Dialogu “Shangri-La”, Kina shtjellon nismën e sigurisë dhe kundërshton paqëndrueshmërinë në Azi-Paqësor
2023-06-05 17:50:40

Të gjithë sytë ishin drejtuar nga ministri kinez i Mbrojtjes në Samitin e Sigurisë të Azisë në Singapor, për të cilin ishte pjesëmarrja e parë.

Duke folur për nismën e sigurisë të Kinës në Dialogun e 20-të “Shangri-La” të dielën, këshilltari i Shtetit dhe ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu paralajmëroi për sfidat “e papara" të sigurisë me të cilat po përballet rajoni i Azi-Paqësorit.

Foto:VCG

Ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu në dialogun e 20-të "Shangri-la"(Foto:VCG)

"Njerëzit nuk mund të mos pyesin se kush po e prish paqen në rajon, cilat janë shkaqet kryesore të kaosit e paqëndrueshmërisë dhe ndaj çfarë gjërash duhet të qëndrojmë vigjilentë e të ruhemi," tha z. Li.

Këto pyetje duhet të gjejnë përgjigje në përputhje me interesat e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe së ardhmes së Azi-Paqësorit, nënvizoi ai.

Duke vënë në dukje se "ndonjë vend" ka nxitur "revolucione me ngjyra" dhe “luftëra me zëvendësues” në rajone të ndryshme, duke krijuar kaos e trazira e pastaj duke u larguar e duke lënë rrëmujë, Li tha se gjëra të tilla nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin në rajonin e Azi-Paqësorit.

"Sot, ajo që i nevojitet Azi-Paqësorit është bashkëpunimi i hapur e gjithëpërfshirës, jo klikat e vogla egoiste dhe ekskluzive," tha ai.

"Ne nuk duhet të harrojmë kurrë katastrofat e shkaktuara nga dy luftërat botërore dhe Lufta e Ftohtë e nuk duhet të lejojmë kurrë të përsëriten tragjedi të tilla", theksoi ministri kinez i Mbrojtjes.

Nisma e Sigurisë Globale e Kinës

Ushtarë paqeruajtës kinezë në Sudan të Jugut(Foto:VCG)

Ushtarë paqeruajtës kinezë në Sudan të Jugut(Foto:VCG)

Para kërcënimeve të reja të sigurisë, Kina ka propozuar Nismën e Sigurisë Globale, e cila bën thirrje për promovimin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese e të qëndrueshme dhe eksplorimin e një rruge të re drejt sigurisë me dialogun në vend të kundërvënies, partneritetin në vend të aleancave dhe leverdinë e ndërsjellë në vend të lojës ku fituesi i merr të gjitha.

Në shpjegimin e Nismës së Sigurisë Globale, Li theksoi se Kina kundërshton me forcë imponimin e vullnetit mbi të tjerët, vendosjen e interesave të veta mbi ato të të tjerëve dhe realizimin e sigurisë vetjake në kurriz të sigurisë së të tjerëve.

Respekti i ndërsjellë duhet të mbizotërojë mbi ngacmimin e hegjemoninë, barazia dhe drejtësia duhet të mposhtin ligjin e xhunglës, konfliktet dhe kundërvënia duhet të eliminohen nëpërmjet besimit e konsultimeve të ndërsjella dhe kundërvënia në blloqe duhet të parandalohet me hapje e përfshirje, shpjegoi ai.

Si pjesë e zbatimit të kësaj nisme, Kina ka publikuar një dokument prej 12 pikash mbi qëndrimin e vet për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës dhe ka dërguar një përfaqësues të posaçëm për të vizituar Evropën, për të arritur sa më shumë konsensus të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës.

Përveç kësaj, pas bisedimeve të prillit në Pekin, Arabia Saudite dhe Irani kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike, dhe afrimi i tyre ka çuar në një reagim zinxhir pajtimi në Lindjen e Mesme.

Foto:VCG

Ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu me John Chipmanin, drejtor të think-tankut britanik IISS në dialogun e 20-të "Shangri-la"(Foto:VCG)

Duke përmendur shembuj të tillë, Li tha se Kina i merr seriozisht shqetësimet e ligjshme të sigurisë të vendeve të tjera, është e përkushtuar për të nxitur qeverisjen globale të sigurisë, mbështet drejtësinë e barazinë dhe është e angazhuar për të kapërcyer dallimet dhe për të forcuar solidaritetin.

"Modernizimi kinez kontribuon në paqen botërore"

Kina po ecën tani në rrugën kineze drejt modernizimit, një tipar i së cilës është zhvillimi paqësor, një koncept i përfshirë në Kushtetutën e vendit.

Li theksoi se arritjet e Kinës vijnë nga puna e palodhur, zelli dhe forca krijuese e më shumë se një miliard kinezëve, e jo nga agresioni, ekspansioni apo grabitja.

Sipas tij, Kina ndjek një politikë të mbrojtjes që ka natyrë vetëmbrojtëse dhe ka bërë shumë përpjekje për të ruajtur sigurinë botërore e rajonale.

Që nga viti 2008, Kina ka dërguar mbi 139 mjete detare, duke mbrojtur më shumë se 7 000 anije kineze dhe të huaja. Në prill, anijet e Forcave Detare të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës evakuuan nga Porti i Sudanit 940 shtetas kinezë dhe më shumë se 230 shtetas të huaj.

Përgjatë viteve, Kina ka dërguar mbi 50 000 paqeruajtës në operacionet e OKB-së, duke qenë kontribuesja më e madhe për nga numri i ushtarëve ndër vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Li përmendi se 16 paqeruajtës kinezë humbën jetë gjatë misioneve të tyre dhe më shumë se 2 000 janë tani në detyrë në shtatë rajone.

Ai citoi një thënie nga një ushtar kinez gjatë misionit të tij: "Nëse njerëzit pyesin pse shkojmë në vende kaq të rrezikshme për të ruajtur paqen, ju lutemi u thoni atyre se dikush duhet të dalë përpara për të mbrojtur themelet e qytetërimit njerëzor."

Ky është një angazhim solemn i bërë nga ushtria kineze ndaj botës, u shpreh Li.

Foto:VCG

Ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu takohet me homologun gjerman Boris Pistorius gjatë organizimit të dialogut të 20-të "Shangri-la"(Foto:VCG)

Ai vuri në dukje se, që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës më shumë se 70 vjet më parë, Kina kurrë nuk ka nisur ndonjë konflikt, nuk ka pushtuar asnjë centimetër tokë të huaj dhe nuk ka bërë asnjë ‘luftë me zëvendësues’.

Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të ndërtuar sisteme më të forta sigurie e besimi, për të promovuar rregulla më të drejta sigurie, për të përmirësuar mekanizmat shumëpalësh të sigurisë dhe për të realizuar bashkëpunim më efektiv në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, shtoi Li.

"Interesat thelbësore të Kinës nuk sakrifikohen kurrë"

Megjithëse Kina qëndron e përkushtuar në rrugën e zhvillimit paqësor, ajo kurrë nuk do të hezitojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme, duke mos u përmendur interesat thelbësore të kombit, theksoi ministri i Mbrojtjes.

Duke vënë në dukje se çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës, ai tha se për këtë çështje nuk lejohen ndërhyrjet nga forcat e huaja, duke paralajmëruar se çdo veprim për të errësuar ose zbrazur parimin e një Kine është "absurd dhe i rrezikshëm".

"Kina duhet dhe do të ribashkohet," tha ai. "Nëse dikush guxon të ndajë Tajvanin nga Kina, ushtria kineze nuk do të hezitojë për asnjë sekondë. Ne nuk do të kemi frikë nga kundërshtarët dhe do të mbrojmë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, pavarësisht me çfarë kosto."

Lidhur me marrëdhëniet Kinë-ShBA, Li pranoi se vitet e fundit këto marrëdhënie ndodhen në nivel rekord të ulët që kur të dy vendet vendosën lidhje diplomatike.

Ai paralajmëroi se një konflikt ose konfrontim i rëndë ndërmjet Kinës dhe ShBA-së do të jetë "një fatkeqësi e papërballueshme" për botën dhe i kërkoi palës amerikane të veprojë me sinqeritet, në përputhje me premtimet e saj dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar përkeqësimin e marrëdhënieve.

"Rruga e duhur që Kina e ShBA-ja të kenë marrëdhënie të mira është zbatimi i tre parimeve, që janë respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me leverdi të përbashkët”, tha ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu.(Zhang Yan/Artan)