foto bota sot
Sa herë vjen qershori, për shkak të festës së tyre, por edhe pushimeve që janë në prag, vëmendja shkon te librat për fëmijë. Çdo vend, dikush më herët e dikush më vonë, ka traditën e tij sa i takon botimeve dhe librave që kanë ushqyer breza fëmijësh. Ne sot në rubrikën tonë do të përmbledhim autorët që kanë ndikuar me veprat e tyre në edukimin, shijen, shpirtin e aventurës, përmbushjen e ëndrrave të fëmijëve shqiptare. Por përpara se të flasim për autorët që kanë ndikuar më së shumti, do të tregojmë shkurtimisht se si u zhvillua ajo në Shqipëri.
Gjurmët e letërsisë botërore për fëmijë i igjejmë në vitin 1658, me librin e John Amos Omenius, “Orbis Pictus”, që qarkulloi si libri i parë i ilustruar për fëmijë. Kjo lloj enciklopedie rrëfimtare, e shoqëruar me vizatime, përveç informacionit, ishte edhe një mënyrë për ta lexuar tekstin nëpërmjet imazheve. Ndërsa në shqip gjurmët e krijimtarisë letrare shfaqen rreth dyqind vjet më pas, diktuar nga realiteti historik dhe socio-kulturor.
Në vitin 1866 Kostandin Kristoforidhi, botoi tregimin "Gjahu i Malcorëve" dhe një libër me vjersha, që janë edhe të parat shqipe për fëmijë. Letërsia e kësaj periudhe u karakterizua nga tipare romantike me nota të theksuara patriotizmi ndaj mungonte letërsia për fëmijë, me përjashtim të disa vjershave për fëmijë të Naim Frashërit. Kjo gjë vazhdoi deri pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1946 në Shqipëri, me angazhimin e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, nisi edhe botimi i letërsinë për fëmijë. Deri në mesin e viteve 1970 letërsia për fëmijë është e orientuar kryesisht te përrallat dhe poezia dhe më pak te romani, tregimet, fumeti, përshtatjet apo librat e ilustruar me ngjyra. E pavarëisht vështirësive, ka mjaft libra shumë të mirë të kësaj periudhe që kanë arritur të lënë gjurmë tek fëmijët. Librat me personazhet e tyre kanë ndikuar te disa breza dhe fakti që disa nga titujt e autorëve vazhdojnë të lexohen e të kërkohen edhe sot, tregon se edhe letërsia shqipe për fëmijë ka krijuar personazhet e vet të dashur.
foto ilustruese- foto orfeu.al
1. Adelina Mamaqi: Krijimtaria e saj letrare u shfaq në fund të viteve ’50, kryesisht vjersha dhe përralla. Në tërësinë e tyre, vjershat e poetes Adelina Mamaqi janë të sinqerta e të ngrohta, ato rrokin tema e detaje nga jeta e përditshme e fëmijëve, janë si të thuash, një bashkëbisedim i saj me fëmijët. Ndërkohë që përrallëzat e kësaj autoreje shquhen për thjeshtësinë e tyre, përshtatjen me moshën e vogël, dallojnë për nivelin artistik, moralin e mesazhet që përcjellin, si dhe për vlerat didaktike dhe edukative që bartin.
2. Petro Marko: U shfaq si gazetar dhe shkrimtar i talentuar I romaneve për të rritur, por në letërsië më fëmijë konsiderohet si autori që ka shkruar romanin më të bukur aventurë, të titulluar “Shpella e piratëve”. Romani është publikuar për herë të parë në vitin 1964 nga shtëpia botuese Naim Frashëri dhe prej asaj kohe është ribotuar me dhjetëra herë si dhe inskenuar në forma të ndryshme. Fakti që ky libër është i përfshirë për studim në programet e shkollore në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe gjithashtu, fakti që kërkohet nëpër librari, tregon se ky roman është një vlerë e lettërsisë shqipe për fëmijë. Petro Marko është autor edhe i romanit tjetër për fëmijë “Fantazma dhe plani 3+4”, por që nuk ka famën e romanit që cituam më sipër.
3. Bedri Dedja: Krijimtaria e tij letrare u shfaq në vitet ’50. I përkushtuar ndaj letërsisë për fëmijë, psikolog e pedagog i rrallë në këto fusha, ai u bë figurë qendrore e letërsisë për fëmijë. Ndër titujt e tij përmendim “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Seria e poezisë së zgjedhur”, Kalamajtë e pallatit timë, “Fitorja e përbashkët”, romanin fantastiko – shkencor “Presidenti i Planetit të Kuq”, etj. Veprat e Bedri Dedjes kanë nivel të lartë artistik dhe këndvështrim bashkëkohor. Përveç fëmijëve, ato u shërbejnë si udhërrëfyes pedagogjikë edhe prindërve dhe mësuesve.
3. Gaqo Bushaka: u shfaq në letërsi nga fundi i viteve ’60. Angazhimi i tij në letërsi spikati me letërsinë për fëmijë. Të gjithë jemi rritur me librat e Bushakës dhe jemi argëtuar pa fund me personazhet e tij të prapë dhe gazmorë. Nga krijimtari e tij veçojmë “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, “Një natë vjeshte”, “Gladiatori dhe tigri”, etj. “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” është një nga librat që konsiderohet si perlë e letërsisë shqiptare, që mund të lexohet nga fëmijë, por edhe nga të rritur, që duan të përkujtojnë fëmijërinë e tyre. Është libri për fëmijë më i lexuar në 40 vjet. Çufo si personazh përcjell te fëmijët shpirtin e lirë dhe aventurën, nxit fantazinë dhe pasuron botën e lexuesve të vegjël parreshtur.
foto ilustruese Qershori dhe librat per femije - foto koha jone
4. Odhise K. Grillo u shfaq në letërsi në vitet ’50. Krijimtaria e tij për fëmijë është shumë e gjerë: prozë e poezi, në gjini dhe zhanre letrare, si: përralla, poezi, poema, tregime, novela, tekste këngësh, libra shkollorë, përkthime, rikrijime e përshtatje të disa veprave madhe nga Letërsia botërore. Odhise Grillo ka shkruar vërtet shumë por do të përmendnim vetmë tekstin e këngës “Macja do të lahet/ prap do të thahet”, për të kuptuar se fëmijëria e secilit prej nesh është e lidhur fort me shkrimtarin, edhe pa e ditur, sikur ne vetë kemi qenë të lidhur që fëmijë me vargjet e kësaj kënge. Një këngë që këndohet edhe sot nga fëmijët, ndonëse autorin e tyre nuk e përmend kush.
5. Tasim Gjokutaj u shfaq në fund të viteve ’60 dhe lëvroi me sukses letërsinë për fëmijë në zhanre të ndryshme. Lëvron me sukses poezinë dhe poemën humoristike. Ndër veprat e tij më të spikatura janë “Keci që s’bëri detyrat”, “Derrkuci që bëri dush”, “Kush e hëngri akulloren?”
Listës së autorëve të përmendur më sipër, u bashkohen edhe një numër krijuesish të tjerë për fëmijë, të cilët nuk mund të kalojmë pa i permendur, si Sokol Jakova, Vangjush Soro, Vehbi Kikaj, Xhevat Beqaraj, Xhahid Bushati, Viktor Canosinaj, Shkëlzen Zalli, etj,
Të gjithë këta kanë ndikuar që jetën e fëmijëve ta bëjnë më të bukur. Librat me përralla apo vjershat e vogla, kanë rrethuar të vegjëlit deri sa u rritën për t’ua lënë vendin tregimeve, romaneve të aventurës apo të fantashkencës. Imazhet e thjeshta, por ekspresive të librave të tyre kanë hapur bukurinë e botës rreth fëmijëve. Në fund të fundit, shkrimtarët bëhen shumë të dashur për fëmijët, pikërisht sepse e shohin botën me sytë e tyre.
Neritana Kraja