Reforma e pagave: risitë, dobitë dhe sfidat
2023-06-09 10:50:49

Kohët e fundit, qeveria paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë, i cili më pas  miratoi dy nisma ligjore që synojnë një reformë të plotë dhe të thellë të pagave, duke nisur nga hierarkia shtetërore e pagave, e deri kompetencat në fushën e pagave, trajtimet dhe përfitimet e tjera financiare të të punësuarve në administratën shtetërore, për ta bërë administratën publike sa më tërheqëse dhe për të nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë brenda saj.

Për një periudhë kohore prej një viti, deri në korrik 2024, qeveria po realizon një rritje pagash, e cila deri pak vite më parë nuk mund të mendohej e këtyre përmasave. Brenda një viti, paga mesatare neto(pa hequr taksat) në shtet do të kapë nivelin e 900 eurove, përmes dy shtesave të rrogës. Shtesa e parë ka filluar tashmë për një pjesë të administratës publike, si mjekët, infermierët, arsimtarët, etj. Shtesa e dytë do të realizohet në fillim të vitit 2024. Prof. Ilir CIKO, ekspert i ekonomisë, pedagog në Institutin Kanadez të Teknologjisë(CIT) në Shqipëri në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës trajton gjerësisht këtë temë.

Prof. Ilir Ciko në intervistë për CMG

Prof. Ilir Ciko në intervistë për CMG

Reforma e pagave: risitë, dobitë dhe sfidat

Qeveria ka vijuar edhe me reformën e rritjes së pagës minimale. Nga 1 prilli 2023, ky nivel page është rritur me 6 mijë lekë, duke arritur në 40 mijë lekë ne muaj.

Këto nisma qeveritare janë ndërmarrë ,pas një analize të thellë dhe nevojës për reformimin e pagave në Shqipëri, pasi vendi po kalon në një epokë të re të transformimit dixhital dhe përparimeve të shpejta teknologjike. Qeveria mendon se është thelbësore që sistemet e përcaktimit të pagave të përputhen me kërkesat e zhvillimit të tregut të punës.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomise, kosto totale e politikës së rritjes së pagave në administratën shtetërore deri më 31 dhjetor 2024, shkon rreth 39 miliardë lekë, ose rreth 357 milionë euro.

CMG: Prof. Ciko, a erdhi plani i qeverisë për rritjen e pagës mesatare në administratën publike me 42 përqind si pagë neto, në nivelin 900 euro deri në korrik 2024, në kohën e duhur? Ne e dimë problemin që kemi me një emigracion të konsiderueshëm jashtë vendit.

Kuvendi i Shqipërisë (Foto Kuvendi)

Kuvendi i Shqipërisë (Foto Kuvendi)

Ilir Ciko: Le ta nisim nga kjo e fundit. Nuk mendoj se rritja e pagave në sektorin e administratës publike bëhet me synimin parësor për të frenuar emigracionin drejt vendeve të tjera. Kjo, pasi përgjithësisht në Shqipëri ka qenë një traditë, e cila vazhdon edhe sot. Vendet e punësimit në shtet konsiderohen si vende të ngrohta, vende të mira pune. Është pak e vështirë të mendosh, për dikë që punon në administratën publike, që për shkak të nivelit të ulët të pagës, të mendojë që mund të emigrojë për në vendet e tjera. Besoj që edhe kjo rritje, e cila në një masë edhe është kryer, nuk do të tingullonte aq frenuese, për të ndalur dikë në vendim-marrjen e tij për të shkuar jashtë shtetit.

Gjithsesi, në drejtim të asaj që ju përmendët, se a është në kohën e duhur, mendoj që gjatë viteve të fundit nuk kemi patur rastin që të shohim një rritje të ndjeshme të pagave. Sigurisht që një rritje që kryhet tani është pozitive në këtë drejtim, pasi është një stimul për administratën shtetërore, që të jetë më e përkushtuar dhe më produktive në punë.

Nga ana tjetër, ajo që unë i mëshoj fort dhe them se e shoh si problem, nëse mund të përmendet një problem në këtë vendim-marrje të qeverisë, lidhet me faktin që një rritje e tillë e pagave duhet të jetë jo vetëm transparente, por edhe plotësisht e parashikueshme.

Pra, kurdoherë që qeveria mendon se duhet të rrisë pagat, kjo duhet të jetë e qartë për këdo që punon në administratën shtetërore. Pra, do të ketë një rritje këtë vit prej “x” përqind, vitin tjetër pasues do të ketë një rritje prej “y” përqind, e kështu me rradhë. Kjo, në mënyrë që seicili punonjës të balancojë nevojat që ka për karrierë në administratën publike, me pagën që ai do të marrë si shpërblim për punën që ai kryen.

Veprime të tilla vijnë të papritura për këdo, Bie fjala, një rritje e tillë pagash nuk është parashikuar, kur është konceptuar Buxheti i Shtetit për vitin 2023. Nuk është folur që do të ketë një rritje të tillë pagash brenda vitit.

Pra, do të ishte mirë që të gjitha këto veprime të ndërmarra për pagesën e punonjësve të jenë lehtësisht të parashikueshme dhe të kuptueshme për të gjithë. 

CMG: Ju e përmendët që kjo rritje është një stimul, një mjet motivimi, për të përmirësuar performancën e administratës sonë publike. Realisht, e shikoni një lidhje shkak-pasojë, pra rritjen e nivelit të trajtimit financiar të punonjësve, me rritjen e kërkesave të sitemit llogaridhënës në administratën tonë publike?

Ilir Ciko: Jo detyrimisht. Nuk mund të presim që me një rritje të pagave të kemi një ndryshim të menjëhershëm të performancës së administratës publike. Kjo, për disa faktorë. Së pari, personat të cilët janë të aftë në administratë dhe që punojnë prej vitesh dhe janë të përkushtuar në punën që kryejnë, e kanë kryer këtë punë, edhe pa rritjen që ne po flasim. Natyrisht që kjo rritje mund t’i motivojë ata që të jenë më produktivë në punën që kryejnë.

Nga ana tjetër, administrata është mjaft e ngarkuar dhe e fryrë me persona, të cilët lënë për të dëshiruar për vendin e punës. Pra, për punën që ata kryejnë dhe për pagesat që ata marrin. Ndaj, këtu nuk mund të shohim një lidhje shkak-pasojë. Pra, dikujt që nuk është i aftë për të kryer punën që i është besuar, atij sado që t’ia rrisësh pagën, kjo nuk do të ndikojë pozitivisht në performancën e tij.

Ndoshta tregu në një periudhë afatgjatë mund të ndikojë në një përmirësim të mëtejshëm të performancës publike. Mund të kemi pra, ndryshime të saj në të ardhmen. Por nuk besoj se në një periudhë afatshkurtër do të kemi dukshëm një ndryshim në mënyrën se si administrata publike do të vazhdojë të funksionojë.

CMG: A mund të jetë ky shtim pagash në sektorin shtetëror një stimul, një nxitës që dhe sektori privat të veprojë në të njëjtën mënyrë? Ne kemi parë që gjatë të gjithë këtyre viteve ka qenë sektori shtetëror, në dallim nga vende të tjera të rajonit dhe shtete të Evropës Perëndimore, që ka udhëhequr rritjen e pagave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Ibrahimaj në Kuvend (Foto Ministria )

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Ibrahimaj në Kuvend (Foto Ministria )

Ilir Ciko: Unë këtu shoh edhe arësyen kryesore se përse qeveria e ndërmori një masë të tillë. Kapërcimi, kalimi në një nivel tjetër të zhvillimit të Shqipërisë, pa dyshim që duhet të shoqërohet dhe me një rritje të ndjeshme të nivelit të pagave.

Duke qenë se sektori publik, të paktën nga shifrat zyrtare, pra ata që janë të punësuar në tregun formal të punës, përbën mbi një të katërtën e të punësuarve, pra 26 përqind të atyre punonjësve që paguajnë sigurimet shoqërore, atëhere sigurisht që rritja e pagave në një të katërtën e tregut të punës, ka efektet e saj edhe në pjesën tjetër të tregut të punës, që është sektori privat.

Kjo është tërësisht normale. Çdokush që sheh, një person me të cilin ka lidhje, jeton në të njëjtin pallat apo në të njëjtin qytet, natyrisht që do të kërkojë që dhe atij t’i rritet paga. Pra, do të kemi një presion të pashmangshëm edhe në sektorin privat. Por duhet të kemi parasysh se, ndonëse sektori publik është ai që shtyn përpara, është lokomotiva, për të tërhequr, për të çuar në një rritje të përgjithshme të pagave, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se realisht në ekonominë e tregut, është sektori privat ai që duhet të luajë faktorin parësor në këtë drejtim. Të mos harrojmë që sektori privat ka shumicën e punësimit tek ne.

Faktikisht kjo nuk ka ndodhur. Po të shikoni rritjen e nivelit të pagave në sektorin privat gjatë viteve, ka qenë mjaft e dobët. Kjo vjen edhe për shkak të informalitetit dhe problematikave që ne kemi me pagat.

Ndaj është interesant të shihet se çdo të ndodhë në kah të kundërt. Pra ky presion që përmenda, presioni pozitiv që vjen nga rritja e pagave në administratën publike, a do të përkthehet me një rritje të mëtejshme në tregun e punës, përsa i përket sektorit privat.  Duhet të kemi parasysh edhe një pikë të fundit, e cila është mjaft e rëndësishme. Përsa i përket sektorit privat, kemi edhe kufizime, ku ky sektor e ka shumë të vështirë, për të rritur nivelin e pagave, përtej disa limiteve të caktuara.

Për shembull, një pjesë shumë e madhe e atyre që janë të punësuar në sektorin privat, janë të vetëpunësuar, ose që punësojnë personat në familjen e tyre. Ata nuk janë të prirur për të rritur atë pagë që ata formalisht e deklarojnë në organet tatimore. Ndaj, nuk besoj se kjo do të sjellë një shtysë, për këtë kategori të punësuarish në sektorin privat.

Nga ana tjetër, sektori privat ka nënsektorë të tjerë, sikurse është nënsektori i tekstileve apo i prodhimit të këpucëve, pra sektorët fason, të cilët realisht sot konkurrojnë në tregun global, pikërisht me koston e fuqisë punëtore.

Dhe një rritje sado e vogël pagave, pra e kësaj kostoje, në strukturën e kostove të tyre, pa dyshim që i vendos këto biznese në një situatë më pak konkurruese, në krahasim me bizneset e tjera, të cilat operojnë në vendet e tjera në zhvillim. Si pasojë e këtij veprimi, ne mund të ndjejmë gjatë muajve të ardhshëm edhe një humbje të konkurrueshmërisë, të cilën e kemi patur deri tani në këta nënsektorë, për shkak të kostos së ulur të fuqisë punëtore.

Gjithsesi, edhe këtë zhvillim unë e shoh pozitivisht, pasi Shqipëria është e pashmangshme që do te duhet të lëvizë. Pra, të kalojë në një tranzicion, nga këto industri tradicionale që kanë ushqyer ekonominë gjatë këtyre 30 viteve, drejt sektorëve më produktivë të prodhimit dhe të shërbimeve.

Kjo është një kërkesë e tregut. Pra, nuk mund të mbetemi në këta sektorë. Aq më tepër, kur të gjithë jemi dëshmitarë se cilido që futet në tregun e punës, sidomos të rinjtë, të cilët i bashkohen tregut të punës, e kanë të vështirë dhe nuk preferojnë që të hyjnë në aktivitete të tilla prodhuese. Ndërsa nga ana tjetër, ata që sot punojnë në këto uzina dhe këto fabrika, të cilat prodhojnë tekstile dhe këpucë, gradualisht janë duke shkuar drejt moshës së pensionit dhe do të jetë e vështirë që të zëvendësohen në tregun e punës.  

CMG: Gjatë vitit të kaluar, patëm dy rritje të ndjeshme të pagës minimale. A shikoni një lidhje mes dy rritjeve të pagës minimale të vitit të kaluar, me rritjen e deklaruar nga qeveria të pagës mesatare?

Ilir Ciko: Janë patjetër të lidhura me njëra-tjetrën. Janë veprime që, duke shtyrë lart edhe pagën minimale, e cila vlen për të gjithë, por edhe pagën mesatare të administratës publike, pa dyshim që të gjitha këto çojnë në atë efekt që e përmendëm më parë, pra që të mbështesim ose të ndihmojmë kalimin e Shqipërisë në një nivel tjetër tranzicioni, drejt një produktiviteti më të lartë në punë.  

CMG: A do ta rrisë konsumin në vend ky shtim i ndjeshëm i pagës mesatare të administratës shtetërore?

Ilir Ciko: Kjo është e diskutueshme. Shumë e diskutueshme. Më shumë se sa shtim të konsumit, mendoj se një rritje e tillë e pagave ka presion më të lartë në drejtim të inflacionit. Kjo, pasi, nëse deri tani, deri në fund të vitit të kaluar, presioni që vinte nga inflacioni ishte më shumë i importuar, për shkak të krizës në Ukrainë, apo krizës së produkteve energjitike, të cilat  u tejçuan edhe në ekonominë shqiptare, ajo që po vërejmë, veçanërisht këto javët e fundit, lidhet më shumë me atë që ne jemi duke e përjetuar. Pra, një inflacion të prodhuar edhe nga vetë veprimet që po marrim, sikurse është rritja e pagave në administratën publike. Është normale që një rritje e tillë e pagave të çojë drejt pritshmërive për një konsum më të lartë dhe çmime më të larta, nga të gjithë ata që tregtojnë mallra dhe shërbime për konsumatorët vendas.

CMG: Ministrja e Financave foli për një efekt financiar të rritjes së pagave në administratën shtetërore prej 39 miliardë lekë në vit në Buxhetin e Shtetit, ose mbi 360 milionë euro, me raportin e sotëm të këmbimit euro-lek. Qeveria është e bindur se ky fond është i përballueshëm me burimet e sotme të të ardhurave të buxhetit të shtetit, pa rritur borxhin publik. Opinioni juaj, ju lutem.

Ilir Ciko: Ndonëse shuma mund të jetë e përballueshme për kushtet ku ndodhet Buxheti i Shtetit sot, do të thoja se një rritje e tillë, e cila është e konsiderueshme, pra, edhe shifra që ju përmendët, së pari, nuk ka qenë e inkuadruar në Buxhetin e Shtetit të vitit 2023. Ndaj, është një kosto shtesë që sillet në këtë buxhet, pavarësisht se qeveria mund të thotë që i ka mundësitë për ta përballuar një shtesë të tillë. Sërisht, nuk është se jam kundra rritjes. Jam krejtësisht në favor të rritjes së pagave. Është një faktor tepër i rëndësishëm motivues për administratën publike.

Megjithatë, e theksoj edhe njëherë që veprime të tilla duhet të jenë në një kuadër plotësisht të qartë dhe të konturuar, si nga ana e pritshmërive që individët që punojnë në administratën publike duhet të kenë, lidhur edhe me karrierën që ata duan të kryejnë në administratë, por edhe me buxhetin afatmesëm dhe afatgjatë të vendit, për të shmangur sa më shumë të jenë e mundur ngarkesa, të cilat vijnë ndoshta jo të konceptuara si duhet në kohë, siç është problemi që ne jemi duke trajtuar.  

Rritja e pagave (Foto Këshilli i Ministrave)

Rritja e pagave (Foto Këshilli i Ministrave)

CMG: A do të ketë kjo rritje e konsiderueshme e pagës mesatare një ndikim pozitiv edhe në nivel të kufizimit të korrupsionit, apo të dhënies së rryshfeteve në administratën tonë publike?

Ilir Ciko: Llogjika thotë se kurdo që ka një rritje të tillë të pagës, ajo zbut dhe zvogëlon edhe pritshmëritë që mund të kemi për korrupsionin në administratë. Në fakt, realiteti është i ndryshëm. Realiteti ka treguar që edhe në vende të tjera, jo vetëm në Shqipëri, pavarësisht se pagat mund të rriten, kjo nuk ka një korelacion të dretjpërdrejtë me uljen e korrupsionit. Mendoj se korrupsioni është një fenomen negativ, i cili duhet luftuar dhe nuk duhet ushqyer, duke e zbutur me masa të tilla. Mendoj se është naiv si argument, që rritja e pagave në administratën publike do t’i bëjë punonjësit e saj më pak të korruptueshëm.

Intervistoi Fatos Çoçoli