Endri Foto për CMG
Mes konkurrencës, mundësive apo dhe pamundësive, mes privilegjeve apo disavantazheve të origjinës, është mjaft e vështirë që t’ia dalësh dhe të kesh sukses si emigrant. Ndërsa vizitova gjatë fundjavës Romën në Itali, përveç bukurisë që të ofronte qyteti, më bëri përshtypje numri i madh i emigrantëve shqiptarë, të cilët dukej se po ecnin suksesshëm në rrugën e biznesit në Romë. Shumë biznese në fushën e restoranteve në këtë vend turistik menaxhohen nga shqiptarët. Rrugëtimin ata e kanë nisur me shumë punë, duke ardhur dhe suksesi në mënyrë graduale. E ndërsa u ndala në një restorant ku po drekoja pranë “Piazza Di Spagna”, vura re se të gjithë djemtë e stafit që na shërbyen ishin shqiptarë. Arrita të realizoj një intervistë për Radio Ejani me Endritin, kuzhinierin e restorantit, një emigrant shqiptar prej më shumë se një dekade në kryeqytetin italian.
CMG: Më bëri përshtypje që në të gjitha lokalet dhe restorantet ku jam ulur pothuajse i gjithë stafi kanë qenë shqiptar. Duket se shqiptarët po ecin suksesshëm edhe në biznes, aq më tepër një një vend me turizëm shumë të lartë siç është Roma.
Endrit: Po, është e vërtetë se shqiptarët po ecin suksesshëm, por me shumë sakrifica, kanë marrë shumë punë përsipër dhe janë mjaft punëtorë. Madje kanë dominuar shqiptarët në menaxhimin e lokaleve dhe restoranteve këtu në Itali.
CMG: Nga cili qytet i Shqipërisë je dhe sa vite ke që jeton në Romë?
Endrit: Unë jam nga Lezha dhe këtu në Romë jetoj prej 12 vjetësh.
CMG: Si ishin fillimet e tua ?
Endrit: E nisa punën në fillim si kamarier dhe më pas fillova të punoj në kuzhinë, si picajol. Shpresoj që të vazhdoj këtu.
Endri Foto CMG
CMG: Si është jetesa në Romë, për një emigrant shqiptar?
Endrit: Jetesa nuk është e lehtë, ka vështirësitë e veta. Nëse është një familje me 4 pjesëtarë duhet të punojnë të paktën dy persona. Unë jetoj me familjen dhe punojmë bashkë me bashkëshorten.
CMG: Sa orë në ditë të duhet të punosh?
Endrit: 10 deri në 12 orë në ditë për të ecur përpara dhe për të pasur diçka tënden, por një person i vetëm është e vështirë që t’ia dalë.
CMG: Në cilën periudhë kohe ka më shumë turistë në Romë, që rrjedhimisht edhe ju keni më shumë punë?
Endrit: Situata gjatë Covid-19 ishte shumë e keqe, por pas Covid-it është normalizuar. Periudha që ka më shumë turistë fillon nga fundi i marsit deri në fillim të tetorit, më pas bie pak puna deri nga mesi i dhjetorit. Për të rinisur sërish nga fundi i dhjetorit dhe janari që ka lëvizje. Pastaj fluksi fillon në mars e në vazhdim.
CMG: Sa klientëve në ditë u shërbeni në një ditë si sot, kur shoh një dyndje të madhe të turistëve?
Endrit: Në një ditë si sot që është ditë e dielë, mund të kemi 300 deri në 400 turistë në ditë, ndërsa mesatarja javore mund të arrijë deri në 200 klientë në ditë.
CMG: Sa lokale mund të jenë këtu në Romë që menaxhohen nga shqiptarët dhe që punojnë shqiptarë?
Endrit: Që menaxhohen nga shqiptarët mund të jenë mbi 50 përqind, por që punojnë shqiptarë mbi 70 përqind, pra janë integruar shumë. Pastaj ne kemi gati një mentalitet me italianët.
Restoranti në Romë ku punon Endriti
CMG: A vijnë shumë turistë shqiptarë që u shërbeni këtu?
Endrit: Nuk kemi arritur t’i dallojmë të gjithë, por kanë qenë edhe shumë personazhe të njohur të ekranit si, Arbana Osmani, Bes Kallaku (Besit i kemi dhënë domate dhe djathë ), pastaj ka qenë Artjola Toska këtu afër Piazza Di Spagna, por edhe personalitete të politikës i kemi takuar nga afër.
CMG: A janë punëtorë shqiptarët?
Endrit: Shqiptarët janë shumë punëtorë dhe menaxhues më të mirë se italianët, pasi i kanë kaluar të gjitha fazat, janë të përgatitur që kanë arritur deri aty. Ata që janë pronarë, janë të mirëinformuar dhe dinë shumë mirë që ta çojnë biznesin përpara.
CMG: Do të vazhdosh të jetosh në Romë?
Endrit: Po, ndjehemi mirë, punojmë, nuk ndjehemi më poshtë se italianët. Ndjehemi të barabartë, i paguajmë të gjitha taksat.
CMG: Cili është suksesi i shqiptarëve këtu?
Endrit: Sinqeriteti, besnikëria dhe kokëfortësia e shqiptarit, këto janë.
-Shqiptarët janë të suksesshëm jo vetëm në biznes, por edhe në fusha të ndryshme, si edhe ato të artit. Me punën, përshkushtimin, seriozitetin dhe talentin e tyre, kanë arritur që të ecin suksesshëm dhe të integrohen jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë.
Intervistoi: Sava Lena