Ndryshimet e reja në Ligjin për Startup-et
2023-06-01 10:37:17

Nomad digjital (Foto a2cnn)

Nomad digjital (Foto a2cnn)

Nomadët digjitalë kanë tashmë një terren të sigurt ligjor për mbarëvajtjen e punës së tyre në Shqipëri. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, i miratuar  në komisionin përgjegjës parlamentar për Ekonominë dhe Financat siguron një liberalizim të plotë për çështjen e taksave. Punonjësit lëvizës digjitalë nuk do të konsiderohen rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë për një periudhë prej 12 muajsh, parakusht që përkthehet në përjashtimin nga taksat për një vit. Punonjësit lëvizës digjitalë pajisen me leje unike, bazuar në ligjin “Për të huajt” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.”

Në një intervistë për  revistën “Monitor” eksperti  në fushën e startup-eve, Gerion Treska, tregon se cilat janë efektet pozitive të ndryshimeve në ligj dhe sa ndihmon në nxitjen e sipërmarrjes së lirë dhe ideve novatore.

“Ligji për startup-et ka pësuar një ndryshim dhe është në prag të thirrjes së dytë që ministria do të ndërmarrë në kuadër të këtij ligji të mbështetjes së start up dhe mbështetjes së ekosistemit. Tani po përpiqen të bëjnë disa detyra nga mësimet e nxjerra nga thirrja e parë, kështu që kjo ka sjellë dy ndryshime thelbësore. E para është krijimi i një agjencie brenda ministrisë, e cila merr përsipër të gjithë pjesën e barrës sidomos organizacionale dhe operacionale të skemave të financimit të mbështetjes për start upet edhe për aktorë të tjerë të ekosistemit. E dyta është futja e konceptit të ri të nomadëve digjitalë, si një lloj mbështetje për të nxitur ardhjen e nomadëve digjitalë në Shqipëri përmes periudhës 1 vjeçare të mos taksimit si rezidentë. Këto janë dy ndryshimet kryesore brenda në ligj. Patjetër që secila ka efektet e veta. Ky ndryshim sidomos në skemë për sa i përket krijimit të agjencisë startup Albania, pavarësisht se ne gjithmonë në letra dhe ligje jemi të mirë, por puna është në implementim, pastaj aty shkaktohet mjaftueshëm konfuzion dhe kur gjërat sprovohen pastaj shihet nëse janë menduar mirë apo jo”- tha eksperti Treska.

GerionTreska (Foto Monitor)

GerionTreska (Foto Monitor)

Eksperti vlerëson hapat e ndërmarrë nga qeveria.

“Mendoj që në një farë mënyre është në njërën anë një lloj përgëzimi për disa mësime të nxjerra, por ende nuk e dimë si do funksionojë kjo skemë e re e propozuar. Nëse do i kthehesha pak komenteve që kanë bërë mbi thirrjen e parë, më së shumti nuk kanë qenë komente që kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit dhe çështjeve operacionale dhe të raportimit kryesisht për ata që  ishin përfitues të granteve. Ndaj edhe kjo pjesë mbetet për t’u parë në thirrjen e dytë. Për sa i përket ligjit, vijon të qëndrojë kryesisht sipas opinionit tim në formën e rregullimit të një skeme nxitëse, monetare për startup dhe anëtarë të tjerë të ekosistemit. Në mungesë të investitorëve ministria luan një rol të tillë”, vuri në dukje ai

Eksperti flet edhe për disavantazhet.

“Disavantazhi është mënyra që ata sjellin. Nomadët digjitalë kryesisht karakterizohen nga puna remote, bëjnë një infrastrukturë minimale, por në termat e ekosistemit është i preferueshëm që ka internet të mirë ka një cilësi jetese të mirë, dhe kosto të ulët jetese. Në momentin që ata vazhdojnë dhe ofrojnë shërbimin jashtë, remote për kompanitë që punojnë, ne do ndjejmë vetëm përfitimin si konsumator. Ata do rrisin konsumin. Në momentin që ata fillojnë dhe përfshihen duke ofruar shërbimet e tyre ndaj po themi edhe subjekteve dhe kompanive në Shqipëri, kjo mundë të sjellë një disavatazh pasi ata në shumicën e rasteve kanë një ekspertizë më të mirë dhe më të thelluar sesa po themi ekosistemi ynë. Kjo mund të shihet edhe në aspektin pozitiv. Sepse edhe mund të sjellin nxitje apo fryme të re, e cila pastaj kalon edhe tek personat me të cilët ata bashkëpunojnë. Ata janë entitete biznesi, pavarësisht se janë një person, ose personi i punësuar në këtë marrëdhënie është një.”- shprehet eksperti.

Nomaddigjital (buletini ekonomik)

Nomaddigjital (buletini ekonomik)

Shumë punonjës të cilët janë të angazhuar me detyra që nuk kërkojnë prezencën në zyrë mund të bëjnë si shtëpi të tyre cilindo nga vendet që shohin të arsyeshëm dhe ekonomik. Destinacionet më të avantazhuar për të tërhequr këtë grup janë ato që kanë cilësi të mirë jetese dhe një kosto të ulët ndërkohë që potencialisht janë edhe vende me zhvillim turistik. Kroacia, Greqia janë disa nga vendet që kanë ofruar paketa të dedikuara për nomadët dixhitalë. Shqipëria po synon gjithashtu që të tërheqë këtë kontingjent dhe ndryshimet në ligjin për start-up prekin edhe këtë pikë.