Kumrie Zika, është 36 vjeç dhe e ndan jeten mes punës, familjes dhe udhëtimeve. Ajo e nisi karrierën vite më parë, me përpjekjet e para për të kërkuar një punë, të cilat e shtynë të hapte agjencinë e saj të punësimit. Kumria haste shumë vështirësi në treg për të gjetur punën e saj të ëndrrave, por asnjëherë nuk u dorëzuara përballë vështirësive.
E foksuar për të gjetur diçka që meritonte udhëtoi në shumë vende të botës dhe një ndër këto vende ku pati një eksperiencë të gjatë ishte Katari. Profesioni i saj aktual është agjente ndërmjetësimi në fushën e punësimit dhe ajo tregon që ka një sërë vështirësish dhe sfidash në përditshmëri, por motoja e saj ka qenë dhe vijon të mbetet:" Guxo dhe mos u ndal kurrë".
Për Radio Ejani Kumrija tregon se sa e lumtur është në përditshmëri dhe që përpos vështirësive ajo e merr jetën si një sfidë të përditshmme.
CMG: Nëse të pyesim, kush jeni ju përballë një pasqyre tek e cila reflektohet karakteri,si do të përgjigjeshit?
Kumrie Zika: Unë jam një njeri i lirë dhe besimin e gjej tek puna dhe tek angazhimi . Vijoj të jem një shpirt i guximshëm dhe kam pasur mundësi që të ngjis shkallët ngadalë në karrierë. Jam mëse e bindur se edhe nëse unë humbas apo dështoj do të jem i njëjti njeri përballë pasqyrës. Unë do të shoh të njëjtin reflektim tek pasqyra e së vërtetës. Do të jem unë dhe vetëm unë, ajo që do ndërtoj urat e jetës sime.
Kam zgjedhur të jem një njeri i drejtë karshi gjithçkaje dhe këtë gjë e kam bërë spontanisht, drejtësia me ka ndihmuar që botën ta dua më shumë dhe mos të gjykoj askënd për asgjë .
CMG: Si është një ditë në rutinën tuaj ?
Kumrie Zika: Familja është kryefjala e jetës sime. Jam nënë dhe kam detyrime të shumëfishta në jetë. Por pas saj vjen profesioni. Unë e dua shumë punën, sakrifikoj, ndërtoj, synoj dhe në fund realizoj. Dita nis shumë herët dhe përfundon vonë. Jam unë ajo që njëherësh kujdesem për familjen dhe përgjigjem për punën dhe të gjitha elementet që ajo kërkon.
Ndërsa mbyllja e ditës mua më gjen gjithnjë para një kompjuteri ku ajo që di dhe bëj më mirë është fusha e kërkimit.
CMG: Si lindi agjencia juaj , "Kumi.Al"?
Kumrie Zika: Kumi unë besoj që ka lindur që në fëmijëri, janë disa momente në jetën tonë që ne e kuptojmë se çfarë kemi dashur të bëjmë ka qenë e udhëzuar që në fëmijëri. Unë kam arritur të kuptoj që ndonëse e vogël në moshë kam pasur një shpirt luftarak dhe kam dashur të realizoj shumë bashkëpunime, ndërsa mbi të gjitha ka qenë fakti që unë kam dashur përherë t’i ndihmoj njerëzit dhe të jem e dobishme në jetë .
Në këtë kontekst, u themelua edhe "Kumi". Kumi është vetë emri im. Shpjegimi i emrit ka qenë prosperiteti dhe kështu ka ndodhur pasi në jetën time ka pasur gjithnjë prosperitet.
CMG: Ndër të tjera ju edhe luftoni për të drejtat e punëtorëve në tërësi?
Kumrie Zika: Po Unë luftoj dhe do vijoj ta bëj këtë gjë sepse më kujtohet përherë vetja ime. Çfarë unë kam kaluar në sektorin e punësimit apo në punë të ndryshme nuk do doja që t’i kalonin edhe të tjerët pasi ky është qëllimi ynë. T’i ndihmojmë njerëzit pa kurrëfarë interesi dhe t’i bëjmë ata njerëz me të mirë të shoqërisë në të cilën jetojmë.
Ndaj edhe shpesh në daljet e mia mediatike kryesisht kam dalë për të drejtat e punëtorëve. Kam folur për to, kam ndihmuar dhe suportuar edhe njerëz të ndryshëm të cilët kanë kërkuar një zgjidhje. Të gjithë me njohin si Kumria, gruaja e cila ndihmon dhe bën shumë ndaj njerëzve.
Kjo gjë në fakt nuk ka ardhur qëllim në vetvete, pasi ashtu siç e shpjegova unë që fëmijë kam qenë fëmijë kurioz dhe ndihmues ndaj të tjerëve dhe besoj që gjithë karakteri im e ka pasur një zanafillë dhe ajo është e kaluara ime e hershme.
CMG: Cilat janë pikat tuaja më të forta ?
Kumrie Zika: Jane disa pika të forta por më e forta është që unë nuk dorëzohem.
Si natyrë unë jam pozitive dhe shoh mirësi kudo. Nuk shqetësohem nëse gjërat shkojnë mirë apo shkojnë keq sepse në fund të gjithçkaje ato thjesht do shkojnë në vendin e tyre, pavarësisht përpjekjeve tona. Ndaj duhet të bëjmë maksimumin për të ruajtur dhe mbrojtur paqen tonë të brendshme, pasi vetëm në këtë formë mirësinë tonë e përcjellim tek të tjerët .
CMG: Ju keni themeluar një sipërmarrje, e cila kërkon kohë dhe mundim e sakrificë, kush ju ka mbështetur gjatë kësaj kohe?
Kumrie Zika: Kryefjala është nëna ime, ajo ka qëndruar me mua në çdo kohë, çdo ditë dhe çdo moment kur kam pasur nevojë për të. Ndërsa nuk mund të rri pa përmendur edhe njerëz të tjerë në jetën time, të cilët janë dhe kanë qenë aty në çdo moment. Që agjencisa ime e punësimit të merrte jetë ka kërkuar kohë dhe shumë sakrificë edhe nga unë. Kam ndihmuar veten për ta menaxhuar këtë sfidë të jetës sime dhe besoj që ja dola. Falë njerëzve dhe mbi të gjitha vetes sime që në çdo moment i kam thënë mos ndalo përballë asgjëje.
CMG: Të rinjve, të cilët duan të nisin diçka të re apo të nisin dhe kërkojnë një punë, çfarë do t'iu thoje?
Kumrie Zika : Do t'iu thoja të rinjve të marrin të dhëna dhe risi nga tregu. Tregu lëviz shumë shpejt dhe kërkon të rinj që kanë energji të madhe në përditshmëri.
Duhet të mësohen me gjërat e reja dhe në këto kushte ata duhet të ndjekin së pari shumë trajnime dhe së dyti të angazhohen në jetën sociale të qytetit dhe të ndërtojnë një rrjetëzim.
Intervistoi: Megi Latifi