Kompania Stefani Co-Birra Stela (Foto kompania Stela)
Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2022 shënoi një rritje të eksporteve të Shqipërisë drejt Kinës, në masën 67 përqind. Kina është vendi i 6-të tek i cili ne eksportojmë, për nga vlera në treg e eksporteve tona. Kryesisht ne eksportojmë ferro-lidhje, xeherorë dhe koncentrate bakri, si dhe xeherorë dhe koncentrate kromi, pasi industria kineze është gjithnjë e etur për lëndë të tilla të para.
Kina është treg i madh dhe kompanitë shqiptare duhet të bëhen bashkë, si dhe të integrohen edhe në oferta rajonale, për t’i bërë të interesuara kompanitë importuese kineze. Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore është pjesë e strategjisë për nxitjen e eskporteve, e cila ndiqet nga qeveria shqiptare.
Stefan Pinguli CEO i Birra Stela në intervistë për CMG
CMG: Si e filluat bashkëpunimin tregtar me partnerët kinezë? Përshtypjet tuaja për këtë bashkëpunim
Stefan Pinguli: Kina është një treg jashtëzakonisht i madh. Këtë e ka vlerësuar e gjithë bota. Ne tentuam që të bëjmë lidhjet tona të para. Ishte një rast i mrekullueshëm. Partnerët kinezë ishin më të vëmendshëm se ne, për tregun shqiptar. Kishin kujtimet e tyre përpara 30-40 vitesh.
CMG: Nostalgjia ndihmoi, me sa duket.
Stefan Pinguli: Ishte një shkallë njohjeje. Marketingu i tyre ka një diapazon shumë të gjerë dhe shumë të thellë edhe në kohë. Ndërkohë, biseduam me ta për të gjitha gjërat dhe ajo që na pengonte kryesisht ishin taksat. Taksat kineze për të hyrë malli ynë në Kinë.
Sigurisht që shteti kinez nuk ka aq interes për Shqipërinë, sa të mblidhet një kuvend atje, për të ndërruar taksat për Shqipërinë. Duhet të jetë shteti shqiptar ai që të ngacmojë këtë interes.
Unë mendoj se ne duhet të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike intensive me Kinen. Jemi në një vend të lirë dhe kemi nevojë të tregtojmë lirësisht. Për t’ju afruar përgjigjes ndaj pyetjes suaj, në këtë rast, disa miq tanë na ofruan një partner kinez, i cili na ofroi një takim në një nga rastet e paraqitjes së produkteve të botës në Kinë.
CMG: Në një panair, ndoshta.
Stefan Pinguli: Po, në një panair. Këto janë të pafundme në Kinë. Ne morëm pjesë në atë panair, ku, të ndihmuar edhe nga Dhoma jonë e Tregtisë, e cila na bëri zenien e vendit ku do të ekspozonim produktet tona dhe zënien e hotelit. Ne të gjitha gjërat e tjera u detyruam t’i bëjmë vetë dhe t’i transportojmë vetë.
Mirëpo aty ne pamë një interes të jashtëzakonshëm të Kinës për produktet tona. Nuk flas vetëm për kuadrin cilësor, se ai nuk diskutohet. Flas për nivelin e çmimeve. Atje është një gjë. Siç mund ta dini edhe ju, çmimet në Kinë janë me disbalanca të mëdha. Ka produkte kineze, ka produkte vietnameze, tajlandeze, indokineze, të cilat janë me çmime fantastike. Ka edhe produkte evropiane, të cilat, qoftë dhe për çmimin e transportit, qoftë dhe per taksat që aplikohen mbi to, etj., përmbajnë një vlerë shumë të madhe, kanë një çmim të lartë.
Për më tepër, ne përjashtohemi edhe nga fakti që jemi një vend i veçantë, që nuk kemi një marrëdhënie me Kinën, që t’i kemi zeruar taksat. Kina ka një taksë shumë të lartë për ne dhe ne kemi një taksë shumë të lartë për Kinën. Mbi këtë bazë, bashkëpunimi këtu ka mbetur dhe nuk po ecën.
Stefan Pinguli CEO i Birra Stela (Foto Vizion Plus)
CMG: Ju përmendët, kur po bisedonim përpara se sa të nisnim intervistën, një shembull të mirë, siç është ai i fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, në raport me partnerët kinezë. Si e kanë zgjidhur ata?
Stefan Pinguli: Çështja është: nëse shteti ka një vëmendje ekonomike, pra, siç e thashë në fillim, bëjmë politika ekonomike dhe nuk bëjmë ekonomi politike, atëhere detyrimisht që do të gjejmë mundësi, fronte. Lidhur me rastin maqedonas, një pjesë e mirë e shtetit të Maqedonisë së Veriut përbëhet nga shqiptarë dhe ne komunikojmë me ta. Atje kemi patur dhe kemi ministra dhe zëvendëministra të tregtisë, që janë shqiptarë.
Kemi biseduar me ta dhe konstatojmë se ka nje mekanizëm shtetëror për rregullimin e të gjitha marrëdhënieve të Maqedonisë së Veriut me botën. Për shembull, po kap rastin e birrës dhe verës, për të cilat jam interesuar edhe vetë. Fatmirësisht jam edhe Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës. Konstatojmë se ata janë kaq të përqëndruar, sa shpreheshin se deri në vitin 2025 e kishin zgjidhur çështjen e birrës për eksport. Ata prodhojnë jashtëzakonisht për eksport. Kjo është falë dy veprimtarive shumë të mira të shtetit të Maqedonisë së Veriut.
E para, është angazhimi për t’i kapur këto tregje. Sigurisht, ky shtet e gëzon lirinë që secili prodhues të shkojë dhe të gjejë tregje, si dhe tek ne, por, nga ana tjetër, shteti aty, me organizmat e veta, gjen treg për prodhuesit e vet.
Së dyti, Maqedonia e Veriut ka minimizuar taksat mbi prodhimin. Ne akoma vuajmë nga probleme shumë të mëdha të raporteve të paqarta dhe të pa-gjithëpërfshira me shtetin tonë.
Thonë se gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi. Dua të përmend faktin anormal të heqjes së akcizës për birrat e importit. Këto birra të gjitha janë mbi 200 mijë hektolitra dhe akciza ishte një normë evropiane, nuk ishte normë shqiptare. Por edhe sikur shqiptare të ishte, nuk mund të merret një veprim aq drastik dhe të rritet akciza 180 lekë për litër. Ne në tregun shqiptar jemi të zhveshur, për arësye se birrat e huaja po bëjnë dasëm. Edhe sot e kësaj dite, janë ulur nivelet e shitjes së birrave të vendit në vend me 20-30 përqind. Kam frikë se deri në fund të vitit do të kemi mbi 50 përqind të rënies së prodhimit vendas.
Kam përshtypjen se nuk jemi mirëkuptuar, por kanë ecur me dëshira voluntariste, për të bërë veprime të tilla. Në këtë kontekst, ne si prodhues duhej të ndihmoheshim. Në paketën fiskale, ne këtë kemi kërkuar, që të lehtësohemi nga taksat, jo në kuptimin që të ulen taksat, por të gjithëpërfshihemi në procesin e taksave. Ky element duhet rregulluar, sepse është pjesë e rëndimit të kostove, përveç emocioneve, përveç kohës, etj.
Së dyti, vetë kjo akcizë është pjesë e një produkti, siç është nafta. Ne e përdorim naftën për transport. Ajo përbën 12 deri në 20 përqind të kostove të birrës. Ne nuk na e njohin akcizën e naftës, kur ne e paguajmë akcizën e birrës. Ne duhet të kishim automatikisht rimbursim. E njëjta gjë ndodh me TVSH-në. Nuk na e njohin TVSH-në e transportit. Duhet të hapim shoqëri transporti. Po përse duhet të hapim shoqëri transporti? Këto ja kemi propozuar shtetit. Shteti në mënyrë indirekte ka thënë “po”, por ne na mungon kolona qendrore e gjithëpërfshirjes, ku ne të gjithëpërfshihemi në vendimmarrjen e shtetit.
Ne jemi të barabartë. Ne kontribuojmë në buxhetin e shtetit. Atëhere, shteti duhet të ketë parasysh që ne jo vetëm kontribuojmë dhe ai ka interes, por ne, në fund të fundit, jemi pronarë të vetes sonë. Ne duhet të jemi bashkë në vendimarrje. Gjithëpërfshirja është një element i domosdoshëm dhe i patjetërsueshëm.
Birra Stela (Foto Kompania Stela)
CMG: Në këndvështrimin tuaj, cilat do të ishin avantazhet e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Kinë, duke qenë se ju e keni nisur këtë, pavarësisht vështirësive, në kuadrin e bashkëpunimit të Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore? Është një mekanizëm, i cili mund të sigurojë avantazhe për ne.
Stefan Pinguli: Unë e thashë që në fillim. Hapi i parë që duhet të marrë shteti ynë, është të rregullojë marrëdhëniet bilaterale me import-eksportet me Kinën. Ky është hapi numër një. Nuk e di pse duhet të tregohemi hipokritë ndaj skolastiçizmit politik. Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrëdhënie të gjera tregtare me Kinën.
Shohim Evropën, i shohim të gjithë. Janë veprues dhe bashkëpunues me Kinën, pse e shohin që realiteti është më tepër ekonomik, se sa politik. Dhe politika lind nga ekonomia. Nuk mund të ndodhë e kundërta.
CMG: Në informacionet dhe në dijeninë tuaj, a ka kompani të tjera të rëndësishme shqiptare që eksportojnë në Kinë, në mënyrë që të bëheshit një grup dhe të lobonit më fort?
Stefan Pinguli: Ka të tilla, por nuk ka nevojë për lobim. Kujt do t’ia mbushim mendjen ne? Vetes sonë, qeverisë sonë? Çfarë të keqe ka, që në të eksportojmë në Kinë? Është gjëja më e mirë në botë. Kështu që çështja nuk shtrohet për lobim. Nuk është rasti që ne të jemi në kundërshtim me qeverinë dhe hajde lobojmë. Nuk është se qeveria është në kundërshtim me ne. Jo. Qeveria është e interesuar. Vetëm duhet qartësuar dhe duhet sjellë më në vëmendje të saj marrëdhenia me ne.
Me fjalë të tjera, të mos i bëjmë formale këto takimet mes biznesit dhe qeverisë, por të hapet njëherë e mirë fleta e bashkëpunimit të biznesit me qeverinë. Kjo është e thjeshtë.
Po të behet kjo, do të shohim që mallrat tona, të cilat nuk janë të shumta sot, por mund të bëhen të shumta nesër, do të eksportohen shumë thjeshtë në Kinë
CMG: Ju përmendët një panair tregtar, i cili ju dha mundësinë që të hynit në tregun kinez. Ndërkohë janë dhe disa panaire ndërkombëtare shumë të rëndësishme që organizohen nga Kina, si Panairi i Kantonit dhe Panairi i Ningbo-së. Në Panairin e fundit të Ningbo-së, ishte dhe një përfaqësues i biznesit shqiptar, kompania “Mjaltë Morava”. Jeni në lidhje me ta, në kuptimin që të gjithë së bashku të gjeni mundësitë për të depërtuar më shumë në tregun kinez?
Stefan Pinguli: Jemi të lidhur, por duhet të kuptojmë një gjë. Shqipëria vuan nga elementi i bashkëpunimit. Ky element i bashkëpunimit duhet të ndërlidhet nëpërmjet qeverisë, e cila ka leva të mjaftueshme për t’i bërë bashkë bizneset për interesin e përbashkët. Për interesin e tyre.
Qeveria mund të ndihmojë, për të ulur taksat për transportin. Mund të zvogëlojë distancën Shqipëri-Kinë, përmes marrëdhënieve më lehtësuese për taksat. Në këtë moment nuk ka nevojë për lobim, pse të gjithë jemi me dëshirën e madhe për të shtuar eksportet në Kinë.
Kemi një eksperiencë shumë të ulët të bashkëpunimit me njeri-tjetrin. Kjo është e vërtetë. Por këtë mund ta incentivojë, nxisë qeveria. Qeveria ka ministritë. Po flasim për Ministrinë e Bujqësisë, sepse jemi pjesë e lëndëve të para të tyre. Ne kemi ndërtuar një akademi që quhet “Rrënjët tona”. Në këtë akademi, kemi përfshirë dhe kemi parë me vëmendje se çfarë i duhet vendit tonë, për të ecur përpara. Një nga pjesët që ne konstatojmë, që janë të thjeshta fare, ndodhet tek bujqësia. Besoj se jemi i vetmi vend që marrim nga bujqësia kontribut me 22-23 përqind të volumit, prodhimit bruto të vendit, dhe investojmë vetëm 2-3 përqind.
Është e pamundur kjo, në çdo biznes. Se në fund të fundit, duam, s’duam ne, edhe qeveria, edhe ndërtimi i shtetit është një lloj biznesi, i cili ka anën politike të tij, por ka dhe anën ekonomike.
Në këtë kontekst, nuk mund të ecet në asnjë investim, në raport një me dhjetë. Po të them, ne në birrë, kur e kemi fitimin 2 përqind, e quajmë të madh. Domethënë, ne investojmë 98 përqind dhe planifikojme të fitojme dy përqind. Si ka mundësi të përfitosh 22 dhe 23 përqind, dhe të investosh 2 dhe 3 përqind?
Prandaj dhe ne e kemi këtu të keqen e madhe dhe prandaj ecën përpara Maqedonia e Veriut. Kjo, për arësye se investimin në bujqësi, e ka më të madh, në raport me vendin tonë dhe për njësi, vëmendja financiaro-ekonomike dhe politike, është më e lartë.
CMG: Si e shikoni të ardhmen e eksporteve tona në Kinë? Ju përmendët bujqësinë, ku ka mundësi të mëdha që ne të eksportojmë dhe ku shteti, me strukturat e tij përgjegjëse, duhet të ndihmojë.
Stefan Pinguli: Edhe elementët e transportit mund të zgjidhen, nëse kemi vëmendjen e duhur nga qeveria. Sepse, në fund të fundit, Kina ka ndërtuar disa oaze transporti, siç është Greqia, Pireu, etj. Po ka dhe në vende të tjera. Vura re investimet kineze ne Serbi. Këto investime ishin investime kaq të lira për serbët. Këto linja transporti mund të shfrytëzohen edhe nga ne, përmes bashkëpunimit. Ne kemi bashkëpunim. Kemi bashkëpunim me Serbinë dhe me Greqinë. Nëpërmjet këtyre “konteinereve” të bashkëpunimit, ne mund të transportojmë mallin tonë me kosto të ulur të konsiderueshme. Por, po të jemi të vëmendshëm. Po të heqim edhe taksat e hyrjes së mallit tonë në Kinë. Mallrat greke hyjnë pa taksa në Kinë. Mallrat serbe hyjnë pa taksa. Ato nuk mund të hyjnë në një konteiner, me një mall me taksë dhe një mall pa taksë.
Ky është realiteti. Atëhere, këtë punë duhet të bëjmë.
Intervistoi Fatos Çoçoli