Bateritë kineze të litiumit injektojnë energji në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore
2023-06-07 16:38:50

Foto nga Dogana Ningbo

Kohët e fundit, fabrika e kompanisë “Jiabeisi Green Energy” në provincën Zhejiang, ka qenë e zënë. Punëtorët kanë veshur rroba të pastra të bardha kundër pluhurit dhe po kryejnë testet e karikimit dhe shkarkimit në mënyrë të rregullt. Ky është procesi i fundit përpara paketimit të baterive të litiumit.

"Që nga viti 2023, porositë e marra nga jashtë janë rritur me shpejtësi, veçanërisht ato nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë bërë një pikë rritjeje e rëndësishme. Për të përfunduar porositë në kohë, fabrika jonë kohët e fundit ka funksionuar me kapacitet të plotë dhe porositë aktualisht janë përmbushur." - thotë menaxheri i përgjithshëm i kompanisë.

Automjetet elektrike, fotovoltaikët dhe bateritë e litiumit janë bërë "tre llojet e reja" të eksporteve të tregtisë së jashtme të Kinës që prej 2022-it. Produktet që përfaqësojnë teknologjinë e lartë, vlerën e lartë të shtuar dhe transformimin kryesor të gjelbër janë bërë pika të reja rritjeje për eksportet. Midis tyre, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë shndërruar në partneret e reja kryesore në fushën e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, duke njohur vetëm rritje. Si një ndërmarrje kombëtare e teknologjisë së lartë e dedikuar për studimin, zhvillimin dhe prodhimin e baterive të litiumit të prodhuar nga fosfati i hekurit, “Jiabeisi” synon pikërisht "rrugën e re" të rritjes së tregtisë së jashtme, duke u përpjekur të arrijë përshpejtimin e zhvillimit të gjelbër me cilësi të lartë.

Distrikti Yuyao është një nga bazat kryesore të prodhimit të baterive të litiumit në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang. Në vitin 2022, Yuyao eksportoi 889,826 bateri litiumi, duke u rritur 3.1% në krahasim me vitin 2021, nga të cilat 25,630 u eksportuan në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, 39,4% në krahasim me vitin 2021.

Në Yuyao ka mbi 10 prodhues të baterive të litiumit. Përveç kompanisë “Jiabeisi”, edhe një kompani tjetër që sapo është krijuar ka arritur rezultate të shkëlqyera. Kompania teknologjike “Fujiajineng” në Ningbo e themeluar në vitin 2022, është e specializuar në prodhimin e produkteve të ruajtjes së energjisë portative dhe asaj shtëpiake. "Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore që sapo ka përfunduar ka sjellë mundësi të reja zhvillimi për kompaninë tonë. Qëllimi ynë i ardhshëm është të zhvillojmë tregun me vendet nga Evropa Qendrore dhe Lindore." - thotë Chen Angliang, një nga zyrtarët e kompanisë. Sipas tij, parashikohet që gjatë vitit 2023 vetëm shitjet e baterive të litiumit nga kjo kompani të arrijnë në 300 milionë juanë. Nga janari në prill të këtij viti, Yuyao eksportoi 7,642 bateri litiumi në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke u rritur 14.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Foto nga VCG

Lidhur me produktet e baterive të litiumit, ka disa kërkesa rregullatore, si "Rekomandimet model të OKB-së për transportin e mallrave të rrezikshme", "Rregulloret ndërkombëtare të transportit detar të mallrave të rrezikshme" të Organizatës Ndërkombëtare Detare dhe "Rregulloret e Inspektimit të Paketimit të Mallrave të Rrezikshme të Eksportit". Xiu Lei, Shefi i Seksionit të Inspektimit Doganor Yuyao pranë Doganës Ningbo, tha: "Vitet e fundit, është rritur shumë eksportimi i baterive të litiumit. Për të garantuar sigurinë e eksportit, dogana mbikëqyr të gjithë procesin që nga hapat e parë të prodhimit në ndërmarrje, duke dhënë udhëzime paraprake mbi kërkesat e eksportit dhe siguruar që produktet t'u dorëzohen klientëve pa probleme dhe të sigurta".

Që nga viti 2023, Dogana Yuyao ka zhvilluar inspektime të detajuara në linjat e prodhimit të ndërmarrjeve për të zgjidhur problemet e vështira dhe bllokuese. Për kompanitë që eksportojnë bateri litiumi, Dogana Yuyao krijoi mekanizmin e asistencës "një ndërmarrje, një politikë", duke organizuar një personel të posaçëm për të ndjekur dhe siguruar një prodhim të sigurt dhe të qëndrueshëm. Bazuar në statusin teknik të ndërmarrjeve, dogana shpjegon standardet teknike të baterive të litiumit dhe kërkesat për mbrojtjen e mjedisit në vendet respektive të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe udhëzon ndërmarrjet që ta organizojnë prodhimin sipas standardeve, të përmirësojnë në mënyrë efektive kontrollin e cilësisë dhe të shmangin në mënyrë të arsyeshme rreziqet tregtare. Bazuar në statusin e zhdoganimit të ndërmarrjeve, dogana i udhëzon ndërmarrjet të aplikojnë masa lehtësuese zhdoganimi, të vazhdojnë të reduktojnë kohën e procedurave doganore dhe të ndihmojnë që bateritë e litiumit të eksportohen shpejt.

Sipas statistikave të Doganës Ningbo, nga janari deri në prill të vitit 2023, vëllimi i baterive të litiumit që u eksportuan nga Yuyao në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është rritur 14.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një vlerë prej 83.531 milionë juanësh, ose 70% më shumë.

Foto nga VCG

Nga ana tjetër, bashkëpunimi ndërkombëtar për bateritë e litiumit me vendet e EQL-së po zhvillohet më tej. Kështu Shoqata polake e Karburanteve Alternative publikoi së fundmi një raport që tregon se Polonia ka kapacitetin e dytë më të madh të prodhimit të baterive të litiumit në botë pas Kinës, duke tejkaluar ShBA-në. Në një intervistë, Alexander Reich, eksperti kryesor i shoqatës, tha se ai preferon ta konsiderojë Kinën si një partner në këtë fushë dhe jo një konkurrent. Duke folur për bashkëpunimin me Kinën, Reich tha se tregu i madh i brendshëm, përparimi teknologjiko-shkencor dhe avantazhet e burimeve kanë siguruar suksesin e Kinës në fushën e baterive të automobilave. "Unë mendoj se kompanitë në zinxhirin e vlerave të automjeteve elektrike në Evropë dhe Poloni po kërkojnë partnerë në fusha të ndryshme. Për sa kohë që ekziston mundësia e bashkëpunimit në teknologjinë e transportit me emetim zero, ata do të ulen dhe do të bisedojnë". Sipas tij, Kina ka burime të mëdha të litiumit dhe lëndëve të tjera kryesore të papërpunuara. Përveç kësaj, Kina ka një treg dhe potencial të madh. Bateritë e litiumit të Kinës po hyjnë në tregun evropian, duke sjellë risi teknologjike." - përfundoi ai. (Çang Çuo)