Shqipëria bashkëpunon me Maqedoninë e Veriut për pikëtakimin kufitar të Korridorit 8
2023-06-01 10:02:34

Foto nga ATSH

Përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të martën në Shkup, në një takim dyditor mbi sfidat që ka rajoni për sigurinë energjetike, njofton “ATSH”.

Zëvendëskryeministrja shqiptare, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, në një prononcim për mediet theksuan nevojën e bashkëpunimit rajonal.

Zv.kryeministrja Balluku deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur prej kohësh të bashkëpunojnë, sidomos për sa i përket projektit të ri të portit të Vlorës.

“Nuk duhet humbur rasti për t’u ulur me kolegët, për të diskutuar për të gjithë sfidat që Ballkani Perëndimor ka për sa i përket energjisë, që janë shumë të ngjashme me sfidat me të cilat përballet Evropa, duke nisur nga siguria energjetike edhe duke vazhduar me eficencën e energjisë, por padyshim edhe me bashkëpunimin rajonal që është më i rëndësishmi për ne”- tha Balluku.

Ndërsa Bytyçi bëri të ditur se e ardhmja duhet të bazohet në bashkëpunimin e ndërsjellë të shteteve të rajonit.

“E di që akoma nuk kemi bërë shumë punë me Korridorin VIII. Shpresoj që shumë shpejt do të kemi rrugë të mira dhe lëvizje shumë më të shpejtë, por mendoj se energjetika është një fushë në të cilën duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë”,- u shpreh ai.

Sa i përket Korridorit VIII, zv.kryeministrja Balluku deklaroi se palët po punojnë për një plan të përbashkët për pikëtakimin e këtij korridori. (Elona)