Tiranë - Nisin aktivitetet për Javën e Kulturës Italiane
2023-06-01 09:48:39

Foto nga RTSH

Pas suksesit të edicionit të parë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, prej datës 1 e deri më 7 qershor 2023, kultura italiane rikthehet në Shqipëri me më shumë se 60 aktivitete.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë prezantuese të “Javës italiane”, tha se Shqipëria vlerëson të gjitha virtytet italiane dhe në këtë rast Italia flet me gjuhën e ekselencës, citon “ATSH”.

“Ne jemi vërtet krenarë që kemi arritur ta çojmë përpara edicionin e dytë të Javëve të Kulturave Ndërkombëtare me një program kaq të ngjeshur, kaq ambicioz, por nga ana tjetër dhe kaq të dobishëm jo vetëm për jetën kulturore por edhe për të gjitha marrëdhëniet e reja që, siç e pamë edhe vjet, fillojnë e lidhen pas përfundimit të këtyre javëve”, - tha Margariti.

Në programin e javës italiane vlejnë për t’u përmendur: kremtimi i Festës së Republikës, grupi muzikor “Planet Funk”, Festivali i Shkencës, dita kushtuar arbëreshëve, rikthimi i “Pizza Village”, maratona për autizmin si edhe vepra murale e realizuar nga Tellas si shprehje e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Nuk do të mungojnë as mbrëmjet kushtuar teatrit, operës dhe muzikës me shfaqje në sheshe dedikuar Verdit, koncerti i instrumentistit të njohur të trombës Paolo Fresu dhe shfaqja në kujtim të gjeniut Enio Morricone. (Elona)