Fatjon Selimaj, sipërmarrësi i suksesshëm me pasion gazetarinë
2023-06-07 09:53:50

Hoteli The Crown në Tiranë (Foto nga hoteli)

Hoteli The Crown në Tiranë (Foto nga hoteli)

CMG: Si u gjende në botën e sipërmarrjes?

Fatjon Selimaj: Unë besoj se pas një eksperience shumë të gjatë në të gjitha shkallët e karrierës dhe pas shumë vitesh karrierë mendoj se kishte ardhur momenti që të gjitha njohuritë dhe eksperiencën time ta vija në dispozicion të vetes time dhe familjes, duke ndërtuar një biznes familjar.

CMG: Ka qenë e vështirë për ju në fillim për të ndërtuar këtë biznes apo gjithçka ka ardhur gradualisht?

Fatjon Selimaj: Unë besoj që nga ana e eksperiencës ka qenë pak më e thjeshtë, sepse ne kemi shumë vite që operojmë në tregun e hotelerisë dhe restoranteve. Ndërsa nga ana financiare patjetër që është e vështirë dhe duhet ndihmesë nga bankat, miqtë dhe të tjerë që të arrijmë të plotësojmë atë ëndrrën tonë për biznes.

Fatjon Selimaj te The Crown Tirana (Foto personale)

Fatjon Selimaj te The Crown Tirana (Foto personale)

CMG: E ke menduar ndonjëherë që do të arrije këtu ku je sot?

Fatojn Selimaj: Të them të drejtën jo, sepse ëndrra ime më e madhe ka qenë të bëhem gazetar dhe në rininë time e kam provuar përpara se të lëvizja jashtë vendit. E ndjeja që isha i mirë për atë profesion, por gjërat ndryshojnë rrugës, karriera merr drejtimin e saj dhe unë mendoj që secili nga ne duhet të shkojmë pas asaj që kuptojmë se është më e mira për ne dhe që dimë ta bëjmë më mirë.

CMG: Cili është sekreti për të arritur sukses në fushën e biznesit?

Fatjon Selimaj: Mendoj që sekreti kryesor është përkushtimi shumë i madh, pastaj janë shumë elementë të tjerë që duhet të gërshetohen me përkushtimin, që mund të jetë ndershmëria, një PR i mirë që i bën vetes si dhe rrjeti që krijon. Pra janë shumë elementë, por besoj se e para është përkushtimi dhe pasioni për punë që bën.

Pamje nga mjediset e hotelit (Foto Booking.com)

Pamje nga mjediset e hotelit (Foto Booking.com)

CMG: Keni jetuar prej disa vitesh në shtete të ndryshme të Europës, duke marrë dhe eksperiencë pune nga këto vende. Flasim për angazhimin tuaj në këto vende?

Fatjon Selimaj: Unë e them shpesh që profesionalisht jamë rritur në Itali dhe kam një kulturë pune italiane, që do të thotë i pari në front dhe i fundit në mbylljen e çdo gjëje në fund të ditës. Kështu që besoj se kjo më ka ndihmuar shumë, pastaj pjesa e Anglisë dhe Spanjës kanë diversitetin e tyre me Italinë, por më kanë ndihmuar në formim të plotë të personit që jam sot.

CMG: Ka qenë i vështirë vendimi për t’u rikthyer në Shqipëri dhe për të investuar në vendin tënd?

Fatjon Selimaj: Mendoj që ka qenë një vendim sa momental, por dhe i mirëmenduar. Unë jam patriot dhe e dua shumë vendin tim dhe mendoj se janë disa shtete siç është Anglia që unë i konsideroj një tunel i gjatë sepse kanë një dalje shumë të largët nëse ti nuk respekton këto tunelet që të dalin përpara, pra të shpëtosh nga ky udhëtim. Nëse nuk del nga këto të parat nuk del kurrë më dhe përfundon e ngelesh andej. Unë doja që fëmijët e mi të rriten në Shqipëri, kështu që zgjodha që një nga këto daljet, dhe më erdhi mundësia të shkëputem e të kthehem në Shqipëri. Të respektoj dëshirën time shumë të madhe për të jetuar në Shqipëri dhe për të dhënë kontributin që unë mendoj nga eksperienca që kam marrë nga hoteleri ta vë në zbatim të ideve të mia për të bërë një gjë të mirë në Shqipëri.

CMG: Prej disa vitesh The Crown Tirana ka hapur dyert. Çfarë e bën kaq të veçantë këtë ambjent për klientët?

Fatojn Selimaj: The Crown Tirana është një hotel i vogël dhe i sjellë në mënyrë shumë luksose, por jo një luks i tepruar sepse unë jam i idesë që e thjeshta është luksi modern. Ne jemi munduar që në këtë godinë të 1918-s ta transformojmë në një godinë me shumë shërbime, që secili nga mysafirët tanë ta gjejë veten shumë mirë si në hotel, bar, restorant dhe Spa. Përsa i përket restorantit që është biznesi kryesor i grupit tonë, është një nga idetë e restoranteve më të vështira për ta bërë dhe për ta menaxhuar, pasi luhet me fitime shumë të vogla, por është çështje pasioni sepse në fushën që ne operojmë është besoj rangu më i lartë i restoracionit, dhe jemi menduar që ta sjellim mirë. Tirana e ka pritur mirë dhe jemi shumë të lumtur.

CMG: Pse zgjodhët ta quanit The Crown?

Fatjon Selimaj: Unë jam shumë pro emrave ndërkombëtarë kur bëhet fjalë për hotelerinë dhe dua ta lokalizoj. The Crown ka disa faktorë. Faktori kryesor është se unë në ëndrrat e mia kur e kam filluar si projekt doja që të kisha kurorën e Tiranës dhe Shqipërisë, jo hoteli më i madh apo më i bukur, por hoteli me shërbimet më të mira. Ka dhe një arsye tjetër sepse kjo është një godinë e vitit 1918, është ish banesa e njërit prej familjarëve të monarkisë shqiptare dhe për të huajt është shumë interesante që t’i japësh një pjesë historie në hoteleri, përveç shërbimit.

CMG: Klientët janë nga vende të ndryshme të botës?

Fatjon Selimaj: Jemi shumë të lumtur sepse klientela është me shumë diversitet, ku kemi shumë të huaj sidomos nga platformat online që zgjedhin. Kemi shumë klientelë të huaj, por dhe klientelë të Tiranës dhe jemi munduar ta drejtojmë drej klientelës intelektuale. Për ne nuk është e rëndësishme që klientela jonë të ketë shumë para, por të respektojmë shërbimin që ne bëjmë dhe të ndjehen mirë me atë që ne bëjmë.

Fatjon Selimaj te The Crown Tirana.(Foto personale0

Fatjon Selimaj te The Crown Tirana.(Foto personale0

CMG: Si një biznesmen me eksperiencë cilat janë cilësitë kryesorë që kërkoni tek stafi dhe sa rëndësi ka stafi në një biznes?

Fatjon Selimaj: Unë besoj që stafi është 50% e suksesit të një biznesi. Ne jemi munduar të bëjmë një seleksionim të madh përpara se të hapnim hotelin. Pas këtij seleksionimi ne këmi bërë një të dytë dhe kemi vazhduar me tre muaj trajnime para se biznesi të hapet, për t’i dhënë atë idenë tonë të biznesit dhe linjën tonë, si dhe dashurinë për profesionin dhe industrinë e turizmit në përgjithësi.

CMG: Ju gjithashtu keni hapur akademinë e trajnimit të menaxherëve dhe stafit të hotelerisë dhe restoranteve.

Fatjon Selimaj: Akademia jonë është elitare, ku kemi pesë muaj që jemi liçensuar dhe jemi në përfundim të kursit të parë me disa studentë. Kjo akademi është tre mujore, ku studentët tanë bëjnë teorinë dhe praktikën në ambientet tona. Studentët janë të përzgjedhur sepse ne nuk marrim studentë fillestarë, por menaxherë që janë aktualisht në punë  apo pronarë lokalesh, dikë që ka eksperiencë për të qenë pjesë e menaxhimit. Është shumë e vëshirë që të marrim përsipër aplikantë nga fillimet, por këto që janë me njëfarë experience mundohemi t’i kalojmë në një nivel tjetër dhe ta duan më shumë këtë punë dhe ta bëjnë me rregulla.

CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në këtë rrugëtim?

Fatjon Selimaj: Patjetër që kam shumë mentorë gjatë këtij rrugëtimi. Familja për durimin sepse ne që bëjmë këtë profesion jemi shumë orë jashtë shtëpisë. Mbështetje kanë qenë edhe shokët, miqtë, kushërinjtë dhe çdo person që ka besuar dhe beson në projektet tona, në ndershmërinë dhe pasionin që ne bëjmë në këto projekte dhe na mbështesin moralisht apo dhe me një shpërndarje në rrjetet sociale. Janë gjëra të vogla që shpeshherë në kohën digjitale që po jetojmë ndikojnë shumë.

Fatjon Selimaj.(Foto personale)

Fatjon Selimaj.(Foto personale)

CMG: Nëse nuk do kishe ndjekur rrugën e biznesit, në cilën fushë do të shkëlqeje më tepër?

Fatjon Selimaj: Mendoj se gazetaria dhe më shumë televizoni. Me një përkushtim të madh do ja kisha dalë që të bëja një gazetari të mirë, të ndershme dhe të prekshme për njerëzit.

CMG: Sa i përmbushur ndihesh profesionalisht dhe personalisht deri në këtë fazë të jetës suaj?

Fatjon Selimaj: Unë nuk jam shumë ambicioz nga ana monetare, por nga ana profesionale dhe dua të përmbushem edhe më shumë. Ëndrra ime më e madhe është një Cien i mirë hotelesh ballkanike që do më plotësonte  egon time.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Fatjon Selimaj: Unë i përshëndes të gjithë dhe ju uroj që të kenë shëndet në familjet e tyre, personalisht dhe të punojnë shumë për ëndrrat e tyre se është shumë e rëndësishme puna, pasioni, ndershmëria për të arritur në gjërat që duan në jetë. Kam dhe një thirrje të fundit për emigrantët, ata që nuk e kanë gjetur veten jashtë, që nuk ndjehen mirë me atë që bëjnë jashtë, të kthehen sepse është momenti i bumit të turizmit në Shqipëri dhe mundësitë janë të pafundme. Të kthehen dhe të investohen këtu qoftë profesionalisht por dhe nga ana monetare, sepse Shqipëria sot është një nga vendet me vëmendjen më të madhe nga Italia sidomos, por dhe nga e gjithë Europa.

Intervistoi: Gazmend Agaj