Trëndafilat nga Ekuadori janë shumë të kërkuara dhe furnizimi me to është i pamjaftueshëm në "Qytetin e Luleve" të Kinës, Guangzhou; Kuba dhe vende të tjera kanë hapur njëri pas tjetrit dyqane në platformat kineze të tregtisë elektronike, dhe mishi i gjedhit nga Amerika Latine vazhdon të zgjerohet në tregun kinez...Pse është aq "i nxehtë" bashkëpunimi i Kinës me Amerikën Latine? Ndoshta përgjigjen mund ta gjejmë në deklaratën e ish-presidentit kolumbian Ernesto Samper në një intervistë të fundit: “Ne jemi në këtë anë të Oqeanit Paqësor dhe shpresojmë që të kemi një nismë të përbashkët zhvillimi në të gjithë Paqësorin”.
Foto:VCG
Kjo nismë e përbashkët zhvillimi është pikërisht “Një brez, një rrugë” e propozuar nga Kina.
Në Amerikën Latine, interesi për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” me Kinën vazhdon të rritet. Një ngjarje e fundit simbol është vizita pak ditë më parë e ministrit argjentinas të Ekonomisë Massa në Kinën, ndërsa Kina dhe Argjentina nënshkruan një projekt bashkëpunimi për të promovuar bashkërisht ndërtimin e “Një brez, një rrugë”. Kjo është një tjetër arritje e bashkëpunimit kino-argjentinas, pasi Argjentina iu bashkua nismës në shkurt të vitit të kaluar, që do të thotë se të dyja palët kanë promovuar në mënyrë më konkrete bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Gjithashtu kohët e fundit, u përmbyll në Makao Forumi i 9-të i Bashkëpunimit Infrastrukturor Kinë-Vendet e Amerikës Latine e të Karaibeve. Sipas njoftimit zyrtar, të ftuarit në forum zhvilluan shkëmbime të thelluara mendimesh për tema si ndërtimi i përbashkët cilësor i “Një brez, një rrugë”. Agjencia e Lajmeve e Amerikës Latine raportoi se nisma “Një brez, një rrugë” lidh Kinën me vendet dhe rajonet e tjera të botës nëpërmjet një rrjeti të madh infrastrukture e bashkëpunimi, dhe Amerika Latine është një prej tyre.
Sipas statistikave më të fundit, rrethi i miqve për ndërtimin e përbashkët prej Kinës dhe Amerikës Latine të "Një brez, një rrugë " është zgjeruar në 21 vende. Pse kjo nismë po fiton popullaritet në Amerikën Latine? Sepse bashkëpunimi që ajo promovon, është i gjerë dhe i thellë, gjë nga e cila kanë përfituar vërtet populli kinez dhe popujt e Amerikës Latine.
Aktualisht, Kina është partnerja e dytë më e madhe tregtare e Amerikës Latine për 10 vjet rresht. Në vitin 2022, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Amerikës Latine arriti në 485.79 miliardë dollarë amerikanë, duke përbërë një rekord. Mund të shihet se efekti më i drejtpërdrejtë i ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë” është rritja e vëllimit të tregtisë midis Kinës dhe Amerikës Latine, duke i lejuar Amerikën Latine të gëzojë dividentët e rritjes ekonomike të Kinës.
Forumi i 9-të i Bashkëpunimit Infrastrukturor Kinë-Amerikë Latine, 1 qershor 2023, Rajoni Makao i Kinës(Foto:d1cm.com)
Përveç kësaj, duke qenë se disa projekte bashkëpunimi në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë” ndodhen në zona të thella të vendeve të Amerikës Latine, zbatimi i tyre ka nxitur drejtpërdrejt zhvillimin e punësimin vendor dhe ka përmirësuar jetesën e njerëzve. Cauchari në provincën Jujuy të Argjentinës dikur ishte një ndër rajonet më të pazhvilluara në vend. Në vitin 2017, Kina investoi në ndërtimin e centralit të energjisë fotovoltaike me kapacitetin më të madh të instaluar dhe lartësinë më të madhe mbi nivelin e detit në Amerikën e Jugut, që u vu zyrtarisht në funksionim në shtator 2020. Në vitin e parë të prodhimit të energjisë, kjo vepër zgjidhi problemin e punësimit të më shumë se dhjetë fshatrave përreth. Deri në fund të shkurtit 2023, centrali ka prodhuar gjithsej 1.74 milionë megavatorë energji elektrike, gjë që ka lehtësuar ndjeshëm mungesën e energjisë elektrike në vend.
Më e rëndësishmja, nisma "Një brez, një rrugë " i ka dhënë një hov të ri zhvillimit të vendeve të Amerikës Latine dhe ka rritur aftësitë e tyre për vetëzhvillim. Tani ndërtimi i infrastrukturës së re po bëhet një pikë e re e bashkëpunimit Kinë-Amerikë Latine. Në Forumin e 9-të të Bashkëpunimit Infrastrukturor Kinë--Vendet e Amerikës Latine e të Karaibeve, shumë pjesëmarrës nga Amerika Latine vunë në dukje se Kina ka epërsi në teknologji e përvojë, dhe nëpërmjet bashkëpunimit lidhur me "Një brez, një rrugë ", ajo ka promovuar ekonominë e gjelbër, ekonominë digjitale, teknologjinë e lartë e fusha të tjera dhe zhvillimi cilësor i bashkëpunimit ka sjellë një shtysë të re në transformimin dhe zhvillimin e Amerikës Latine.
Zyrtarë nga vendet e Amerikës Latine në Forum të Bashkëpunimit Infrastrukturor Kinë-Amerikë Latine(Foto:CMG)
Aktualisht, bota ka hyrë në një periudhë trazirash e ndryshimesh, rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm dhe vendet në zhvillim përgjithësisht përballen me vështirësi më të mëdha. Ndërsa eksplorojnë rrugët e tyre të zhvillimit, vendet e Amerikës Latine kanë kuptuar gjithnjë e më shumë se "transplantimi" i përvojës perëndimore nuk ka dhënë rezultate të mira. Nisma "Një brez, një rrugë" e propozuar nga Kina këmbëngul në konsultimet e gjera, kontributin e përbashkët e përfitimet e ndërsjella dhe u ofron atyre një alternativë të mirë për zgjidhjen e problemeve të tyre të zhvillimit. Shumë njerëz në Amerikën Latine besojnë se nisma "Një brez, një rrugë" nuk është as detyruese dhe as e lidhur me kushte politike, por ofron koncepte dhe shtigje të reja zhvillimi. David Mauricio, studiues në Universitetin Externado të Kolumbisë, komentoi: "Sot ne shohim se vendet që i bashkohen kësaj nisme të rëndësishme kanë kushte më të mira tregtare, më shumë qasje në tregjet e huaja, infrastrukturë më të lartë me cilësi të lartë, dialog më të barabartë ndërveprues, si dhe të mësuar më të thellë të ndërsjellë midis qytetërimeve.” Ai parashikon se në Amerikën Latine dhe Karaibe, numri i vendeve që do t'i bashkohen nismës “një brez një rrugë ” do të rritet më tej në të ardhmen.