Instituti Konfuci organizon kampin veror “You and Me in Beijing”, në bashkëpunim me Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, i cili mundëson qëndrimin e studentëve shqiptarë në kampusin e Pekinit.
Kampi veror këtë vit do të zhvillohet nga 18-31 korrik dhe mirëpret 25 studentë shqiptarë të Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës për një eksperiencë të paharrueshme kulturore, turistike dhe mësimore.
Qëndrimi i studentëve përfshin mësimin e gjuhës kineze në universitet, aktivitetet e shumta në kampus si lojëra, kaligrafi, tai chi, gatimet tradicionale por dhe vizitat në Murin e Madh Kinez, Qytetin e Ndaluar, Pallatin e Verës, si dhe Tempullin e Qiellit.
Për Grupin Mediatik të Kinës drejtori i Institutit Konfuci Erion Malaj flet rreth pjesmarjes së studentëve shqiptarë në këtë kamp veror, por dhe për veprimtaritë e pritshme të Institutit.
Studentë pjesmarrës në kampin veror (Foto nga Instituti i Konfucit)
CMG: Jemi mësuar që në sezonin veror institucionet akademike kanë një periudhë pushimesh. Instituti Konfuci mbyllet në verë?
Erion Malaj: Ndryshe nga institucionet tipike akademike këtë verë ne kemi zgjedhur të mos mbyllim për një arsye të thjeshtë sepse kemi studentë që kanë dëshirë të ndjekin kurset në verë. Ata kanë mundësi të ndjekin kurset në verë sepse gjatë vitit kanë ngarkesë akademike dhe disa prej tyre janë në punë. Ashtu si dhe shumë vite të tjera këtë verë do të qëndrojmë të hapur, ndoshta jo në kapacitetin e plotë, por pedagogët dhe një pjesë e stafit do të jenë në Institut.
Kurset e gjuhës dhe kulturës kineze do të ofrohen edhe online për ata studentë që nuk ndodhen në Tiranë, por mund të ndjekin kurset.
Studentë shqiptarë në kampin veror në Pekin në vitin 2019 (Foto nga Instituti Konfuci)
CMG: Instituti Konfuci ditët e fundit ka njoftuar hapjen e regjistrimeve për kampin veror “You and Me in Beijing”, në bashkëpunim me Universitetin e Studimeve të Huaja në Pekin. Të flasim më hollësisht për këtë kamp veror
Erion Malaj: Kampi veror organizohet çdo vit në bashkëpunim me partnerin tone që është Universiteti i Studimeve të Huaja në Pekin. Kjo është një mundësi e artë për studentët tanë që mësojnë gjuhën dhe kulturën kineze, sepse nuk mund të ndihen të plotësuar pa vizituar Kinën.
CMG: Bëhet fjalë për studentët e Institutit Konfuci të të gjitha niveleve që mund të shkojnë në këtë kurs veror?
Erion Malaj: Ka disa kufizime, sepse studentët duhet të kenë minimalisht nivelin e dytë të gjuhës kineze, i cili nuk është i vështirë për t’u arritur, sepse duke ndjekur studimet te ne mund të arrihet dhe brenda 6 muajve.
Ndërkohë ka dhe një kufizim moshe, për t’i dhënë mundësinë më të rinjve të njohin nga afër gjuhën dhe kulturën kineze. Mosha varion nga 15 deri në 25 vjeç.
Studentë pjesmarrës në kampin veror (Foto Instituti i Konfucit)
CMG: Në cilën periudhë do të zhvillohet kampi veror në Pekin?
Erion Malaj: Ata do të shkojnë në korrik dhe do të qëndrojnë 2 javë nga 18-31 korrik. Gjithçka është organizuar nga Universiteti i Studimeve të Huaja në Pekin duke nisur nga qëndrimi, kurset e gjuhës vizitat në vendet më të bukura të Pekinit janë të mbuluara nga pala kineze, partneri ynë.
Ndërsa studentët tanë do të paguajnë vetëm biletën vajtje-ardhje të udhëtimit. Kjo është një ndihmesë e madhe sepse të shkosh në një vend të largët si Kina duke paguar vetëm biletën e avionit gjykoj se është një mundësi shumë e mire për studentët. Jo më kot kemi patur 65 aplikime për të marrë pjesë në këtë kamp veror ndërkohë që nga Shqipëria do të mund të shkojnë 20-25 studentë. Prandaj është e vështirë dhe për ne që të përzgjedhim studentët fitues.
CMG: Çfarë do të mësojnë studentët shqiptarë gjatë kampit veror, pjesën teorike, apo dhe veprimtari kulturore ?
Erion Malaj: Instituti ynë promovon jo vetëm gjuhën, por dhe kulturën kineze. Kina është një vend me larmishmëri të madhe kulturore dhe nuk mund t’u shpjegosh studentëve gjuhën pa u mësuar dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me kulturën.
Edhe programi që universiteti atje ka planifikuar ka në përbërje dhe aktivitete kulturore, por dhe vizita në pika shumë të rëndësishme historike të Pekinit si Muri i Madh Kinez, Qyteti i Ndaluar, Tempulli i Qiellit etj. Në këto vende studentët do të kenë mundësinë të shohin nga afër historinë dhe traditën kineze.
Studentët shqiptarë në prerjen e letrës (Foto nga Instituti Konfuci)
CMG: Pas përfundimit të kampit veror studentët shqiptarë do të certifikohen nga organizatorët?
Erion Malaj: Po, ata marrin një certifikatë nga universiteti atje për pjesmarrjen në këtë aktivitet. Në këtë kamp veror do të ketë 150 pjesmarrës ku 20-25 do të jenë nga Shqipëria dhe të tjerët do të jenë nga rreth 8 shtete të tjera, kryesisht nga Bashkimi Europian.
Studentët tanë do të kenë mundësi të kryejnë shkëmbime kulturore me pjesmarësit nga Kina por dhe të vendeve të tjera në këtë kurs veror.
CMG: Kjo për studentët do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonëshme
Erion Malaj: Patjetër. Unë ua kam thënë gjithmonë studentëve që këto janë mundësi të arta që unë vetë do të kisha shumë dëshirë t’i kisha. Kur kam qenë student këto kontakte i kemi patur më të limituara, ndërsa tani është e mundur për t’u zhvilluar.
Foto nga CMG
CMG: Kur do të startojë viti i ri akademik në Institutin Konfuci? A ka ndonjë risi në kurrikulën e këtij viti akademik?
Erion Malaj: Përpara se të startojë viti i ri akademik tani në verë do të kemi dy aktivitete të tjera. Veprimtaria e pare do të jetë “Chinese Bridge” (Ura kineze), që është aktivitet i përvitshëm. Në të do të marrin pjesë 11 kandidatë për të fituar çmimin e madh dhe më pas të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin final në Kinë ku do të mblidhen fituesit e këtij konkursi nga e gjithë bota. Konkursi i njohurive të gjuhës kineze “Chinese Bridge” do të zhvillohet më 15 qershor dhe pasi të shpallet fituesi do ta ndihmojmë atë që të përgatitet për të qenë sa më rezultativ në konkursin botëror, i cili është i përmasave shumë të mëdha.
Më pas do të kemi disa vizita në terren, kryesisht në kompanitë kineze , të cilat operojnë në Shqipëri. Studentët tanë do të vizitojnë këto kompani ku do të takohen me stafin . Në vijim do të jetë provimi i gjuhës kineze i njohur si HSK .
Përgatitjet do të rifillojnë në shtator kur hapen regjistrimet, ndërsa në tetor kemi fillimin e vitit të ri akademik.
Një tjetër risi do të jetë organizimi në muajin nëntor për here të pare i një konference ndërkombëtare ku do të marrin pjesë studiues jo vetëm të gjuhës kineze, por dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekonomike që Kina ka me mbarë botën. Ky do të jetë një aktivitet i madh që organizohet me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Institutit Konfuci në Tiranë.
Intervistoi Eda Merepeza