Investimet në Shqipëri dhe sfidat e bizneseve të huaja
2023-06-07 10:19:02

Biznese (Foto Monitor)

Biznese (Foto Monitor)

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri publikoi rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe të investimeve në Shqipëri. Drejtori Ekzekutiv i DIHA, Bledar Mankollari në një intervistë për mediat tha se pritshmëritë për situatën ekonomike në Shqipëri sinjalizojnë një pëmirësim të ngadaltë ndërkohë që mungesa e fuqisë punëtore mbetet shqetësim për biznesin. Shumica e kompanive anëtare të kësaj dhome kanë shprehur interes që të shohin mundësinë për të investuar sërish në Shqipëri.

“Rreth 70% të kompanive që morën pjesë pranuan apo do rikonsideronin investimin në Shqipëri, pra janë të kënaqur me kushtet që kanë gjetur dhe biznesi i tyre ecën mirë. Nëse e shohim grafikun sepse edhe në media lajmi i keq zakonisht tërheq, 45% e bizneseve gjermane janë të pakënaqur, por nëse marrim mirë dhe kënaqshëm % është në 55%, pra pak më shumë se gjysma gjithësesi janë të kënaqur. Unë do ta shikoja në trend. Meqë kemi edhe shifra të viteve të kaluara, po mund të shohim që nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh, pak a shumë 42-45% ka një stanjacion për sa i përket perceptimit të kompanive për klimën e biznesit dhe këtu flasim për situatën ekonomike në Shqipëri. Kjo ka të bëjë me pandeminë, sepse menjëherë pas pandemisë kanë qenë më të nguruara kompanitë për të dhënë një situatë pozitive në atë moment.”-  tha Bledar Mankollari.

Bledar Mankollari (Foto Ballkanweb)

Bledar Mankollari (Foto Ballkanweb)

Trendi nuk ka shumë ndryshim nga vitet e kaluara, sipas ekspertit.

“Trendi është pak a shumë në stanjacion, nuk ka ndryshim nga vitet e kaluara, mund ta shohim pozivitisht, mund ta shohim negativisht. Nëse e shohim pak optimist ndoshta mund të kishim edhe një përkeqësim të lehtë, nëse duam ta shohim negativisht atëherë mbas vitesh pandemie  dhe pas vitesh konflikti në Ukrainë, mund të ishin shifrat pak më pozitive, për sa i përket trendit. Ne i kemi përgjigjet në pyetësor, ku renditim faktorët që plotësojnë indikatorët që përcaktojnë të bërit biznes në Shqipëri, por  nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh. 5 faktorët me nota më të mira nuk kanë ndryshuar ashtu edhe 5 faktorët me nota më të këqija janë thuajse në të njëjtën renditje. Nëse i shohim ka disa përmirësime të lehta, tek faktorët negativë.”

Bizneset vazhdojnë të ngrenë shqetësimet për disa fenomene. Faktorë më negativë, sipas anketimit të sivjetëm, vijojnë të jenë mungesa e transparencës së tenderave publikë, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe siguria ligjore.

 

“Pra 5 faktorët më negativë janë akoma të njëjtët, ka disa nota pozitive në këtë drejtim por vazhdojnë të jenë akoma të njëjta. Janë transparenca e tenderëve publikë, lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, siguria ligjore, aksesi në fondet mbështetëse shtetërore dhe të BE-së, parashikueshmëria e politikave ekonomike, dhe disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar. Janë faktorë këto që janë vlerësuar më negativisht. “ tha  Bledar Mankollari Drejtori Ekzekutiv i DIHA.

Bizneset gjermane (Foto Gazeta standard)

Bizneset gjermane (Foto Gazeta standard)

 

Gjithësesi përfaqëesues të biznesit janë në bisedime me autoritetet përkatëse për zgjidhjen e problemeve.

 

“Qëndrimi i përbashkët që ishte para një muaji e gjysëm besoj, kishte të bënte thjesht me këto shqetësime që edhe anketa nxjerr. Normalisht ne kemi pasur edhe bisedime me qeverinë, qeveria punon në ato pika, gjithsesi ato janë pika le të themi pak jo thjesht të realizueshme në një kohë shumë të shkurtër. Duan kohën  e vet, janë shifra shumë të rëndësishme dhe nëse ne përmirësojmë ato lloj pikash situata ose të bërit biznes në Shqipëri do të përmirësohej ndjeshëm.”- shprehet Drejtori Ekzekutiv i DIHA.

 

Pjesa më e madhe e 44 bizneseve, anëtare të DIHA-s në Shqipëri, që morën pjesë në anketimin e sivjetëm e shohin mungesën e fuqisë punëtore si “rrezikun më të madh për biznesin”

“Të gjithë sektorët e ndjejnë këtë lloj mungese të fuqisë punëtore. Si tek sektori me një numër të lartë fuqi punëtore si fasonët ashtu edhe kompanitë më të vogla që kanë staf më të kualifikuar mungon kjo fuqi punëtore. Ka të bëjë thjesht me mungesën e fuqisë punëtore dhe jo me mungesën e fuqisë punëtore së kualifikuar. Për momentin kemi një kërkesë të lartë emigrimi dhe fuqia punëtore e kualifikuar që po largohet në këto momente mungon në tregun shqiptar. Ky është shqetësimi që bizneset kanë shprehur nëpërmjet pyetësorit.”

 

Pritshmëritë për situatën ekonomike në Shqipëri nuk kanë ndryshuar nga ato të vitit të kaluar: 45 përqind e kompanive e vlerësojnë “të pandryshuar”, 25 përqind kanë pritshmëri se do të jetë më mirë dhe dhe 30 përqind e vlerësojnë negativisht.