Një qytezë e vogël në veri të Londrës mund të mos jetë vendi ku mund të prisni të zbuloni një tempull të Shaolin-it. Dhe Matt Jane mund të mos jetë luftëtari tipik i kongfusë. Por 35-vjeçari ka ndërtuar një ndër qendrat kryesore në Evropë për artin marcial të lashtë.
Në Cheshunt, një qytezë me 45 000 banorë mbi dhjetë kilometra larg kryeqytetit britanik, ka një tempull të stilit kinez për ata që duan të ushtrojnë artet marciale. Pronari i tempullit është Jane, një londinez që shkoi në Kinë kur ishte 16 vjeç dhe u stërvit për pesë vjet si luftëtar në malet e provincës Henan të Kinës Qendrore.
Jane, edhe i njohur si MJ, ose "Shaolin-i modern", dhe gruaja e tij Chun, "Mamaja e kungfusë", kanë fituar famë ndërkombëtare nëpërmjet shfaqjeve televizive të suksesshme, si "America's Got Talent", dhe barasvlerëses së saj britanike.
Përveç kësaj, ata kanë fituar miliona adhurues në botë nëpërmjet videove në mediat shoqërore me veprimet e mahnitshme, si qëndrimi në shufra hekuri ose thyerja e tullave me kokë.
"Bota është shumë më e hapur nëpërmjet medias shoqërore, dhe fuqia e urtësia e kungfusë mund të përhapet nëpër botë," i tha MJ "CGTN Europe". "Jam shumë i gëzuar që jam një ndër individët që kanë ndihmuar për përhapjen e kësaj kulture, e cila më ka ndihmuar për të ndryshuar jetën dhe mund të ndihmojë edhe për të ndryshuar jetën e të tjerëve."
Shfaqja që ndryshoi jetën e tij përgjithmonë
Pasioni i MJ-së për artet marciale filloi me filmat që shikonte kur ishte fëmijë. "Kisha postera të Jet Li-së, Jackie Chen-it dhe Bruce Lee-së kudo nëpër mure", shprehet ai. Por ishte diçka reale që tërhoqi me të vërtetë imagjinatën e vet.
"Kur isha 11 vjeç shikova një shfaqje të quajtur 'Rrota e Jetës', mbi murgjit e Shaolin-it që praktikonin kungfunë," rikujton MJ. "Ata po shkonin në tërë botën, dhe kjo ishte hera e parë që pashë kungfu drejtpërdrejt në skenën përpara meje."
"Pashë gjëra si qëndrimi në gishtat e dorës, shufrat e hekurit që thyheshin me kokë, fluturimet akrobatike, që mendoja se nuk ishin reale nëpër filma. Dhe tani që po i shikoja me sytë e mi, më lindi një ëndërr, që të bëhem një luftëtar i Shaolin-it."
Kur ishte 16 vjeç, duke hasur vështirësi të përshtatej me sistemin arsimor britanik, ai vendosi që i nevojitej një fokus i ri në jetën e vet dhe udhëtoi për në Kinë.
"Shkova në tempullin 'Shaolin', ku u stërvita dhe jetova si një luftëtar i Shaolin-it. Ngrihesha çdo ditë shumë herët në mëngjes, bëja vrapim në male, zbrisja poshtë duke u zvarritur me duar e gjunjë dhe qëndroja me kokën në beton për orë të tëra," ndërmend ai.
"Mësova shumë se si të bëhem një i rritur gjatë kohës që jetova në tempull. Këto rutina shumë të thjeshta të përditshme më prekën në të vërtetë dhe më dhanë një këndvështrim të ri se si mund të jetë dhe duhet të jetë në thelb jeta."
Jashtë tempullit Cheshunt./MJ
10 vjet pasi pa për herë të parë "Rrotën e Jetës", MJ u bë i pari dhe i vetmi luftëtar i Shaolin-it jokinez që u bë pjesë e kësaj shfaqjeje.
"Ëndrra ime u realizua, dhe unë e zbulova veten duke bërë turne shfaqjesh në tërë botën me murgjit e Shaolin-it," shprehet ai. "Kjo ishte e pabesueshme."
Përbërja e familjes së kungfusë
MJ u takua me gruan e ardhme të tij Chun në një restorant në Dengfeng të provincës Henan. Ajo u tërhoq shumë shpejt prej tij, por nuk e dinte se ai kishte një përparësi gjuhësore.
"U takova me Matt kur isha vetëm 18 vjeçe," tha Chun. "I thashë shoqes sime në gjuhën kineze: 'Ai ka sy të bukur', por nuk e dija që ai kuptonte kinezisht, dhe ai u skuq në fytyrë."
Tërheqja ishte e ndërsjellë, dhe MJ filloi të bënte përshtypje të mirë te disa njerëz të rëndësishëm të familjes së Chun-it.
"Ai vallëzoi dhe këndoi për mamin tim, dhe asaj i pëlqeu menjëherë," thotë duke qeshur Chun-i. "Ai kujdeset për vëllanë tim të vogël si një baba, dhe mendova se 'ai është shumë i mirë si bashkëshort.'"
Kur Chun-i ishte 19 vjeçe, ata vendosën që të martohen dhe të shkojnë në Britani. U vendosën në Cheshunt dhe filluan të ndërtonin këtë tempull për t'u ofruar të rinjve mësimin e arteve marciale dhe shijimin e filozofisë kineze.
Po atë vit lindi biri i tyre, Xiao Tian. Ai u rrit së bashku me karrierën e tyre të re, duke praktikuar kungfu që në vitet e para. Tani, me pseudonimin "Luftëtari i Ri", ai është krenar për mbajtjen e një Rekordi Zyrtar Botëror "Guinness" për kryerjen e kërcimeve së prapthi me dorë në platformë i mbështetur nga kolegët e vet.
Vlera e arteve marciale
MJ u mëson studentëve dhe ndjekësve të tij jo vetëm aftësitë fizike të kungfusë, por edhe filozofinë e arteve marciale kineze. Gjestet e përdorura nga luftëtarët shpesh kanë domethënie më të thellë, për shembull, përshëndetja duke vendosur njërën pëllëmbë në grushtin tjetër, e cila është një thirrje "për të ndaluar luftimin".
Anëtarët e familjes tani po përhapin atë që kanë mësuar./MJ
MJ tha se kungfuja e ka ndihmuar që të zbulojë lumturinë dhe një mënyrë më të mirë jetese dhe misioni i tij tani është që t'u mundësojë të tjerëve të ndjekin rrugën e njëjtë.
"I gjithë virtyti i arteve marciale është për të zbuluar gërshetimin e përsosur mes pozitives dhe negatives, yin-it dhe yang-ut," tha ai. "Nëpërmjet meditimit dhe ushtrimit të arteve marciale, mund të gjeni ekuilibrin."
Në botën moderne, ku të rinjtë mund të zhgënjehen ose ta humbin lehtë përqendrimin, mësimi mbi atë si ta drejtojnë fuqinë e mendimit dhe trupit mund të jetë zgjidhja për të shmangur konfliktin, beson ai.
"Të flasim sinqerisht, nuk kishte lidhje vetëm me kungfunë, por ishte një mënyrë jete që nuk e kisha parë kurrë më parë," thekson ai. "Si i rritur në Londër, kisha një ego shumë të madhe dhe nuk kisha një vizion të gjerë mbi botën, sepse nuk kisha parë shumë. Pasi shkova në Kinë, mësova shumë mbi veten. Kungfuja nuk shërben vetëm për të mësuar si të luftojmë, por më shumë mbi atë se si të jetojmë," thotë "Shaolin-i modern". (Xu Guang)