Plazhi i Durrësit gati për turistët, 80 për qind e hoteleve të prenotuara
2023-06-01 11:59:28

Foto nga RSTH

Plazhi i Durrësit është gati për pritjen e pushuesve, të cilët këtë vit pritet të jenë të shumtë në numër. Në një prononcim për mediat, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, është shprehur se për momentin 80 për qind e hoteleve që gjenden në vijën e parë të plazhit janë të prenotuara për të gjithë sezonin, ndërkohë që këtë vit pritet të tejkalohet shifra e 1 milion turistëve që kanë vizituar vitin e kaluar Durrësin, bën të ditur “RTSH”.

Bashkia pritet të ketë një kujdes të shtuar edhe në drejtim të menaxhimit dhe pastrimit të plazhit nga mbetjet urbane, të cilat do të largohen tri herë në ditë. Këtë vit, pas vendimit të qeverisë, ka ndryshuar raporti i hapësirës publike me atë private në plazhet e vendit.

30 për qind e hapësirës do të jetë në dispozicion për publikun pa pagesë, ndërsa 70 për qind do të jenë parcela private që do të menaxhohen nga hotelet buzë detit. Bashkia e Durrësit administron një vijë të gjatë bregdetare që nis nga Kepi i Rodonit në veri të Durrësit deri te Shkëmbi i Kavajës, në kufi me Golemin. (Elona)