Shefi i kuzhinës Gjepali fitues i një çmimi (Foto nga Opinion.al)
Shefi i kuzhinës Fundim Gjepali është një ndër shefat e njohur në Itali dhe Shqipëri. Në Itali ai drejton prej disa vitesh restorantin “Antico Arco” i ndodhur në qendër të Romës, ndërsa në Tiranë “Restorant Boutique Padam”. Fundimi gatuan për personalitete vendase por dhe të huaja që vizitojnë Shqipërinë. Në listen e shefave të njohur të kuzhinës në Tiranë është Fundim Gjepali, i cili artin e gatimit e shfaq jo vetëm në “Padam” por dhe në “Agroturizëm Gjepali”
Italia ka ndikuar shumë në rritjen e nivelit profesional të shefit shqiptar të kuzhinës. Ai ka marrë pjesë në trajnime dhe seminare të ndryshme duke e zhvilluar edhe me tej talentin. Gjatë këtyre viteve shef Fundimi ka marrë disa çmime, si dhe është pjesë e emisioneve që zbulojnë talente te reja në Shqipëri, si Master Chef Albania. Ai është vazhdimisht i ftuar në programe të rëndësishme televizive si një ekspert i kuzhinës dhe mjeshtër i shijes.
Teksa flet me shumë entuziazëm për punën dhe të ardhmen, shef Fundimi shprehet se “themelimi i ‘Agroturizëm Gjepali’, miqve të mi iu duk absurd, pse duhet të investoja në Shqipëri, përderisa jetoj dhe punoj në Itali. Por unë e dua vendlindjen time, prandaj dëshiroj ta shikoj të lulëzojë dhe të jetë plot gjallëri”.
Shefi i kuzhinës Fundim Gjepali u kushton rëndësi produkteve vendase. Ka qenë ndër të parët, që ka përdorur verërat shqiptare, përtej skepticizmit të njerëzve.
Ai thotë me krenari se një pjesë e stafit të tij përbëhet nga të rinj të motivuar dhe plot energji, të cilët ai i ndihmon të mësojnë dhe të investojnë tek vetja.
“Të rinjtë shqiptarë kanë shumë energji, janë puntorë dhe kam plotësisht besim, se nëse i mbështesim ata do të sjellin frymën e ndryshimit në vend”, thotë Fundimi.
CMG: E nisim këtë bisedë me filozofinë tuaj në profesion, cila është ajo ?
Fundim Gjepali: Ka më shumë kuptim të vendosësh në tryezë kulturën solide gastronomike sesa tendencat kalimtare. Kuzhina mesdhetare është spektakolare, përfshin zejtarë të mëdhenj dhe lëndë të para, të cilat vendet e tjera mundet vetëm t’i ënderrojnë.
CMG: Ju vetë cilin e shquani si ushqim të preferuar?
Fundim Gjepali: Nuk kam ndonjë gjë që mund të theksoj, por është gjithçka që është e lidhur me stinën dhe se si jam psikologjikisht në atë moment. Në varësi të kësaj gjendje unë kombinoj edhe preferencat e mia.
CMG: I provoni pjatat tuaja të reja fillimisht ju vetë?
Fundim Gjepali: Në fillim provoj të gjitha produktet që përbëjnë pjatën një nga një dhe pastaj provoj pjatën, në fund kur më mbushet mendja 100 % atëherë ajo shkon te klienti. Ndodh që pjata mund të ketë gabime teknike, por në Romë kemi shumë persona staf në kuzhine dhe në Padam, nëse ajo pjatë nuk është ashtu siç duhet nuk del nga kuzhina. Unë jam shumë i kujdesshëm për preferencat dhe shijet e klientit pasi ata më besojnë dhe unë ju kthej pas besimin. Kjo është shumë e rëndësishme.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj në kuzhinë ?
Fundim Gjepali: Unë jam bërë shef kuzhine në moshën 25 vjeç në një restorant si “Antico Arco” që kishte një histori interesante, ku po kërkonin shefin e së nesërmes që të rinovonte strategjinë e restorantit.
Një mik i përbashkët i imi dhe i pronarëve të “Antico Arco” i kishte thënë që është një djalë i ri nga Shqipëria, shumë i pasionuar për kuzhinën që punon në restorant “Al Ceppo” ku unë në atë kohë punoja prej 5 vitesh dhe isha zëvendës shef. Restorant “Al Ceppo” është një lokal historik ku mësova shumë, krijova shumë të njohur personalitete të artit, politikës dhe biznesit.
Unë atje bëja një punë ku edhe isha i kënaqur, ndaj nuk kisha ndërmend të ndërroja vend pune. Në fillim tek “Antico Arco” kërkonin një zëvendës shef, por pas provës që bëra ato më thanë që isha më shumë se një zëvendës shef dhe tek unë shihnin shefin e se ardhmes në “Antico Arco”.
Atëherë unë pranova të bëhesha shef aq i ri. Në këtë restorant jam rritur shumë nga ana profesionale.
CMG: Ju si kuzhinier a e keni të vështirë që të gjeni produkte "Bio"?
Fundim Gjepali: Shumë të vështirë nuk e kam pasur sepse prejardhja ime është nga fshati dhe kam ruajtur kontaktet me fermerë të ndryshëm për t'iu marrë atyre produktet. Të certifikuara bio nuk mund të quhen, por absolutisht që janë të bëra në zona rurale ku cilësia është disa herë më e lartë .
Unë kam vite në treg dhe më besojnë për formën se si i gjej këto produkte, sa serioz jam në punë dhe çfarë jam në gjendje të bëj për punën .
CMG: Si mendoni se ndihen klientët që provojnë gatimet tuaja në restorantin "Padam"?
Fundim Gjepali: Ka një gjeneratë fantastike në Shqipëri që po kujdeset për veten dhe për shëndetin e tyre. Në “Padam” shijet e pjatave të mia janë të vlerësuara më shumë sesa mendoja, tashmë kemi krijuar një klientelë të afeksionuar ku vlerësohet kuzhina ime. Në fillim kishte një kuriozitet të madh tek njerëzit ardhja ime në Shqipëri dhe një pjesë e tyre vjen thjesht për kuriozitet. Siç ka një pjesë tjetër që janë besnik të ullinjve të Beratit, domateve me kripe, djathit të bardhë dhe të qepës së qëruar. Edhe në “Padam” në bëjmë një gastronomi 360° ku klientëve tanë i japim mundësinë të ushqehen nga sallata e domateve deri tek pjata e autorit që fiton çmimin për receta e vitit në Itali.
CMG: A keni ju një sugjerim për pjatat më të mira të 2023?
Fundim Gjepali: Do rekomandoja ushqimet e stines dhe gjithçka do të ishte mirë të marinohej siç duhet. Ndërsa në sezonin e verës preferoj absolutisht pjata të lehta me ushqime deti.
Intervistoi: Megi Latifi