Rritja e pagave për administratën publike dhe deputetët, opinion i ekspertes së INSTAT
2023-06-08 10:56:08

Rritja e pagave të administratës publike dhe autoriteteve të larta (Foto Abcnews.al)

Rritja e pagave të administratës publike dhe autoriteteve të larta (Foto Abcnews.al)

Ekspertja e statistikave, njëherësh ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja në një intervistë për mediat ka  komentuar vendimin e qeverisë për rritjen e pagave për administratën publike, deputetët dhe ministrat, duke shprehur dhe vërejtjet e saj lidhur  me studimin e këtij vendimi.

“Nuk kam dëgjuar nga qeveria që të ketë një studim për këtë gjë, sepse kur bëhet një rritje e pagave, sidomos për pjesën që deputetëve ose anëtarëve të qeverisë, kanë një studim, pasi nuk u kuptua sesi do të bëhet kjo rritje e pagave. Duke marrë parasysh sesi variojnë pagat në Shqipëri, të paktën në shifrat që kam të INSTAT, që janë nga burime administrative, të sakta, them që mbi 40% e popullsisë në Shqipëri kanë një pagë deri në 40 mijë lekë të reja. Kjo është për sa i përket tre mujorit të fundit të vitit 2022, pra paga minimale. Mbi 1 milionë e 200 mijë, që është pjesa me pagë më të lartë janë vetëm 7.7%  e popullsisë dhe pjesa tjetër janë në nivele të tjera. Por nëse ke një përqindje  të kontribuuesve që janë rreth 40% me një pagë minimale, atëherë si mund të bësh një rritje kaq të lartë, ose mund ta bësh në mënyrë graduale për të gjitha kategoritë. Duhet të ketë distancim sepse faktikisht janë njerëzit që mendojnë për fatet e këtij vendi, por duhet të kishte një studim për të krijuar dhe një hendek.” – thotë Nurja.

 

Ekspertja Ines Nurja(Foto gazeta Standard)

Ekspertja Ines Nurja(Foto gazeta Standard)

Lidhur me vendimin ekspertja e statistikave bën një krahasim me vendet e tjera.

 

“ Unë kam parë dhe statistikat në vendet e tjera dhe të Komisionit Evropian ku ne synojmë të shkojmë. Sigurisht që ka një distancim, por  përqindja e popullsisë që ka një pagë minimale është vetëm 15%, duke filluar me një shifër shumë të lartë, jo 40 mijë lekë të vjetra sa e kemi ne në Shqipëri. Pra nuk ka një 40% të popullsisë që merr pagë minimale, është 15 % që është niveli i ulët dhe sërish ka një pagë që e përballon jetesën e tyre, qoftë nga ana e shportës ushqimore apo nga ana e edukimit, shëndetësisë dhe të tjera. Kurse kjo rritje e menjëhershme dhe për mua e pashoqëruar me një studim, pasi  unë nuk kam parë ndonjë studim për këtë gjë, se si do të bëhet. Për mendimin tim ky hendek i tillë çon në një shtresim akoma më tepër dhe krijon të famshmen shtresë e varfër dhe shtresë e lartë dhe pak që e kanë të mundur krijimin e shtresës së mesme. Ne e dimë që shtresa e mesme është motor i shoqërisë. Nëse ti krijon distancim kaq të lartë, nuk do të ketë shtresë të mesme”- shprehet ish-drejtoresha e INSTAT.

 

Sipas  eskpertes Nurja, 40% e popullsisë janë me pagë minimale.

 

“7.7% mbajnë mbi 1.2 milion, ajo që mund të konsiderohet shtresë e mesme nga 600 mijë deri në 1.2 milionë janë rreth 30% që janë shumë pak për  përqindje sepse 40% i zënë pagat e ulëta, duhet të ishin këto rreth 15 % sa janë në vendet e tjera dhe pjesa tjetër të shtohej tek shtresa e mesme që nuk ndodh. Faktikisht janë të dhënat, e kam dëgjuar shpesh herë të thuhet dhe informaliteti, por këto janë të dhëna zyrtare dhe çdokush bën llogaritë. Me të vërtetë ka informalitet, por njerëzit nuk e duan atë sepse ndikon në pensionin e tyre. Kanë kaluar 30 vjet nga ndryshimet dhe e dinë që puna informale ndikon tek pensioni i tyre sepse një punë informale, e paguar nën dorë dhe një pagë minimale 40 mijë lekë do i çojë ata në pensione minimale. Njerëzit duhet të bëhen të përgjegjshëm që të mos ketë paga informale”, vlerësoi ajo.

 

 

Efektet në buxhetin e shtetit (Foto Abcnews.al)

Efektet në buxhetin e shtetit (Foto Abcnews.al)

Me këto rritje, sipas ekspertes paga e thellon distancimin mes shtresave të shoqërisë. Duhet bërë indeksimi, sidomos për pensionistët.

 

“Pensioni në fshat është 9 mijë lekë ndërsa në qytet është 19 mijë lekë dhe janë 669 mijë pensionistë, nuk janë pak që marrin këtë pagesë, shto edhe 40% që marrin 40 mijë lekë, krijohet një hendek tepër i madh mes rrogave të deputetëve dhe pagave minimale dhe pensioneve. E them sërish, duhet të ekzistojë hendeku sepse ekziston në të gjithë vendet e botës, por të jetë një  përqindje më e vogël dhe duhet që pensionet dhe rroga minimale të sigurojnë jetesën dhe jo për mbijetesë. Ne këtu jetojmë të gjithë dhe e dimë shumë mirë që një rrogë sado e madhe nuk ka ndikim tek korrupsioni. Ulja e korrupsionit mund të sjellë një minimizim sepse nuk e ul kjo korrupsionin, përkundrazi rrit varfërinë. Problemi kryesor është që një popull i varfër blihet shumë kollaj, ndërsa një popull me shtresë të mesme e ka të ardhmen të sigurt.”

 

Më 25 maj Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për rritjen e pagave. Zbatimi i ligjit nisi nga data 1 prill dhe mes 130 mijë punonjësve të administratës që përfitojnë, janë edhe funksionarët më të lartë shtetërorë, nga presidenti deri te deputetët e ministrat.

Sipas ligjit, paga më e lartë është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë, e përcaktuar edhe si pagë referencë, që paraprin të gjithë hierarkinë e pagave për të gjitha pozicionet e tjera.

Dy funksionarët e tjerë më të paguar janë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të cilët paguhen njëlloj, 393 125 lekë. Ministrat që janë edhe deputetë do të marrin rrogën më të madhe, që është vlerësuar ajo e ministrit, e cila shkon në 318 750 lekë. Rritja e pagës mesatare në 900 euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 46,5 milionë euro. Nga 74 mijë e 450 lekë apo 650 euro që aktualisht paga mesatare është, shtesa për të arritur objektivin është 250 euro. Administrata publike aktualisht, përfshirë pushtetin qendror dhe atë vend numëron rreth 186 mijë të punësuar. Rrjedhimisht, nga arka e shtetit do të dalin çdo vit rreth 5.2 miliardë lekë më tepër. Referuar deklaratave nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj këto fonde shtesë do të gjenerohen kryesisht nga rritja ekonomike dhe zgjerimi i borxhit publik. Gjithashtu më shumë para’ pritet të grumbullohen nga administrata tatimore nëpërmjet rritjes së taksave si dhe nga përmirësimi i produktivitetit të të punësuarve.