Sopranoja Erda Çokaj Pirani ka prekur skenën me pjesëmarrjen në festivale të ndryshme për fëmijë, si “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”, Festivali Mbarëkombëtar për Fëmijë, etj. Ajo ka studiuar në degën e Kantos në shkollën “Prenk Jakova”, si edhe studimet e larta në Universitetin e Arteve. Në periudhën e gjimnazit ajo ka punuar me prof.Rita Dervishin, ndërsa në Universitet me artistët Shqipe Mingomata, Frano Lufi dhe Armando Likaj. Ka qenë mbi 15 vite anëtare e Shoqatës “Prenk Jakova” nën drejtimin e Prof. Gjon Shllaku.
Erda shquhet për një stil të veçantë në të kënduar. Pas impenjimeve familjare dhe përkushtimit të dy fëmijëve binjakë, ajo u shkëput nga skena për disa vite, për t’u rikthyer sërish në edicionin e fundit të festivalit muzikor “Luleborë”. Gjithashtu ajo ka marrë pjesë edhe në koncertin “Romanca Shqiptare” ku ka interpretuar bashkë me emra të njohur të muzikës operistike në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Në intervistë për Radio Ejani, ajo na rrëfen për dashurinë për muzikën që nuk është zbehur për asnjë moment, por edhe për rikthimin e saj në muzikë, duke qenë prezente në festivalet në vazhdim.
CMG: Festivali "Luleborë" të riktheu në skenën e muzikës. Na trego si erdhi ky rikthim?
Erda Pirani: E kisha menduar prej kohësh që të rikthehesha në skenë me një material të ri muzikor. Një dëshirë e shprehur prej kohësh, herë herë edhe me tendendencë për të shkuar në veshin e duhur dhe kështu ndodhi. Një ditë autori i këngës Ergys Pirani, që është edhe bashkëshorti im më tha se kishte bërë një këngë për Festivalin “Luleborë”. Duke qenë se ky festival zhvillohet në Shkodër dhe kishte filluar që të merrte një drejtim më serioz, si në stil, por edhe më modern edhe në drejtimin e tij artisitik menduam të merrnim pjesë. Kështu që ai kishte krijuar bindjen që mund të konkuronim aty, ku mund të rikthehesha edhe unë në skenë, por këtë herë ndryshe nga herët e tjera, sepse gjithçka ishte bërë enkas për mua dhe kështu u realizua projekti për festivalin “Luleborë”.
CMG: More pjesë në këtë festival me këngën "Mos u ndal". Kujt i drejtoheshe?
Erda Pirani: Si u shpreha autori është Ergys Pirani dhe kënga është trajtim filozofik. Është munduar të përshkruajë qytetin e Shkodrës dhe mua personalisht me “Mos u ndal”, si një ndjesi dhe kurajo që tani e tutje mos të ndalem.
CMG: Ky është një bashkëpunim me bashkëshortin, Ergys Pirani. Si është bashkëpunimi brenda familjes edhe në art?
Erda Pirani: Mund të them se është e lehtë dhe e bukur, në aspektin e kuptimin e përjetimit e përpunimit të këngës, pasi krijon botën tënde dhe futesh në të gjitha detajet. Duke qenë pjesë e ndërtimit të asaj që automatikisht të jep edhe një eksperiencë mjaft të vlefshme për arritjen profesionale, ashtu si mund të them se realizimi i këngës nuk ka qenë aq i lehtë, pasi kërkesat dhe pretendimet janë të mëdha. Në fakt është ndryshe duke qenë çift, sepse ka momente që harron aspektin profesional, duke marë parasysh llastimet që na personifikojnë ne vajzave, me mërzitjet, tekat, etj. Në fakt dua të falenderoj shumë si pjesë e bashkëpunimit tonë edhe kompozitorin Enis Mullaj, i cili bëri orkestracionin dhe produksionin muzikor. Jam me fat për këtë bashkëpunim me profesor Enisin, një artist i jashtëzakonshëm, i cili po shijon dhe majat e suksesit të tij.
CMG: Si ishte ky prezantim për ty në "Luleborë"? Konkurimi, ritakimi me artistë?
Erda Pirani: Prezantimi ishte mjaft i mirë, kënga pati suksesin e saj si në mesazh ashtu edhe në stil, duke qenë edhe në të gjitha elementet e saj. Një rrymë, e cila nuk qëndron në ato standarde dhe besoj u mirëkuptua nga publiku, pikërisht për këto cilësi që treguam. Fjalët e mira dhe urimet nuk munguan nga profesionistët e fushës, duke më bërë të besoja tek “Mos u ndal”, një motiv shtysë që më bën më të fortë për të ardhmen. Emocionet dihen që janë më të forta kur përballesh me skenën dhe artistët pjesëmarrës, ku me pjesën më të madhe njihesha edhe në aktivitetet e mëparshme, kështu që u ndjeva shumë mirë.
CMG: Ti ke qenë pjesë e aktiviteve të ndryshme në Shkodër, përse kjo pauzë? E kujt ishte ideja e rikthimit në skenë?
Erda Pirani: Që fëmijë jam aktivizuar në aktivitetet artistike, ku shkëputja ka ardhur si pjesë e angazhimeve familjare. Sot jam nënë e dy fëmijëve binjakë, gjë e cila kërkon një përkushtim shumë të madh dhe unë vendosa t’i përkushtohesha familjes. Dëshira për të kënduar ishte edhe e bashkëshortit, më bëri që të rikthehesha në skenë.
CMG: Ti ke qenë pjesë e koncerteve të muzikës qytetare, por edhe e festivaleve të fëmijëve. Çfarë kujton nga ajo kohë?
Erda Pirani: Unë që fëmijë jam aktivizuar në aktivitete kulturore të shkollës, ku mësuesit e muzikës më evidentuan, duke më bërë pjesë të festivalit “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”, ku kam qenë pjesë e finaleve të këtij festivali, më pas nga këtu vijova me aktivitet e festivalit mbarëkombëtarë për fëmijë në Shkodër,etj. E gjithë kjo është një periudhë shumë e rëndësishme e jetës time, pas nga këto hapa drejt muzikës, ishin edhe mësuesit e muzikës së Qendrës Kulturore për Fëmijë, që më motivuan dhe më vunë në dukje talentin tim vokal, duke më shtyrë që të konkuroja edhe në shkollën e Mesme Artsitike “Prenk Jakova” për kanto, ku vazhdova studimet në rrugën e gjatë tashmë të artit profesionist. Nga aty filloi edhe një rrugë e re për mua në fushën e muzikës. U aktivizova në Shoqatën Artistike “Prenk Jakova” e drejtuar nga Mjeshtri Gjon Shllaku, si koriste e soliste e duke marrë pjesë në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, aktivitete të cilat vazhduan edhe në zhanrin e muzikës popullore, ku paralelisht mora pjesë prej disa vitesh rradhazi në Ahengun Shkodran, një aktivitet i kthyer në traditë në qytetin e Shkodrës. Më pas fillova studimet në Akademinë e Lartë të Arteve për Kanto, ku mora pjesë në vvorkshop-e dhe aktivitete të ndryshme, nga ku mund të veçoj dhe turneun e “Romanca shqiptare”, ku isha pjesë si soliste. E gjithë kjo periudhë që përshkrova është një nostalgji në çdo hap me veçantitë e veta. Gjithë këto kujtime më duken si shekuj në fakt, dhe ishte fat që shumë artistë në qytet, vijnë nga i njëjti udhëtim, kështu që momentet e shumta kujtohen edhe shpeshherë.
CMG: Dashuria më e madhe për këngën atëherë apo sot?
Erda Pirani: Kjo është një gjë që nuk mund ta ndaj pasi çdo periudhë dhe ndjesi janë të ndryshme. Ndjesitë vijnë sipas moshës, pjekurisë artistike, por di të them se dashurinë e kam aq të madhe, sa e ndjej gjithmonë edhe më në rritje.
CMG: Cilat janë synimet që i ke vënë vetes tani e në vazhdim?
Erda Pirani: Që të jem pjesëmarrëse më shumë në aktivitetet e qytetit, por edhe më gjerë. Të kem këngë të reja, duke përfaqësuar një stil të veçantë, në pjesëmarrje në festival e në vazhdim.
CMG: Si e sheh veten pas një dekade në aspekt muzikor?
Erda Pirani: Pas një dekade shpesoj që si këngëtare të njihem për stilin tim me këngë të reja, por gjithashtu që të kem edhe një album timin.
CMG: A do të shohim ndonjëherë në skenën e festivalit të Këngës në Rtsh?
Erda Pirani: Shpresoj, në fakt kjo është dhe një nga ëndrrat e mia. Uroj që ta marrin seriozisht këtë punë ata që po e dëgjojnë këtë intervistë në këto momente (qesh).
CMG: Plani yt më i afërt, cili është?
Erda Pirani: Plani më i afërt është për të sjellë një këngë të re në edicionin e tetë të Festivalit “Luleborë”, një projekt me të njëjtët bashkëpunëtorë Ergys Pirani dhe Enis Mullaj. Gjithashtu po punoj edhe për një tjetër festival që do të zhvillohet në Shkodër.
CMG: Çfarë do i thoje dëgjuesve të Radio Ejani dhe programit "Muzika shqip"?
Erda Pirani: Do i thoja që të dëgjojnë muzikë të mirë, ta selektojnë atë dhe pavarësisht nga grupmoshat, muzika jua bën jetën më të bukur. Na bën të gjithëve të ndjehemi mirë, me një shpirt të pastër dhe si e tillë, na bën edhe qytetarë më të mirë. Pa muzikë s’ka jetë, prandaj shijojeni atë.
Intervistoi: Sava Lena