1 qershori (Foto Shqiptarja.com)
Në vitin 1925 në Gjenevë të Zvicrës u mbajt Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve. Në të njëjtën ditë, konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të madh fëmijësh jetimë nga komuniteti kinez të festonin festivalin e “Anijes së Dragoit”.
Dy vite më pas festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.
Dy festa për fëmijët
Në mjediset e shkollës kryeqytetase “Sabaudin Gabrani” nxënësit kënduan, recituan, festuan dhe gëzuan së bashku me shokët, shoqet, mësuesen, prindërit dhe gjyshërit, duke i falenderuar për përkujdesin që ata tregojnë çdo ditë për ta. Mes emocionesh dhe gëzimit nisi festa për nxënësit e klasës së parë.
Radio Ejani u bë pjesë e kësaj feste, që nxënësit do ta kujtojnë gjatë
1 qershori (Foto Cna.al)
Mesazhi falenderues i nxënësve
“Të dashur prindër dhe ju mësuese të nderuara, të dashur gjyshër dhe gjyshe,sot më shumë se çdo ditë tjetër ne jemi të gëzuar, prandaj njëzëri ju urojmë, Mirë se erdhët në festën tonë!
Faleminderit që po ndani kohën tuaj me ne, në festën dhe gëzimin tone dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, ne kemi bashkë për dore që ditën e parë kur hymë në klasë Ju ishit me ne në çdo moment të vështirë, kur me lodhje e lot shkruam shkronjat e para, ju na ndihmuat dhe nuk u mërzitët. Besuat se do ja dilnim, e pra ja dolëm dhe me gjithë zemër ju themi :Faleminderit!
Faleminderit për përkujdesin që na falni çdo ditë. Për përkushtimin, për netët pa gjumë, për ëmbëlsinë dhe dashurinë e pafund. E dimë shumë mirë që jemi gjithë bota për ju, jemi mëngjesi, gëzimi , por ta dini që edhe ju për ne jeni prindërit dhe gjyshërit më të mirë në botë.
Pas këtij mesazhi emocionues për të gjithë të pranishmit nxënësit me kënaqësi treguan për Radio Ejani dhe Grupin Mediatik të Kinës emocionet e festës, tregojnë për dhuratën që presin nga prindërit për "1 Qershorin", ku do i kalojnë pushimet e verës, pa harruar lojën, librin e preferuar, por edhe emocionet e festës.
Foto per CMG
Evita
CMG: Si u ndjeve sot që festuat dy festa në një ditë, festën e abetares dhe festën e fëmijëve “1 qershorin” ?
Evita: Jam ndjerë shumë e gëzuar dhe e lumtur.
CMG: Çfarë do bëhesh kur të rritesh?
Evita: Kam dëshirë të bëhem veterinere.
Juena
CMG: Si u ndjeve sot në këtë festë?
Juena: Shumë e emocionuar.
CMG: Çfarë dhurate pret për festën e “1 Qershorit” nga prindërit?
Juena: Rroba banjo.
CMG: Rroba banjo dhe gati për plazh. Pushime të mbara!
Rejan
CMG: Rejan, tani që mbarove klasën e parë, i ke mësuar të gjitha shkronjat, por a ke filluar të lexosh libra?
Rejan: Po lexoj abetaren.
CMG: Po kohën e lirë si e kalon?
Rejan: Lexoj librin “Lexo më bukur”.
CMG: Loja jote e preferuar cila është?
Rejan: Futbolli.
CMG: Pushimet e verës ku do i kalosh këtë vit?
Rejan: Në Dhërmi.
CMG: Pushime të mbara zemër!
Foto per CMG
Rajli
CMG: Përshëndetje Rajli! Të pashë shumë entuziast sot, dukej sikur nuk kishe emocione.
Rajli: Jo, nuk kisha fare emocione.
CMG: Tani që e mbarove klasën e parë do fillosh të lexosh libra?
Rajli: Po. Libri im i preferuar është “Kapiten Brekushi”.
CMG: Po prindërve çfarë dhurate u ke kërkuar për “1 Qershor-in”?
Rajli: U kam kërkuar të më blejnë një mitraloz uji për në plazh.
CMG: Po kur të rritesh çfarë dëshiron të bëhesh ti?
Rajli: Një ushtar që të mbroj atdheun.
Nxënës të tjerë
CMG: Po ju fëmijë,çfarë keni dëshirë të bëheni kur të rriteni?
Perla: Kur të rritem unë dua të bëhem arkitekte ose veterinere.
Kaltra: Unë jam aq e aftë dhe dua të bëhem doktoreshë.
Koral: Mua më pëlqen që të bëhem prezantuese dhe të kem emisionin tim televiziv.
Ingrid: Kur të rritem unë dëshiroj që të bëhem shkencëtare.
CMG: Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj suksese në mësime, e pushime të mbara!
Gëzuar “1 Qershorin” dhe qofshi të lumtur gjithmonë!
Festimi i 1 qershorit në Shqipëri është një traditë, që vazhdon duke u pasuruar me veprimtari të shumta, por dhe ndërgjegjësim për të drejtat e fëmijëve. Në këtë ditë në mbarë vendin institucionet arsimore organizojnë festime në natyrë, gara sportive, konkurse poetike, të vizatimit, këngës dhe kërcimit. Pjesë e këtij gëzimi fëminor janë prindërit, gjyshërit, mësuesit dhe e gjithë shoqëria.
Intervistoi: Sava Lena