Misioni i ambasadorit Li Hui në Evropë ngjall shpresa për t’i hapur rrugën bisedimeve për arritjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës
2023-06-01 16:12:14

Në vazhdim të angazhimit të premtuar pas kërkesës së Presidentit të Ukrainës Volodomir Zelenski në një bisedë telefonike me Presidentin Xi Jinping për ndërmjetësimin e Kinës në vendosjen e dialogut midis Ukrainës dhe Rusisë për ti dhënë fund luftës shkatërruese, që tashmë është futur në muajin e 16-të, një emisar i lartë diplomatik kinez ndërmori një turne vizitash në kryeqytetet e vendeve ndërluftuese si dhe në disa vende perëndimore dhe selinë e BE-së në Bruksel. 

Me Moskën si ndalesën e fundit, i dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për Çështjet Euroaziatike, Li Hui përfundoi turneun e tij më 26 maj, që përfshinte Ukrainën, Poloninë, Francën, Gjermaninë, Brukselin dhe selinë e Bashkimit Europian që ndodhet në këtë qytet të Belgjikës.

Gjatë turit diplomatik gati dy-javor, i cili filloi më 15 maj, diplomati veteran kinez u takua me liderë, zyrtarë të lartë e diplomatë europianë dhe pati shkëmbime të gjera me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës ukrainase, duke shpjeguar pozicionin dhe propozimet e Kinës, duke dëgjuar mendime dhe sugjerime nga të gjitha palët për të ndërtuar më shumë konsensus ndërkombëtar rreth zgjidhjes së konfliktit.

Udhëtimi i shumëpritur por edhe mjaft i komentuar nga mediat ndërkombëtare erdhi disa javë pas një telefonate midis krerëve të shteteve të Kinës dhe Ukrainës në të cilën udhëheqësi kinez rikonfirmoi angazhimin e Pekinit për të qëndruar në anën e paqes lidhur me krizën në Ukrainë. Në një dokument prej 12 pikash, që detajon pozicionin e saj të deklaruar në shkurt të këtij viti, Kina ka theksuar ndër të tjera rëndësinë e respektimit të sovranitetit të të gjitha vendeve, zgjidhjen e krizës humanitare dhe mbajtjen e centraleve bërthamore të sigurta, duke sugjeruar se rruga e vetme për arritjen e paqes ishte dialogu midis palëve në konflikt. 

Pavarësisht kursit që do të ndjekin luftimet midis Ukrainës dhe Rusisë, që në fakt janë kthyer nga luftime midis dy shteteve por edhe me një palë të tretë e angazhuar intensivisht në furnizimin e ushtrisë ukrainase me armatime nga më shkatërrueset të përdorura ndonjëherë në konfliktet e kohëve të fundit, duhet thënë që në krye të herës se misioni i vështirë e kompleks diplomatik por kurajoz e konstruktiv i kryesuar nga diplomati i lartë Li Hui e plotësoi objektivin e tij, duke hapur rrugën e ndërmjetësimit nga një fuqi e madhe si Kina.

E si gjithmonë diplomacia e Pekinit ishte mëse e hapur dhe e sinqertë në njoftimin e opinionit publik botëror e veçanërisht kancelaritë diplomatike të të gjithë vendeve të botës dhe median ndërkombëtare me përmbajtjen e bisedimeve në secilin vend, duke pasqyruar thelbin e qëndrimit  kinez si dhe të vendeve përkatëse një për një për të mos lënë asnjë shteg për asnjë hamendësim apo keqinterpretim. E ajo që bie në sy është se palët ndërluftuese shprehën botërisht vlerësimin e tyre për rëndësinë e këtij misioni të vullnetit të mirë që Moska e Kievi ti qasen dialogut për ti dhënë fund kësaj lufte gjakatare me humbje të panumërta njerëzore e shkatërrime të papara ndonjëherë në kontinentin europian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Elias Jabbour, profesor në Universitetin Shtetëror të Rio de Zhaneiros të Brazilit, e interpretoi udhëtimin e të dërguarit kinez si "turin më të rëndësishëm diplomatik të bërë" që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2022. "Vetëm Kina, sot, është një vend i aftë të ulet në tryezën e bisedimeve me vende me pikëpamje kaq të ndryshme për luftën", tha Jabbour për CGTN.

Mirëpo në morinë e vlerësimeve, analizave e opinioneve konstruktive, intervistave të autoriteteve në rangje më të larta, çka tregon vëmendjen e jashtëzakonshme qe kishte tërhequr misioni se ne fakt ishte mision i jashtëzakonshëm në një terren të vështirë, nuk munguan dizinformacionet e disa mediave amerikane dhe të ndonjë vendi tjetër perëndimor, rutinë e zakonshme e tyre lidhur me çdo gjë që ndodh në Kinë, rreth saj apo politikën e saj të jashtme. Duke parë suksesin e diplomacisë kineze, veçanërisht në një rol primar në diplomacinë ndërkombëtare si vendi më autoritar dhe i besueshëm i palëve ndërluftuese dhe fuqive të tjera perëndimore të interesuara në përpjekjen për të ndalur luftën në Ukrainë nëpërmjet ndërmjetësimit të një dialogu edhe në këtë rast kuzhina amerikane mediatike e lëshoi helmin e trillimit, duke shkelur çdo etike mediatike raportimi pa u përmbajtur në fushatën e saj dizinformuese rreth misionit dhe qëndrimit kinez ndaj luftës në Ukrainë. 

E konkretisht në ballë të këtij qëndrimi të paprinciptë dizinformacioni u vu ‘The Wall Street Journal’, e cila pretendonte se një zyrtar Perëndimor, që kishte njohuri lidhur me bisedimet midis ambasadorit kinez dhe qeverive europiane, kishte bërë të ditur se Kina kishte propozuar një marrëveshje armëpushimi, e cila do t'i lejonte Rusisë të zotëronte pjesë të Ukrainës.

Një trillim i tillë sigurisht gjeti jehonë në ndonjë media perëndimore, por natyrshëm mori përgjigjen e së vërtetës nga diplomacia kineze. E shikoj me vend botimin e plotë të përgjigjes së zëdhënëses të diplomacisë kineze Mao Ning për pyetjen lidhur me këtë temë të bërë nga një gazetar i Reuters në një konferencë shtypi të organizuar në Pekin më 29 maj si më poshtë:

“Reuters: Zyrtarët perëndimorë të njohur me udhëtimin e fundit të të dërguarit të posaçëm Li Hui në Evropë thonë se Kina po propozon një armëpushim që do të linte Rusinë në zotërim të pjesëve të Ukrainës, sipas një njoftimi në ‘The Wall Street Journal’. A mund të konfirmoni se Kina po e propozon këtë dhe pse?

Mao Ning: Kina ka publikuar në kohë zbardhje të njoftimeve për vizitën e Përfaqësuesit Special Li Hui. Ju lutemi referojuni atyre për informacion autentik. Vura re gjithashtu se Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha publikisht se ai kontaktoi palët e tjera dhe asnjë vend nuk kishte thënë se Përfaqësuesi Special Li Hui kishte bërë komentet e raportuara nga ‘The Wall Street Journal’”. 

Domosdo një shpifje e tillë krijoi më shumë shqetësim në Kiev se kudo tjetër dhe për të shpërndarë çdo mjegullnajë të këtij njoftimi të rreme të njohur tashmë si ‘fake news’ kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba publikoi vetë një video në Facebook më 27 maj, duke hedhur poshtë çdo trillim. Ai kishte kontaktuar të gjithë homologët e tij në vendet që vizitoi ambasadori kinez dhe nuk kishte gjetur asnjë konfirmim që Kina kishte biseduar me ata për këtë “propozim” sipas të cilit Rusia të merrte në zotërim pjesë të pushtuara të Ukrainës.

Në Kiev që ishte vizita e parë më 16-17 maj emisari i lartë diplomatik kinez u takua me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe zhvilloi bisedime të veçanta me shefin e zyrës së Presidentit ukrainas Andriy Yermak, Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe zyrtarë të ministrive ukrainase të infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes. Pra një interesim i jashtëzakonshëm i të gjithë aparatit shtetëror të këtij vendi për të biseduar ballë për ballë me emisarin kinez të paqes. Duke ndjekur qëndrimin e pandryshueshëm parimor dhe konstruktiv të shprehur edhe në propozimin prej 12 pikash i dërguari kinez tha se nuk ka ilaç për të zgjidhur krizën. “Palët e përfshira duhet të dalin nga vetja, të grumbullojnë besim të ndërsjellë dhe të krijojnë kushte për përfundimin e konfliktit dhe nxitjen e bisedimeve të paqes”, thuhej në mesazhin e diplomatit kinez.

Kurse pala ukrainase deklaroi si më poshtë: Ukraina shprehu kënaqësinë e saj për vizitën e të dërguarit special të Kinës menjëherë pas bisedimeve telefonike midis liderëve. Ajo i kushton rëndësi të madhe rolit të rëndësishëm të Kinës në çështjet ndërkombëtare si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mirëpret rolin pozitiv të saj në përfundimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes.

Në qoftë se Kievi ishte ndalesa e parë e turneut ai u mbyll me vizitën në Moskë ku Hui zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov dhe Andrei Rudenko dhe Mikhail Galuzin, të dy zëvendësministra të jashtëm të Rusisë më 26 maj. 

Kina ndjek gjithmonë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, mban një qëndrim objektiv dhe të drejtë dhe promovon në mënyrë aktive bisedimet e paqes, u deklaroi Li diplomatëve më të lartë të Rusisë. “Kina gjithmonë bën gjykimin e saj në mënyrë të pavarur bazuar në meritat e çështjes. Kina qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe dialogut dhe në anën e duhur të historisë”, deklaroi ambasadori.

Nga ana e saj, pala ruse u shpreh se Rusia vlerëson dëshirën e sinqertë dhe përpjekjet praktike të Kinës për të promovuar një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë dhe beson se parimet dhe qëndrimi përkatës i Kinës janë të favorshme për një zgjidhje paqësore.

Një emërues të përbashkët kishin qëndrimet e vendeve të tjera europiane dhe të diplomatëve të lartë të BE-së që vizitoi emisari i lartë diplomatik: vlerësim i rolit pozitiv të Kinës në nxitjen e paqes dhe të bisedimeve, pritshmëri që Kina të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv dhe dëshira e këtyre vendeve, përfshi BE, për të bashkëpunuar me Kinën.

Kësisoj Polonia, vend fqinj si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, shprehu shpresën se Kina do të vazhdonte rolin e saj pozitiv lidhur me çështjen e Ukrainës për të kontribuar drejt arritjes së paqes sa më shpejt të jetë e mundur. Në vijim të turneut Franca e vlerësoi shumë vizitën e Përfaqësuesit Special Li Hui dhe Parisi priste që Kina të vazhdojë rolin e saj konstruktiv në ndërprerjen e armiqësive. Kurse në Berlin pala gjermane nënvizoi se ishte shumë e dobishme dhe e nevojshme që Gjermania dhe Kina të forconin dialogun për një sërë çështjesh kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë çështjen e Ukrainës. Nga ana e tyre, zyrtarët e BE-së deklaruan se mirëpresin rolin pozitiv që Kina luan në zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe thanë se vlerësojnë parimet në dokumentin që përshkruan pozicionin e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. Sipas tyre, BE ndan shumë interesa të përbashkëta në lidhje me çështjen e Ukrainës me Kinën. 

Ky realitet sikurse ka ndodhur i zhvillimeve më të fundit diplomatike në skenën botërore lidhur me arritjen e një zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë ku diplomacia kineze ka dal në plan të parë si bashkëbiseduese e të gjitha palëve – atyre ndërluftuese por edhe vendeve europiane, që në fakt nuk janë të gjithë në një mëndje në mes tyre me zgjatjen e luftës, nuk i ka shkuar për shtat aspak SHBA, e veçanërisht qarqeve militariste për të cilët lufta në Ukrainë është bërë burim fitimesh kolosale, por edhe poligon për testimin  e armatimeve të tyre të reja. Prandaj si gjithnjë ata përdorin median e në këtë rast ‘The Wall Street Journal’ për të shtrëmbëruar sadopak qëndrimin e Kinës nëpërmjet ‘fake news’.  Por misioni diplomatik i përfaqësuesit special të qeverisë kineze, sipas Wang Yiwei, drejtor i Qendrës për Studimet e BE-së në Universitetin e Kinës, arriti të gjejë konsensus nga qëndrime të ndryshme e madje konfrontuese mbi konfliktin. "Nëse udhëtimi i të dërguarit të posaçëm mund të përmblidhej me një frazë, do të ishte 'kërkimi i gjuhës së përbashkët duke ruajtur dallimet", tha Wang për CGTN, duke cituar një mençuri dhe filozofi konvencionale kineze.  Është hera e parë në histori që Kina luan dhe pritet të luajë një rol kaq të rëndësishëm në sigurinë dhe paqen e Evropës, tha Wang. "Kjo është me rëndësi historike", theksoi ai.  

Ndërsa SHBA-ja, si fuqi e madhe, nuk ka arritur të luajë një rol konstruktiv në frenimin e konfliktit dhe aktivizimin e bisedimeve, Kina ka bërë përpjekje serioze për të ndërmjetësuar konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës për arritjen e paqes botërore, u shpreh Dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare të landit Hesen të Gjermanisë, këshilltar i lartë i Qendrës së Nxitjes së Investimeve Ndërkombëtare të Kinës.

Pikërisht ky rol i flamurtarit të paqes, sigurisë e zhvillimit global është i mirëpritur dhe inkurajohet nga i gjithë komunitetit ndërkombëtar, prandaj sikurse u arrit me sukses paqja midis Arabisë Saudite dhe Iranit me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis tyre pas një konflikti të gjatë me ndërmjetësimin e diplomacisë kineze, shpresat janë që misione të tilla të Kinës si ky i fundit i të dërguarit special Li Hui të shërbejnë për t’iu hapur rrugën bisedimeve për armëpushin dhe arritjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Genc Mlloja