Karriera e Shkëlqim beshirit si këngëtar ka nisur rreth viti 1972 dhe në vitin 1982 aktivizohet me Shtëpin e Kulturës Ura Vajgurore si dhe me mbledhjen e këngëve burimore të kësaj zone. Në karrierën e tij shumë vjeçare ai ka realizuar dy albume muzikore si dhe ka bashkëpunuar me kompozitorë të njohur si Adrian Hila, Edmond Zhulali, Klodian Qafoku dhe Edi Balili. Në një intervistë për Radio Ejani Z.Beshiri tregon për karrierën e tij muzikore, pjesëmarrjet nëpër festivale të ndryshme folklorike si dhe projektet për të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Z.Beshiri!
Shkëlqim Beshiri: Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë që më bëni ndërsa ndodhem emigrant në Itali si gjithë shqiptarët. Këtu mundohemi sadopak që ta mbajmë gjallë folklorin shqiptar. Unë jam munduar maksimalsisht dhe them se kam bërë diçka bashkë me shqiptarët e tjerë.
CMG: Ju mungon publiku i Shqipërisë ?
Shkëlqim Beshiri: Publiku i Shqipërisë më mungon shumë dhe përlotem. Kur zbrita nga trageti në Vlorë u përlota sepse aty shikoja vendin e këngës, aty mu kujtua përnjëherë Lefter Çipa e shumë këngëtarë të tjerë, miq e shokë që më dridhet mishi kur i kujtoj sepse kam bërë shumë për folklorin.
CMG: Jemi në prag të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës që do të nisë në 24 qershor. Në sa festivale folklorike keni qenë pjesëmarrës dhe si i kujtoni ato momente?
Shkëlqim Beshiri: Unë për herë të parë në Festivalin Folklorik kam marrë pjesë në vitin 1983 si dhe në vitin 1988. Kryesisht jam munduar që të çoj në festivalin folklorik këngë të folklorit të vjetra dhe të tabanit, por dhe këngë që janë sjellë si risi nga folklori i këngës popullore. Kam bashkëpunuar me një historian të vjetër Petrit Belliu, i cili ai më ka furnizuar rregullisht me këto materiale.
CMG: Do të merrni pjesë këtë vit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës?
Shkëlqim Beshiri: Unë jam përzgjedhur për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që do të zhvillohet në fund të qershorit. Kam përsëri një këngë të vjetër, të cilën do të mundohem që ta realizoj me ndihmën e një fyelltari të cilin e kam përzgjedhur me veshje popullore.
CMG: Nuk e keni ndarë nga vetja kostumin popullor, duke u prezantuar në çdo dalje tuajën me veshjet popullore tradicionale.
Shkëlqim Beshiri: Unë kam një traditë që në çdo festival që është bërë apo dhe në këto festivalet e tjera ku kam shkuar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo vende të tjera, veshjet popullore i kam veshur rregullisht dhe janë të përshtatshme për këto aktivitete që kam marrë pjesë.
CMG: Cila është veçantia e këngës popullore tradicionale beratase?
Shkëlqim Beshiri: Zona e Beratit ka këngë të bukura si dhe gjithë trevat e tjera, por mua më ka emocionuar sepse shumë nga këto këngë janë interpretuar prej vitesh dhe tashmë janë bërë hite në Berat. Berati ka një traditë për folklorin, ku dhe në fshatin tim Terpan grupet popullore kanë marrë shumë herë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Nga Rahova ka qenë Hasan Hasani i cili ka marrë pjesë në festivalin e Gjirokastrës për herë të parë para meje. Unë kam marrë pjesë dhe e kam zhbiruar këtë njeri dhe kam gjetur materiale shumë të fuqishme të cilat ai i këndonte nëpër festat që bëheshin në fshatin tonë. Ai më ka frymëzuar dhe ato këngë më kanë ngelur në mendje.
CMG: Gjatë karrierës suaj muzikore i keni kushtuar shumë këngë qytetit të Beratit, ku keni sjellë dhe krijimtari të re popullore.
Shkëlqim Beshiri: Më kujtohet që kur u zhvillua festivali i parë në Berat dhe bëra një këngë përshëndetëse të cilën ma bëri i ndjeri Llazar Fyke, një këngë dedikuar Beratit, por mua më kanë bërë më shumë përshtypje disa këngë nizanësh.
CMG: Cilat janë materialet muzikore që ju keni sjellë për artëdashësin pas viteve 90-të?
Shkëlqim Beshiri: Unë kam bërë dy albume me nga 10 këngë secili album. Gjithashtu kam hedhur zërin në shumë këngë të këngëtareve të reja të muzikës popullore, kam hedhur zëra dhe në këngën fituese të Festivalit të 44 të këngës në RTSH me Luiz Ejllin, por që në Eurovizion shkoi dikush tjetër. Unë kam bërë këngë edhe për krahinën time, këngë për shumë kulte fetare të krahinës time. Kam bërë një xhirim të paktën 20 orë me dy kamera dixhitale dhe një dron, duke filluar që nga Molishti, Plashniku, Rahova, Vokopola dhe vende të tjera.
CMG: Keni bashkëpunuar me këngëtarë të tjerë të këngës popullore?
Shkëlqim Beshiri: Kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë të tjerë, ku kam bërë disa këngë me këta këngëtarë. Mendoj që ata kanë qenë këngëtarë të rinj, sepse unë kam qenë që herët që jam marrë me këngën, të cilët këta të rinj edhe sot bëjnë karrierë duke filluar nga Dule Malindi, Edmond Bregu dhe shumë të tjerë. Janë një pjesë e mirë e këtyre këngëtarëve të rinj dhe këngëtareve të reja që unë ju kam hedhur zërat shoqëruese në këngët e tyre. Në studion e kompozitorit Adrian Hila këto këngëtarë hidhin një zë ndërsa unë hidhja 4-5 zëra të ndryshme dhe për këtë më ka cilësuar Adi si mjeshtër. Unë kam punuar me kompozitorë të ndryshëm si Edi Balili, Klodian Qafoku, Edmond Zhulali si dhe me Agim Xhemalin, një mjeshtër i këngës popullore tradicionale.
CMG: Mendoni se brezi i ri e pëlqen këngën popullore dhe e interpreton atë ashtu siç duhet?
Shkëlqim Beshiri: Është shumë interesante se përveçse e pëlqejnë, por dhe e kënrkojnë shumë bukur. Unë jam në Itali dhe atje janë djem dhe vajza të reja, ku unë punoj atje në lokalin e vajzës dhe është e pamundur sepse vijnë shumë të rinj që kërkojnë vetëm këngë popullore. Këta të rinj sot të marrin mikrofonin nga dora dhe duan të këndojnë. Mua më duket sikur gjithë shqiptarët këndojnë mirë dhe e duan me shumë pasion këngën popullore. Madje ka qytetarë nga jugu që kërkojnë dhe këngë të trevës së Shqipërisë së mesme dhe të veriut.
CMG: Shkoni shpesh në Terpan dhe çfarë kontributi keni dhënë për vendlindjen tuaj?
Shkëlqim Beshiri: Unë punoj shumë në Itali si dhe jam një aktivist shoqëror. Nëpërmjet Kryqit të kuq kam sjellë një ambulancë në Berat bashkë me kryetarin e shoqatës “Skënderbeg” në Ancona, ku kam bërë me dhjetra koncerte me të ftuar personalitete nga Shqipëria të asaj kohe. Unë kam sjellë veshje dhe ushqime për krahinën time.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Shkëlqim Beshiri: Unë kam dashur që të bëj shumë, por janë mundësitë e vogla sepse edhe mosha bën të veten. Gjithësesi kam ndërmend që të bëj një album të vogël muzikor me disa këngë të tjera që i kam detyrim ndaj krahinës time. Do të përqëndrohem vetëm tek këto këngët patriotike dhe erotike sepse mendoj se është i ngjeshur folklori shqiptar dhe nuk din se çfarë të zgjedhësh.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Shkëlqim Beshiri: Unë i përshëndes me gjithë shpirt duke ju uruar gjithë të mirat në jetë.
Intervistoi: Gazmend Agaj