Rruga e modernizimit të stilit kinez: Të mbrojmë vatrën tonë me veprime konkrete
2023-06-01 16:14:51


Në qendrën e edukimit mbi mbrojtjen e mjedisit Baishamen në qytetin Haikou, vullnetarë vijnë çdo ditë për kategorizimin e mbeturinave për riciklim / foto nga CFP

Me zbatimin e  "Urdhrit të kufizimit të produkteve plastike" në mbarë vendin qysh prej 1 qershorit 2008, koncepti i pakësimit të përdorimit të produkteve plastike ka hedhur rrënjë në zemrat e kinezëve. Në një qendër të edukimit mbi mbrojtjen e mjedisit në qytetin Haikou të provincës Hainan të Kinës Jugore, dhjetëra vullnetarë vijnë çdo ditë për kategorizimin e mbeturinave për riciklim. 83-vjeçarja Zhao Yueying prodhon qese me pëlhura të vjetra dhe ua dhuron qytetarëve dhe vizitorëve. Gjatë tre vjetëve, ajo ka dhuruar mbi 3 mijë qese të tilla.

Vullnetarja Zhao Yueying:

Duke prodhuar një qese pëlhure pakësohet përdorimi i qeseve plastike. Toka jonë do të bëhet kështu më e pastër.

Banor vendës:

Me këtë qese të madhe pëlhure, nuk përdor më qese plastike. Më pëlqen shumë kjo qese. Kur bëhet pis, e laj dhe pastaj e përdor përsëri.

83-vjeçarja Zhao Yueying prodhon qese me pëlhura të vjetra / foto nga CFP

Programi i Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin e përcaktoi temën e Ditës Botërore të Mjedisit (më 5 qershor) për këtë vit si "Shmangia e ndotjes plastike". Sipas të dhënave statistikore të këtij programi, në mbarë botën prodhohen mbi 400 milionë tonë produkte plastike në vit. Gjysma prej tyre janë njëpërdorimëshe, nga të cilat më pak se 10 për qind riciklohen.

Kina ka nxitur aktivisht ekonominë e riciklimit të plastikës dhe është në nivelin e përparuar në botë në fushën e riciklimit të mbetjeve plastike. Sipas të dhënave të Institutit Kërkimor të Makroekonomisë pranë Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës, gjatë dhjetë vjetëve nga 2010 deri më 2020, Kina ka ricikluar 170 milionë tonë produkte plastike, duke zënë 45 për qind të vëllimit të përgjithshëm botëror gjatë kësaj periudhe. Në edicionin e 133-të të Panairit të Kantonit, që u zhvillua në qytetin Guangzhou muajin e kaluar, teknologjitë e pajisjet për riciklimin e produkteve plastike ishin në fokusin e pjesëmarrësve.

Biznesmen pjesëmarrës:

Nga viti 2018 deri më sot, materialet e ricikluara kanë pasur një perspektivë gjithnjë e më të gjerë. Për sa i përket eksportit, kemi pasur rritje mbi 50 për qind.

Biznesmen pjesëmarrës:

Lodrat tona që mbrojnë mjedisin janë bërë me shishe plastike, të cilat, gjatë riciklimit, shndërrohen fillimisht në thërrmija plastike dhe pastaj në fije, pëlhurë, pellush dhe në fund në lodra. Me 16 shishe plastike mund të prodhohet një lodër me gjatësi 30 centimetra.

Mbrojtja e mjedisit ekologjik dhe nxitja e bashkëjetesës harmonike janë kërkesa thelbësore të  modernizimit të stilit kinez. Sipas komunikatave të  fundit zyrtare mbi gjendjen e ekologjisë tokësore dhe detare të Kinës, në vitin 2022 cilësia e ajrit, ujit dhe tokës në Kinë ka ruajtur prirjen e mirë ose qëndrueshmërinë dhe cilësia ekologjike në mbarë vendin ka pasur përmirësim të vazhdueshëm.

Automjetet me energji të re "Air EV" nga kompania kineze "Wuling Motors" i shërbyen Samitit të 42-të të ASEAN-it në maj 2023/ foto nga "Wuling.id"

Teknologjia dhe produktet kineze të mbrojtjes së mjedisit i kanë shërbyer jo vetëm Kinës, por edhe shumë vendeve e rajoneve të tjera. Në tremujorin e parë të këtij viti, eksporti i automjeteve elektrike të udhëtarëve, baterive të litiumit dhe baterive diellore nga Kina në BE, ShBA dhe Britani ka pasur rritje përkatësisht prej 88.7 për qind. 88.1 për qind dhe 118.2 për qind. Gjatë Samitit të 42-të të ASEAN-it që u zhvillua pak kohë më parë në Indonezi, 50 automjete me energji të re "Air EV" nga kompania kineze "Wuling Motors" u shërbyen delegacioneve pjesëmarrëse për komunikacion.

Dian Asmahani, drejtori i marketingut i degës së kompanisë së automjeteve "Wuling" në Indonezi:

Ky është një provë e përkushtimit tonë për ofrimin e lëvizjes me energji më të pastër në industrinë e automjeteve. Ky është gjithashtu përkushtimi ynë për t'u shërbyer delegacioneve me automjete të gjelbra në këtë veprimtari. Duam t'i tregojmë botës se kjo përbën një pjesë të përkushtimit tonë për zhvillimin e automjeteve elektrike.

Marco Lambertini, ish-sekretar i përgjithshëm i Fondacionit Botëror të Natyrës dhe bashkëpresident i Koalicionit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Gjelbër pranë nismës "Një brez, një rrugë":

Kina ndodhet në një pozicion absolutisht të favorshëm që ta drejtojë këtë tranzicion ose ta nxitë a ndihmojë realizimin e këtij tranzicioni në një mënyrë domethënëse. Së pari, si një vend i madh i manifakturës, Kina ndodhet në qendër të ekonomisë globale, prandaj vendimi i marrë nga Kina do të ushtrojë ndikim në mbarë globin nëpërmjet zinxhirit të furnizimit.