Pierre Simsia: Mallin për vendlindjen nuk e shuan as zjarri as guri
2023-06-05 16:47:50

Pierre Simsia ka lindur në një familje me tradita të hershme patriotike në qytetin e lashtë dhe historik të Beratit. Ai që në moshë të vogël ka qenë i pasionuar pas muzikës dhe prej vitesh i është kushtuar shkrimit. Prej SHBA-së, ku tashmë jeton, ai ka sjellë vitet e fundit një sërë librash si vëllimin me tregime “Le të jem unë Zamira”, “Dashuri e vrarë”, “Nuse në derën e hasmit”, etj.. Në një intervistë për “Radio Ejani”, ai tregon për pasionet e tij në muzikë dhe letërsi, momentet e largimit nga Shqipëria dhe integrimin në emigracion. 

CMG: Ju jeni larguar bashkë me familjen nga Shqipëria në fillim të viteve ‘90. Si ka qenë emigracioni?

Pierre Simsia: Fillimisht kam ikur në Athinë dhe aty jetova me familjen gjashtë vjet, ku më vonë menduam të ktheheshim, sepse edhe fëmijët në atë kohë kanë qenë të vegjël. Ndërsa përgatiteshim të ktheheshim në vitin 1996, rastësisht lexova në mediet shqiptare për hapjen e lotarisë amerikane. Menduam ta provonim dhe e fituam, mirëpo procedurat vazhduan gati 10 muaj. Prej korrikut 1997 tashmë jetesa jonë është në Nju Jork, në SHBA. Fillimi ka qenë i vështirë, por më pas u ambientuam.

CMG: Jeni shumë i lidhur me muzikën dhe letërsinë dhe madje keni sjellë disa botime letrare.

Pierre Simsia: Muzikën e kam në shpirt. E kam dëgjuar dhe interpretuar qëkur kam qenë i vogël. Madje deri në vitin 1991, kur u largova nga Shqipëria, i dija pothuajse të gjitha këngët e festivaleve. Kam qenë dhe jam ende i lidhur me muzikën e bukur shqiptare. Kam bërë dhe një kurs në Tiranë për trombë dhe e kam luajtur këtë instrument për kënaqësinë time. Ndërsa letërsinë e kam pasur pasion. Në vitet e shkollës së mesme kisha dëshirë që të shkruaja tekste këngësh. Në atë kohë, ëndërroja që në festivale të përmendej dhe emri im si autor teksti. Madje disa nga vjershat e mia u bënë këngë nga kompozitorët Fatmir Agalliu dhe Asqeri Kadena.

CMG: Po në emigracion vazhduat të merreshit me muzikën dhe krijimtarinë letrare? 

Pierre Simsia: Kur ika në Athinë në vitin 1991 pas vështirësive të para të emigracionit, sigurisht kisha dëshirë edhe të shkruaja që mos të shkëputesha nga letërisa. Në atë kohë doli gazeta “Egnatia” në Athinë dhe me aq sa mundesha dërgoja krijimtarinë time. Vështirësia e emigrantit më pengoi të botoja dhe publicistika ime mbeti në letër. Ëndrra m’u bë realitet në SHBA. Dorëshkrimet që i kisha të ruajtura në sirtar arrita t’i botoja.


CMG: Cilat janë disa nga botimet tuaja që keni sjellë për lexuesit? 

Pierre Simsia: Fillimisht botova vëllimin me tregime “Le të jem unë Zamira”. Promovimi u bë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Pastaj një vit më vonë, romanin “Një dashuri e vrarë”, ku trajtohet tema e dhimbshme e emigracionit, libër i cili është pritur mirë nga lexuesit. Unë jam anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në SHBA dhe në konkursin e kësaj shoqate u paraqita me këtë roman, ku juria më vlerësoi me çmimin “Pena e Artë”. Gjithashtu vazhdoj të jem aktiv në dy gazeta që botohen në Nju Jork, “Iliria” dhe “Dielli” e shoqatës “Vatra”. 

CMG: Në Shqipëri ju keni bërë dhe promovimin e romanit “Nuse në derë të hasmit”. Çfarë trajtohet në këtë libër?

Pierre Simsia: Këtë roman e kisha pak si brengë, sepse gjithmonë më kanë shqetësuar fëmijët e ngujuar prej gjakmarrjes. Për këtë temë janë shkruar shumë libra, por unë kam e trajtuar në mënyrën time. Ky libër është pritur mirë në vende të ndryshme si Francë, Gjermani dhe Spanjë. Romani pati jehonë dhe sukses të madh, i cili po ashtu është promovuar te salla e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Jam munduar gjithmonë me imagjinatën time dhe me atë çfarë kam lexuar për gjakmarrjen që t’i jepja një fund të kënaqshëm për mënyrën se si dy familjet që kanë qenë në gjak më në fund pajtohen. Në promovimin e librit mori pjesë dhe një gazetar gjerman. E vlerësoj shumë praninë e tij, ftesë të cilën ai e priti me shumë kënaqësi. 

CMG: Keni studiuar për ekonomi-financë, por si u gjendët te muzika dhe letëria?

Pierre Simsia: Në familjen tonë jemi rritur me muzikën. Babai im këndonte nëpër gëzime familjare. Edhe pse i vogël, e adhuroja muzikën dhe i mësoja këngët që më pëlqenin. Mendoj se qoftë letërsia apo muzika ose çdo profesion tjetër nuk është imponim nëse nuk e ke në gjak. Festivalin e parë të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar e kam ndjekur prej motrave të mia dhe që atëherë nuk kam humbur asnjë edicion. Kurse për letërsinë, duke qenë një adhurues i muzikës, ëndërroja të isha autor tekstesh. 

CMG: Ju merr malli për vendlindjen?

Pierre Simsia: Sigurisht që më merr malli, edhe pse më shumë vite të jetës sime i kam kaluar në emigracion. Meqë Berati është me rrugica me kalldrëm, thoshim shpesh që dhe për gurët e sokakut të merr malli. Madje kam marrë dy gurë nga rrugica që jam rritur në Berat dhe i mbaj në shtëpi. Është mall që nuk e shuan as zjarri dhe as guri.

CMG: A keni një përshëndetje apo një mesazh për dëgjuesit tanë?

Pierre Simsia: Ju falënderoj për angazhimin që ndërmerrni bashkëbisedime me emigrantë të fushave të ndryshme. 

Mesazhi im për dëgjuesit është ta duan Shqipërinë, po ashtu ta duan dhe respektojmë njëri-tjetrin.

Intervistoi: Gazmend Agaj