Ekonomia kineze do të vijojë të jetë motori i rimëkëmbjes së ekonomisë botërore
2023-06-08 21:10:04

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u shpreh në një konferencë për shtypin se kohët e fundit, një numër organizatash e institucionesh ndërkombëtare, si OKB-ja, Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar, e ngritën njëra pas tjetrës parashikimin e tyre për rritjen e ekonomisë kineze për këtë vit, disa prej tyre madje për disa herë me radhë. Kjo tregon plotësisht besimin e bashkësisë ndërkombëtare te perspektiva e ekonomisë kineze. Ekonomia kineze do të vijojë të luajë rolin e motorit për rimëkëmbjen ekonomike botërore.

Sipas njoftimeve, ditët e fundit, Banka Botërore dhe Organizata për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik publikuan raporte, ku e ngritën parashkimin për rritjen e ekonomisë botërore dhe të ekonomive kryesore. Banka Botërore parashikon se në vitin 2023, ekonomia kineze do të rritet 5.6 %, kurse sipas Organizatës për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik, rritja do të jetë 5.4 %. Të dy organizatat thanë se rihapja e Kinës i solli zhvillimit ekonomik botëror mundësi.

Wang Wenbin u shpreh se, sipas një sondazhi të bërë kohët e fundit nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë së Jashtme i Kinës, 97 % e sipërmarrjeve me investime të huaja në Kinë shprehën "kënaqësinë" e tyre për politikën e investimeve të huaja të hartuar nga qeveria kineze në 3-mujorin e katërt të vitit të kaluar. Kënaqësia e tyre për shërbimet financiare, hyrjen në treg etj. e kalon 80 %. Në raportin e Dhomës së Tregtisë të BE-së në Kinë del që faktorë si përmasat e tregut kinez, kërkesa e madhe, aftësia e lartë e përdorimit në biznes të rezultateve kërkimore dhe grupi i madh i talenteve vendore kanë nxitur shumë sipërmarrje evropiane të zhvillojnë kërkime në Kinë. Rreth 60 % e sipërmarrjeve u shprehën se do të shtojnë buxhetin në fushën e kërkimit në Kinë në 5 vjetët e ardhshëm. Edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë u shpreh se 66 % e sipërmarrjeve amerikane do të ruajnë ose do të shtojnë investimet në Kinë.

 "Sipërmarrjet e huaja u kushtojnë rëndësi mundësive të mëdha të sjella nga rimëkëmbja e fuqishme e ekonomisë kineze, vlerësojnë mjedisin e biznesit në Kinë që përmirësohet pandërprerë, kanë shprehur besimin e tyre për tregun kinez dhe do të vazhdojnë të investojnë në Kinë. Kina do të vijojë të nxitë hapjen e nivelit të lartë me botën e jashtme dhe do të krijojë një mjedis më të mirë biznesi të orientuar nga tregu, me sundim të ligjit e të ndërkombëtarizuar për sipërmarrjet e vendeve të ndryshme. Ne mirëpresim më shumë ndërmarrje të huaja të investojnë në Kinë për të marrë përfitime," tha Wang Wenbin. (Fani)