foto nga shfaqja (Foto personale)
Shfaqja teatrore "Tani keni sy për të parë" u vu në skenë në Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji nga Klaudia Piroli. Protagoniste në këtë shfaqje janë vetëm femra, të cilat përpara se të jenë feministe, së pari janë qënie njerëzore dhe nuk pranojnë të shihen si viktima. Kjo shfaqje ishte një sfidë e teatrit bashkëkohor, ku trupi i aktorit merr po të njëjtën peshë sa edhe fjala, paraqitja skenike merr të njëjtën rëndësi sa vetë aktrimi. Titulli origjinal i veprës “Now You see Her”, ka autore Lisa Karen Cox, Maggie Huculak, Raha Javanfar, Amy Nostbakken, Norah Sadava dhe Cheyenne Scott. Në këtë shfaqje spektatori pati mundësi që të shohë deri në thellësi të psikikës femërore, e cila erdhi me interpretimin e aktoreve, Loredana Gjeçi, Enisa Hysa, Denada Llanaj dhe Artemis Beluli.
CMG: Si regjisore këtë herë ke zgjedhur të vesh në skenë shfaqjen "Tani keni sy për të parë". Përse kjo zgjedhje?
Klaudia Piroli: Me tekstin jam njohur një vit më parë në teatër, kur kisha vënë në skenë në atë kohë shfaqjen "Pa zë" të të njëjtave autore, dy autore kanadeze që janë të prirura për të shkruar për politikat feministe. "Now you see her" është titulli origjinal ku 6 gra eksplorojnë disa mënyra se si gratë zhduken në kulturën tonë. Zërat e këtyre grave në këtë shfaqje janë mjaft sfiduese dhe pyetja që ato bëjnë është shumë e thjeshtë, pse dhe si e lejojnë fuqinë tonë të zhduket pa u përpjekur.
Klaudia Piroli (Foto personale)
CMG: Si ishte impakti i parë pasi u vu në skenë shfaqja?
Klaudia Piroli: Në këtë shfaqje spektatori pati mundësi që të shihte deri në thellësi të psikikës femërore. Impakti ishte pozitiv dhe mendoj se spektatorët e mirëpritën këtë tekst bashkëkohor dhe eksperimentin që unë bëra si regjisore.
CMG: Vetëm vajza në skenë, por në publik a keni pasur më shumë vajza apo djem? Si e pritën shfaqjen?
Klaudia Piroli: Vitin që shkoi dhe këtë vit kam zgjedhur të punoj vetëm me vajza, sepse teatri mendoj se është vendi i duhur për të folur për realiatetin, është një burim i fuqishëm për të suportuar gratë, sidomos aktorët dhe profesionistët. Për të folur për intimitetin si grua, sfidat e saj si nënë, si profesioniste dhe si qënie e cila është etiketuar gjithmonë si e brishtë. Në publik kishte edhe burra e djem, e reagimet e tyre ishin të kursyera, por doja të përmendja një rast specifik. Sapo mbaroi shfaqja një djalë aktor i ri, më drejtoi gishtin në formë akuze duke më thënë "ti je feministe". Përgjigjja e parë që më erdhi natyrshëm ishte; " Po jam feministe dhe nuk ka asnjë problem". Por e shoh këtë term pak të keqpërdorur, të keqtrajtuar sot. Mendoj se feministe është nëna ime, e cila ka sakrifikuar për të rritur fëmijët, feministe është nëna e kujtdo që na ka këshilluar dhe edukuar.
Foto nga shfaqja (Foto personale)
CMG: Si ndjehesh pasi ja dole me sukses?
Klaudia Piroli: Dua të falenderoj aktoret Enisa Hysa, Loredana Gjeçi, Denada Llanaj dhe Artemis Beluli për këtë bashkëpunim të veçantë dhe shumë kompleks, sepse nuk ka qenë proces i lehtë për katër gra të shkojnë në psikikën e katër grave të tjera. Secila ka histori të ndryshme. Nuk ka qenë e lehtë që ne të gjitha bashkë të menaxhonim emocionet dhe here- herë edhe egon e gruas aktore, por ja kemi dalë. Dua të falenderoj edhe Sofi Kara kostumografen, pra ne ishim një kast grash që u ngjitëm në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli", me një mision që të flasim për realitetin e gruas. Unë si profesioniste grua jam ndeshur shpesh herë me paragjykime për pamundësinë time psikike, fizike për të shkuar deri në skenë dhe që mendoj se jam kam dalë sepse kam patur nevojë të flas. Dhe duke pasur nevojë që të flasësh, në skenë do jesh e përgjegjshme dhe do thuash ato gjëra që vërtetë i nevojiten shoqërisë. Unë tani ndjehem pak çuditshëm, pak bosh, por kjo është një ndjesi që unë e kam gjithmonë kur mbaron një proces . Mendoj se kjo gjë më ka ndihmuar shumë si profesioniste dhe si grua.
CMG: Faleminderit dhe suksese me projektet në vazhdim
Klaudia Piroli: Faleminderit shumë dhe shihemi në projekte të tjera. Unë si grua do ta gjej gjithmonë një arsye për tu ngjitur në skenë, e për të mbështur gra të reja me këtë profesion që kemi.
-Ato janë të padukshme, të harruara dhe të nënshtruara. Në një shpërthim lëvizjesh dhe fjalësh të përqendruara, pesë personazhe në “Now You See Her” eksplorojnë disa nga mënyrat e ndryshme se si gratë zhduken në kulturën tonë. Ato këndojnë, kërcejnë dhe e hedhin veten në elementet e natyrës, ndërsa udhëtojnë nëpër stinët e jetës së tyre. Zërat e tyre janë sfiduese. Gratë që kanë punuar për këtë projekt thërrasin: "Zgjohuni, zgjohuni, të gjithë! Erdhi koha! Po, sot, tani. Këtë orë. Është koha e duhur! Që ç’ke me të! Jemi këtu dhe jo rastësisht, apo jo? Mos i pulisni sytë! Ose do t’i humbisni të katra stinët, tek ju kalojnë në një natë të vetme, do ta shihni, ose ndoshta nuk do ta shihni, ose ndoshta po. - “Now You See Her””, thuhet në materialin e kësaj shfaqjeje me kostumografi nga Sofi Kara, kompozitor Eduart Hallulli, ndriçim nga Taulant Kotorri dhe me shqipërimin e Adriana Tolka. “Tani keni sy për të parë” është një shfaqje teatrore e cila u shfaq në muajin maj premierë, gjatë këtij sezoni artistik.
Intervistoi: Sava Lena