Nxënës në klasë (Foto nga WeAreTeachers)
Mësimdhënia cilësore, përbën zemrën e vendosjes së disiplinës. Disiplina ka të bëjë me rregullin, i cili është i nevojshëm në klasë për të siguruar të nxënët e efektshëm të nxënësve. Për këtë çështje ka botime të panumërta në vendet me arsim të përparuar. Çështja më e rëndësishme për disiplinën është që krijimi i rregullit që ka të bëjë më shumë me mjeshtëritë e mësimdhënies së suksesshme, sesa me korrigjimin e sjelljeve jo të përshtatshme të nxënësve. Nëse veprimtaritë në klasë planifikohen mirë, paraqitja e mësimit mban të përqëndruar vëmendjen e nxënësve, interesin dhe përfshirjen e plotë të tyre. Në një intervistë për Radio Ejani punonjësja sociale Loreta Kruja na flet hollësisht rreth kësaj teme.
Loreta Kruja -Punonjëse sociale (Foto personale)
CMG: Kohët e fundit mësuesit përballen çdo ditë me sjellje jo të mira nga nxënësit në shkolla. Cili është problemi kryesor për këtë situatë?
Loreta Kruja: Fëmijët qëndrojnë për një kohë të gjatë me pajisjet elektronike. Kjo ka bërë që të kenë një shkëputje nga realiteti dhe t’u sjellë probleme me komunikimin, ndërveprimin dhe ballafaqimin, duke u përballur në mënyrë periodike dhe fizike dhe jo vetëm në mënyrë virtuale. Problemi kryesor është mungesa e komunikimit e balancave, humbja e raporteve ndërpersonale, fëmija me prindin, raporti nxënës -mësues, marrëdhënia e nxënësve me njëri- tjetrin. E gjitha kjo shërben në humbjen e kësaj balance dhe mosbindjes së autoritetit, që në këtë rast është mësuesi ose drejtuesi i shkollës.
Nxënësit në orën e mësimit (Foto Revista Psikologjia)
CMG: Çfarë i bën të padisiplinuar nxënësit sot?
Loreta Kruja: Në përgjithësi vihet re që tek nxënësit e fillores dhe deri tek adoleshentë që ka një mosrepekt ndaj mësuesit, drejtuesve dhe shërbimit psiko-social na shkolla. I njohin shumë të drejtat e tyre, por nuk u pëlqen t’i respektojnë detyrimet që kanë në shkollë. Duhet angazhuar një formë ndëshkimi, duhet diskutuar mbi kodin e etikës, disiplinës në shkollë, kjo gjë bën që fëmijët të fitojnë terren. Ata i dinë të drejtat e tyre, e dinë se është psikologia në shkollë për të mbrojtur të drejtat e tyre në mënyrë që të mos bullizohen e mos të dhunohen psikologjikisht, kjo i bën ata të mendojnë se kanë të drejta, por kanë harruar se kanë një kod etike, moral, normash dhe vlerash, plus që janë edhe ligjet brenda sistemit të shkollës, të cilat duhen respektuar nga nxënësit. Ky terren i lirshëm për ata e çekuilibron marrëdhënien mësues- nxënës, prish procesin mësimor, prish balancat e nxënësve që mund të jenë me sjellje shembullore për të marrë nga shkolla më të mirën.
Nxënësit në klasë (Foto Google)
CMG: Si mund të rikuperohet kjo gjë?
Loreta Kruja: Ne në psikologji themi se është më mirë të parandalojmë sesa të shërojmë apo të zgjidhim. Patjetër që ka një formë dhe kjo rikuperohet, do ishte shumë mirë që të veprohej nga ekipi multidisiplinar në shkollë që me klasat e para. Që në klasë të parë fëmijët duhet të mësohen me normat e etikës, vlerave, normat e parimet e rregullores së shkollës të drejtat dhe detyrat e nxënësit, të njihen mirë paketa e detyrave dhe të drejtave në shkollë. Duhen takime me shërbimin psiko-social në shkollë që në klasë të parë, për të mësuar se si duhet të sillet në shkollë, si duhet ta respektojë mësuesin, si duhet të komunikojë me mësuesin, si duhet të ndërveprojë me nxënësit e tjerë, si duhet ta ketë marrëdhënien ai me drejtuesit. Pra duhet të ketë një balancim, duhet të kenë takime periodike, të ketë fushata sensibilizuese, edukuese, informuese, që ne t’i tregojmë këtyre fëmijëve që në moshë të hershme, mundësisht edhe që në kopësht të dinë si të sillen, si të komunikojnë, si të flasin, si të repektojnë të rriturit dhe të jenë fëmijë të edukuar, të sjellshëm dhe të përpiqen të krijojnë balanca dhe të ndërtojnë raporte të mira nxënës dhe mësues. Gjithashtu duhet një bashkëpunim edhe me prindërit në shtëpi dhe ata t’i rrisin fëmijët me frymën që në shkollë duhet t’i repektojnë rregullat, të drejtat por edhe detyrimet e tyre. Shkolla nuk është thjesht një mjedis edukues, socializues, argëtues, por është edhe një mjedis ku ne mësojmë vlerat, normat dhe rritemi qytetar më të mirë, të denjë dhe më të edukuar nesër.
Mësuesja dhe nxënësi (Foto nga Understood.org)
-Sjellja e padëshirueshme e nxënësit mund të ndodhë nga koha në kohë, madje, edhe në orët e mësimit të mësuesve më të zotë; e atyre u duhet të merren me të. Do ishte gabim nëse mësuesi do të përpiqet të vendosë disiplinën, duke u përpjekur të imponohet dhe të ngjallë ndjenjën e frikës tek nxënësit, si një mënyrë për të zvogëluar sjelljen e keqe. Ndërmarrja e një veprimi të tillë është e padëshirueshme, jo vetëm sepse ai do të prishë krijimin e klimës së nevojshme pozitive në klasë që ndihmon të nxënit efikas, por edhe sepse ajo largon vëmendjen e mësuesit në zhvillimin e mësimit, si një nga mënyrat kryesore për vendosjen e rregullit. Natyra e sjelljes së padëshirueshme të nxënësit, janë jo të pakta dhe, si të tilla, duhen trajtuar me kujdes nga mësuesi, sepse marrëdhëniet mësues- nxënës luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e sjelljeve positive të tyre.
Intervistoi: Sava Lena