çdo festival nuk dilja pa marrë çertifikatë ose fletë nderi. Pastaj kur doli për herë të parë grupi “Na bashkoi kënga popullore”  më caktuan që të këndoja me këtë grup bashkë me Zeliha Sinën me Valdete Hoxhën. Edhe aty mora shumë duartrokitje në sallë kur këndova këngën e Bajram Currit, sepse kur erdhi Ansambli Shota në Shqipëri  për koncert këndonin këtë këngë. E këndova me grupin “Na bashkoi kënga popullore”, dhe mora çmimin e parë.

CMG: Sa këngë keni të regjistruara në repertorin tuaj popullor?

Lutfi Muça: Unë kam kënduar shumë këngë sepse kam pasur fatin të isha i ftuar kudo dhe inçizime ka shumë, por nuk e di sesa janë në arkivin e RTSH-së. Kam qenë gjithmonë i ftuar në festat e 8 marsit, 1 majit, 28-29 nëntorit dhe të gjitha festat që organizohesin në atë kohë, duke u vlerësuar me çmime.

CMG: Kostumin popullor e keni veshur në çdo dalje tuajën në skenë. Si jeni ndjerë me veshjet popullore tradicionale?

Lutfi Muça: Unë kam pasur tre kostume popullore të qepura posaçërisht për mua nga artistikja Migjeni. Kisha kostumin e Shqipërisë së Mesme, më të mirin nga Pallati i Kulturës, një kostum e kisha nga Dibra dhe një tjetër kosovar. Këto tre kostume popullore i kisha personale dhe më vjen keq që nuk i kam se në vitin 1990 kur u shkatërrua çdo gjë, nuk e di se kush mi mori. Këtë gjë e kam peng sepse  në çdo shfaqje që merrja pjesë e këndoja i veshur me kostumin popullor sepse kënga ashtu merr vlerë.

CMG: Përveç këngëve solistike a keni bërë dhe bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Lutfi Muça: Nuk e di se përse këngëtaret e sotëm nuk më afrohen, kurse atëhere i ftoja vetë se kisha kënaqësinë të bëja një duet me Liri Rashën, Vitore Rushën, Dava Gjergjin dhe Mukades Çangën. Gjithashtu kam kënduar duet në Fierzë me Justina Aliaj, ku kemi qëndruar dy javë atje me koncerte. Kështu që në shfaqje ka bukurinë e vet edhe dueti me një partnere, sepse i jep bukurinë skenës dhe e thyen monotoninë e koncertit një këngëtare tjetër. Është shumë e vështirë të bësh duet me një këngëtare nëse nuk të përshtaten zërat. Mua më përshtatet zëri me këngëtaren Hamide Shkala që kemi kënduar këngën “Këndo gjeli pika pika”, me Liri Rashën kemi kënduar këngën “Pjergullo” dhe shumë këngëtare të tjera.  

CMG: Si një këngëtar profesionist i muzikës popullore cili është mendimi juaj për interpretuesit e rinj të këngës popullore sot?

Lutfi Muça: Tani unë dëgjoj këngë në YouTube sepse koncerte nuk zhvillohen më. Mendoj se po e prishin këngën popullore dhe po ikën folklori nga duart e popullit sepse këto këngëtarët sot janë bërë këngëtarë kompjuteri. Kënga popullore thoshte profesori im Ramadan Sokoli ka lulet e veta, ku çdo krahinë ka lulet e veta dhe jo çdo këngëtar mund të këndojë një këngë të një treve tjetër. Mua kur më dhanë për të kënduar këngën e Babë Myslym Pezës, më thanë që të shkoja në Pezë dy-tre muaj para festivalit që të dëgjoja sesi këndonin pezakët në dasma dhe t’ja merrja ato lulet për ta kënduar këngën origjinal si pezakët. Kur e këndova unë këtë këngë në festivalin e Gjirokastrës ku mora çmimin e parë, më thanë se unë jam pezak. Pastaj në vitin 1983 kur këndova këngën e Haxhi Qamilit më thanë që të shkoja në Sharrë për të parë sesi e këndonin ata këtë këngë.

CMG: Këngën e ka trashëguar dikush tjetër në familje?

Lutfi Muça: Unë kam dy vajza dhe një djalë dhe thashë se djali do më ngjante mua, ndaj  e çova në kurs ku Astrit Dalipi me fizarrmonikë më tha se djali kishte shumë zë të mirë por sa del para publikut i ikën zëri. Kështu që djali nuk ndoqi rrugën time, ndërsa nipat kur ishin të vegjël këndonin këngët e mia, por sa filluan dhe u rritën kaluan në një rrugë tjetër sepse dëgjojnë në telefon këngët e repistave. Mirëpo e shoh që asnjëri nga gjashtë nipërit nuk më ka ngjarë mua dhe më vjen keq që fisi Muça ngeli tek unë.

CMG: Cilën këngë do të veçonit si më të dashurën nga repertori juaj muzikor?

Lutfi Muça: Këngën që e kisha për zemër ka qenë ‘Për një mot e gjysëm viti” se ishte kënga popullore e goditur për ne në atë kohë që bënim dashuri të fshehtë dhe derisa vendosnim unazën nuk e merrte vesh njeri. Ajo është kënga që për mua është brilante e Shqipërisë së Mesme. Këtë këngë ma kërkojnë shumë dhe më në fund arrita ta realizoj dhe në videoklip. Gjithashtu kam bërë dhe një këngë tjetër që ma kërkoi nipi për djalin e tij dhe titullohet “Çun, o more çun”.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Lutfi Muça: Unë përshëndes të gjithë popullin shqiptar sepse kudo që kam shkelur dhe kudo të dal tani në këtë moshë e kam të sigurtë që ato do të më presin me duartrokitje sepse karriera ime ka qenë edhe nëpër gëzimet familjare.