Ekspertët: Pyjet kanë një rol kritik në reduktimin e karbonit
2023-06-01 14:53:32

Foto nga VCG

Shkencëtarët kanë theksuar rëndësinë e pyjeve për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në reduktimin e karbonit në atmosferë dhe përfundimisht në luftimin e ndryshimeve klimaterike.  

Yin Weilun, akademik i Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe ish-drejtor i Universitetit të Pylltarisë së Pekinit, tha se pyjet dhe kullotat kanë një pozicion unik në luftimin e ndryshimeve klimaterike globale.  

Nëpër pyje ka bimë që thithin dyoksidin e karbonit nga atmosfera dhe e rregullojnë atë në bimësi ose tokë, duke reduktuar kështu përqendrimin e gazit, tha Yin.  

Duke folur në forumin ndërkombëtar “Forestry and Grassland Carbon Sink Innovation”, Yin tha se menaxhimi i mirë i pyjeve mund të rrisë aftësinë e përthithjes së karbonit, shkruan “China Daily”.  

Yin bëri thirrje për më shumë kërkime në menaxhimin e pyjeve për të siguruar qëndrueshmërinë e pyjeve dhe kapacitetin e tyre të thithjes së karbonit.  

Sipas tij, për të përdorur tokën në mënyrë efikase, menaxherët e pyjeve duhet të presin disa pemë të kalbura dhe t'i zëvendësojnë ato me të reja në mënyrë që sistemi pyjor të ruajë aftësinë e tij për t'u riprodhuar dhe për të vepruar si një mbledhës karboni.  

Yin theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e rezervateve pyjore, livadheve dhe ligatinave, për të rritur aftësinë e tyre për të thithur karbonin.  

Vitin e kaluar, Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave ngriti një institut kërkimi për zonat pyjore mbledhëse të karbonit, për të studiuar potencialin e vendit në këtë drejtim. Sipas administratës, kjo punë kërkimore do të vlerësojë shpërndarjen hapësinore të zonave pyjore mbledhëse të karbonit, për të kuptuar se si të rriten ato. (Elona)