Vendet e reja të punës që kanë të bëjnë me modele themelore të inteligjencës artificiale (AI) për të sapodiplomuarit në shkollat e larta në Kinë janë rritur 172.53 %, thuhet në një raport të publikuar ditët e fundit në uebsajtin kinez të kërkimit të punës "Liepin".
Foto:VCG
Sivjet numri i të diplomuarve të universiteteve në Kinë pritet të arrijë një nivel rekord prej 11.58 milionësh.
Në tremujorin e parë të këtij viti, kërkesa për menaxherë produkti, operatorë përmbajtjeje dhe inxhinierë të përpunimit të gjuhës natyrore në fushën e inteligjencës artificiale u shtua 300 %, sipas të dhënave statistikore nga "Boss Zhipin", një platformë punësimi dhe kërkimi pune në internet.
Përmbajtja e krijuar me anë të AI-së (AIGC), që do të thotë përdorimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale për të krijuar përmbajtje të ndryshme, konsiderohet si një formë e re e prodhimit të përmbajtjeve, duke përfshirë pikturimin, shkrimin e programimin me anë të AI-së.
Sipas një studimi të bërë nga "Boss Zhipin", që nga viti 2022 mbi 80 % e vendeve të punës që kanë të bëjnë me AIGC-në, lidhen me industrinë e internetit. Sidoqoftë, sivjet ka një prirje të fortë rritjeje për pozicionet lidhur me AIGC-në në fushën e zbavitjes, si edhe në industritë farmaceutike dhe mjekësore.
Në të njëjtën kohë, janë krijuar profesione të reja në fusha lidhur me AIGC-në, të tilla si inxhinier i algoritmeve 3D-AIGC, optimizues i ChatGPT, inxhinier i aplikimit të ChatGPT etj.
Sipas të dhënave nga "Liepin", pagat mesatare vjetore për vendet e punës lidhur me prodhimin inteligjent, AIGC-në dhe modelet themelore të AI-së janë më të lartat ndër të sapodiplomuarit e punësuar, me një nivel mesatar përkatësisht 330 200 juanë (46 379 dollarë amerikanë), 303 600 juanë dhe 279 900 juanë në vit.
Foto:VCG
Që prej vitit 2022, këto mundësi të lidhura me AIGC-në kanë qenë kryesisht në Deltën e Lumit Jance dhe rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, duke përfshirë veçanërisht Pekinin, Shangain dhe provincën Zhejiang.
"Boss Zhipin" vëren se punët e lidhura me AIGC-në kanë kërkesa të larta arsimore. Mbi 80 për qind e vendeve të punës kërkojnë një diplomë universitare a gradë "master", ndërsa ka një rritje të madhe prej 430 për qind në vit të kërkesës për doktorantë të specializuar në modelet themelore të AI-së.
Sipas "Liepin", tre fushat që kanë njohur shtimin më të madh të aplikimeve nga të diplomuarit këtë vit përfshijnë prodhimin inteligjent, AIGC-në dhe modelet themelore të AI-së, me një rritje vjetore përkatësisht prej 303.12 , 297.27 dhe 235.25 %.
Chen Dingding, themelues i Institutit "Intellisia" me bazë në Guangzhou, është optimist rreth kësaj prirjeje, pasi do të thotë që po krijohen më shumë mundësi për studentët kinezë në fushën e AI-së.
Foto:VCG
Ai beson se, me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së AI-së dhe përhapjen e përdorimit të saj, kërkesa për talente në këtë fushë do të rritet, duke çuar në potenciale dhe epërsi më të mëdha për studentët kinezë.(Zhang Yan/Artan)