Kinema Agimi para pandemise - foto Gazeta Si
Kinema Agimi i është nënshtruar restaurimit total, falë ndërhyrjes së Agjencisë së Industrisë Kreative të Bashkisë së Tiranës, duke u kthyer në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe artit. Ky lajm i mirë na shtyn të reflektojmë mbi historinë e kinemasë në zemër të Tiranës.
Kinema Agimi ka shumë histori. Ka qenë një nga kinema elitë të kryeqytetit e hapur rreth viteve ’50. Deri në vitin 1961 quhej “kinemaja e sovjetikëve” sepse ishte ndërtuar prej tyre dhe ndodhej në një lagje që banohej nga familjet sovjetike që punonin në Shqipëri
Historia e kinema Agimit shkon paralel me historinë e pallateve të famshme që edhe sot njihen me të njëjtin emër. Ata u ndërtuan mbi një terren të lirë në vitin 1955, sapo përfundoi objekti i pallatit të Shallvareve, paralel në krahun tjetër përgjatë Lanës, që ishin si një vazhdimësi e tyre, pasi edhe për to u aplikua e njëjta strukturë arkitektonike. Janë vite ku rritet në mënyrë progresive e të shpejtë numri i popullsisë së Tiranës dhe pikërisht në atë periudhë kërkesa për ndërtimin e pallateve, shtimin i apartamenteve, ishte imediate. Me pamje krejtësisht veriore, ai bllok ndërtimesh u ndërtua pranë ish-Bllokut të udhëheqjes dhe morën emrin “Agimi” si simbol që përfaqëson kjo fjalë. Në të njëjtin ambient u ndërtua edhe kinemaja që mori emrin homonim, duke shtuar një kinema të re në Tiranë, e cila përveçse skenë e filmit, u bë edhe pikë reference për kryeqytetasit.
Qendra Agimi pas restaurimit - foto ATSH
Një film tek kinema Agimi, një takim para kinema Agimit, fëmijë që luanin para kinema Agimit… kryeqytetasit futën në agjendën e tyre edhe këtë kinema të re. Ishte një kinema me kapacitet prej 116 vendesh dhe e fundit që ka mbetur nga ajo kohë, në raport me 9 kinematë që kishte Tirana në fund të viteve ’90. Për shkak të traditës, pozicionimit të saj në qendër të Tiranës dhe nostalgjisë që njerëzit ruajnë për të, ndonëse me shumë vështirësi, ndonëse shumë kinema u prishën dhe u kthyen në qendra biznesi, ajo arriti që mbijetojë.
Për më shumë se një dekadë kinema Agimi u braktis dhe kaloi një periudhë të vështirë mbijetese. E rrethuar nga dyqane me veshje të kushtueshme apo stolish, sikundër janë ndërtuar në të gjitha katet e para të pallateve Agimi, kinemaja e vjetër ruante thjesht copa kujtimesh, një emër nostalgjik dhe kujtime të bashkëkohësisë, të denja për t’u fshirë. Ajo dukej si një muze në shkatërrim.
Promovimi i Qendres Agimi - foto ATSH
Në vitin 2010 kinemaja i kaloi rrjetit të kinemave Imperial, i cili u mor edhe me restaurimin e objektit, që konsistonte në zgjidhjen e problematikave që lidheshin me izolimin termik, zanor, lagështirën, përmirësimin e kushteve akomoduese, etj, duke i kthyer asaj statusin që kishte. Me ulje – ngritjet e veta, kinemaja vazhdoi të funksiononte deri sa pandemia dha goditjen e fundit. Rrjeti Imperial u mbyll dhe me mbylljen e kinemave dhe teatrove, kinema Agimi doli në pritje për të gjetur një zgjidhje të re.
Vetëm para pak ditësh u dha lajmi se kinema Agimi hapet jo si shtëpia e filmit, por si qendër e re multifunksionale. Ky vend i veçantë tashmë ofrojë një hapësirë të re për shfaqje të filmave, ekspozita artistike, performanca teatrale, si dhe shumë aktivitete të tjera artistike.
Promovimi i Kinema Agimi - foto ATSH
Ish kinemaja e vjetër, ndonëse e ka humbur funksionin e saj të parë, ka fituar një funksion të ri. Është e sigurtë që pandemia nuk është më një shkak për numrin në ulje të publikut që ndjek filmat në kinema. Më shumë ky fenomen lidhet me faktin se shqiptarët nuk preferojnë më që të shkojnë në kinema për të parë një film dhe janë shumë të paktë klientët që rikthehen. Nëse para viteve 90 kinemaja ishte një trend, kjo gjë tashmë ka humbur. Rënia lidhet edhe me shikimin e filmave nëpër wbsite pirate, sidomos kur filmat janë edhe të përkthyer në shqip.
Nga sot qendra e re Agimi, do të sjellë risi me këtë formulë të re dhe do të jetë një derë e hapur për të gjithë ata që duan të përqafojnë artin dhe kulturën, për të gjithë ata të cilët duan të shijojnë edhe pse jo të zbresin shkallët e pallatit dhe të shkojnë aty që të shijojnë një film të bukur, por edhe të jenë spekatorë të artit në përgjithësi.
Një gjë është e sigurtë, se vitet do të kalojnë dhe njerëzit do të vijojnë të thonë: “takohemi te Kinema Agimi”.
Neritana Kraja