CMG: Politikanët e Uashingtonit duhet të mendojnë për fjalët e Musk-ut mbi "binjakët siamezë"
2023-06-01 16:26:02

foto nga CFP

Qin Gang, ministri i Jashtëm të Kinës u takua me Elon Muskun më 30 maj/ foto nga CFP

Pas tre vjetëve, kryekzekutivi i "Tesla"-s Elon Musk vizitoi përsëri Kinën. Gjatë takimit me anëtarin e Këshillit të Shtetit dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Kinës Qin Gang, Musk-u tha qartazi se "Tesla" e kundërshton "shkëputjen nga Kina dhe ndërprerjen e zinxhirit", duke përdorur një metaforë se "ShBA-ja dhe Kina kanë interesa të integruara, ashtu si binjakët siamezë, që ishin të pandarë nga njëri-tjetri."

Në kohën e tanishme, kur marrëdhëniet kino-amerikane ndodhen në gjendje të vështirë, fjalët e Musk-ut pasqyrojnë mendimin e shumë personaliteteve amerikane të qarqeve të biznesit. Uashingtoni duhet t'i dëgjojë seriozisht këto fjalë, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull.

foto nga CFP

Musku në Shangai në shkurt 2020/ foto nga CFP

Musk-u, me karakterin e vet të hapur, nuk e ka fshehur asnjëherë vëmendjen e tij të veçantë për tregun kinez. Tre vjet më parë, ai shkoi në Shangai për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të automjeteve "Model 3" të "Tesla"-s, të prodhuara në Kinë, madje edhe duke kërcyer aty. Gjatë këtyre tre vjetëve, "Tesla" ka pasur rezultate të dukshme në tregun kinez. Në vitin 2022, vëllimi i dorëzimit të automjeteve nga fabrika e saj në Shangai arriti në 710 mijë, mbi gjysma e vëllimit të përgjithshëm global të kësaj kompanie. Nga janari deri në prill të këtij viti, "Tesla" dorëzoi në tregun kinez mbi 170 mijë automjete, duke realizuar rritje prej 61 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht nga konkurrenca e ashpër me prodhuesit e automjeteve elektrike kineze, tregu kinez është prapëseprapë shumë i rëndësishëm për gjigantët globalë si "Tesla", komentoi CMG-ja.

foto nga CFP

Gigafabrika e "Tesla"-s në Shangai/ foto nga CFP

Vizita e Musk-ut në Kinë pasoi ato të drejtuesve të lartë të kompanive të mëdha amerikane, si "Apple", JP, GE etj. Në kohën kur qeveria amerikane ka nxitur me të gjitha forcat "shkëputjen" nga Kina dhe "shmangien e rrezikut", drejtuesit e shumë gjigantëve amerikanë vizituan Kinën. "Mos vallë kjo është prova më e mirë që zhvillimi i Kinës përbën mundësi për botën?" përfundon me një pyetje komenti i CMG-së.